Ndershmëria në politikë. Cilat janë motivet që e shtyjnë njeriun të merret me politikë? Si lind angazhimi politik dhe a ka talent politik a prirje politike? Cili është kuotienti intelektual i politikanit? A vërtet, politikani e kërkon karrigen se vdes nga dashuria për njerëzit e ëndërron të bëhet copë për ta? Të bëhet shërbëtor i tyre? Ç’perspektivë e bukur për jetën e një njeriu! Nëse kjo është pjesërisht e vërtetë, deri në ç’masë për disa politikanë, ky shërbim ndaj popullit jep kënaqësi. E deri në ç’masë është ky i lidhur apo në shërbim të shërbimit karshi vetes? Apo në rastin më të mirë politikani përpiqet për lavdi e përjetësi, duke bërë vepra të mira për njerëzit, por prapë për ego, e në më të keqin rast, qëllimi është për para, lavdi, seks, nënshtrim, pushtet, hakmarrje, dhunë, poshtërim, sundim të të tjerëve…?
Mendohet në fakt apriori se politikanët janë më të pandershmit. Prandaj le ta nisim me një lloj avokatie të tyre, përderisa rëndom për politikën flitet vetëm në pozicion prokurori. Nga studimet në vendet perëndimore, rezulton se përqindja e të pandershmëve ndër politikanët nuk është më e lartë se ajo të pandershmëve, ndërmjet farmacistëve, profesorëve, tregtarëve, biznesmenëve (duhet një studim e statistikë e tillë edhe tek ne). Zyrtarët e kompanive, korporatave, bizneseve janë ca më keq në këtë aspekt e sidomos në raport me joshjen nga paraja. Atëherë pse ky opinion për politikanët? Sepse dihet që sapo jepet një lajm për një ryshfet, skandal, lajthitje të një politikani në media menjëherë konkludohet se askujt nuk mund t’i besosh e askënd nuk mund të vlerësosh më në politikë. Por kjo nuk është gjithnjë e vërtetë. (Duhet parë, dhe kjo ka më rëndësi, është më shumë e vërtetë apo e pavërtetë.)
Mendohet se fjala “maskara” është ndër fjalët më të përshtatshme për të gjithë politikanët. Për politikën tashmë fjala e përdorur prej shekujsh është “kurvë”. Pra, i bie që kushdo që merret me një punë a profesion tjetër është normal dhe shtresa që ai përfaqëson e nderuar. Kështu p.sh të jesh bankier, biznesmen, nëpunës, është të jesh i nderuar, kurse politikan jo. Shumë-shumë duhet të ta kenë frikën e nga kjo përfiton se të ishte ndryshe, duhet të falimentoje për shkak imazhi. Mjaft që je politikan (paragjykim shtresor). I bie që psikologjia e politikanit është krejt ndryshe nga ajo e çdo njeriu tjetër dhe pikërisht këtë duhet të studiojmë, si krijohet ky opinion për të, sa është ai i drejtë e sa i gabuar, ku gabohet e ku jo, që të kuptojmë politikën, psikologjinë e politikës.
Ne pranojmë se çdo shkelës ligji është një njeri me mentalitet e formim të shtrembëruar, dhe nënkuptojmë që njeriu normal që ka frikë të shkelë ligjin është i formuar si qytetar, i shëndetshëm mendërisht dhe njohës e zbatues i mirë i rregullave e ligjeve. A është kjo gjithnjë e vërtetë apo dhe njeriu i zakonshëm ka tundim herë pas here ta shkelë ligjin, por nuk ia mban apo kur e bën kalon në një grup tjetër që emërtohet shkelës ligji a më keq kriminel dhe dënohet. Se duhet pranuar, shkelësit, kriminelët, më pas të dënuarit, vijnë nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Ndërkohë politikani është më pranë tundimit të shkeljes së ligjit se vetë pushteti ia jep këtë mundësi, (fonde, favore, privilegje, oferta, ndere, kompetenca), por nga ana tjetër është më komod ta kapërcejë pa i hyrë gjemb në këmbë shkeljen e ligjit. Kjo sepse njohjet, pushteti, fuqia e postit e bëjnë të manovrojë, të blejë a kërcënojë ata që mund ta padisin a dënojnë, duke filluar nga dëshmitarët e thjeshtë e deri te gjyqtarët, të përdorë metoda të pushtetit dhe kjo duhet të jetë ajo që e bën më të urryer ndofta: shkelje e korrupsioni bëjnë dhe të tjerët, por politikanët dënohen më rrallë ose shpesh shpëtojnë duke ia hedhur paq. Kësisoj duhen analizuar e vlerësuar psikologjikisht, kontradiktat, rrëshqitjet, shkeljet dhe inkonsistencat e mendimit të politikanit, edhe si një derivat i vetë punës që kryen ai, si raste më të shumta tunduese krijuar nga vetë profili i punës së tij, por jo si justifikim natyrisht. Po të kihet parasysh kjo, do të kemi një analizë më të qartë të mendjes politike dhe do mund t’i kuptojmë më mirë edhe veçoritë e veprimit politik…
Mendësia e politikanit dhe mendësia e të tjerëve. Mendësia e politikanit, tiparet e të menduarit e mentalitetit të tij, janë kryesisht karakteristika të fituara. Pjesa më e madhe e politikanëve janë “normalë” përpara se të fillojnë politikën (përjashtim bëjnë kriminelët e kamufluar që ia hyjnë politikës apo njerëzit që bota e krimit arrin t’i promovojë e fusë në politikë për interesa të saj). Pra mbi bazën e fakteve, më të prirur jemi të besojmë se në formimin e mendësisë së politikanit, mënyrës së tij të të menduarit, ndikon mjedisi rrethues, profesioni i tyre, të tjerët, sesa tipari i trashëguar gjenetik. Natyrisht, kur trashëgimia është e tillë që ndihmon në zhvillimin e tipareve politike negative, politikani shfaqet më shpejt e më spikatur si i tillë, në sensin negativ të fjalës. Kështu një njeri me origjinë a prejardhje familje ku dhelpëria, mashtrimi, dredhia si tipare janë të trashëguara, do të spikasë më shumë si politikan i rafinuar e do të bëhet më shpejt i tillë.
Njerëzit shpesh e konsiderojnë politikën si zanat, si shërbim i specializuar, një profesion ashtu si dhe ata të mësuesit, mjekut etj. Atëherë nëse thelbi i profesionit të mësuesit është të mësojë të tjerët, e mjekut të shërojë, e për rrjedhojë tek ata formohen tipare të të menduarit tipike për ta, (humanizmi p.sh tek mjeku i vërtetë), pyetja shtrohet se cili është ai element bazë i këtij profesioni që ndikon më shumë në krijimin e mentalitetit të politikanit? Përgjigja është një: e gjithë shoqëria njerëzore funksionon e është e lidhur me zbatimin a detyrimin e zbatimit të ligjit. Qytetari i zakonshëm që përbën shumicën jeton brenda ligjit. Krimineli thyen ligjin e jeton jashtë tij. Politikani është i ndryshëm nga këta: ai shpesh jeton përtej apo fshihet prapa ligjit. Janë relacionet me ligjin pra që i bëjnë të ndryshme këto tre kategori, pra dhe shprehitë, zakonet, mënyrat e të menduarit, mentaliteti që përftohen janë të lidhura e rrjedhin rrënjësisht nga qëndrimi ndaj tij, raportet me të.
E përbashkëta e të tria kategorive, kriminelit, njeriut të zakonshëm dhe e politikanit, është nevoja për të jetuar a ndryshe për të bërë një jetë sa më të mirë. Kjo është dhe zanafilla e të gjithëve. Të gjithë prodhojnë diçka, shërbime a të mira materiale e për rrjedhojë të gjithë janë të detyruar të kenë të bëjnë me ligjin, të pajtohen me rregullat e tregut, shoqërisë, ligjin në fuqi. Njerëzit në përgjithësi nuk shqetësohen për ligjin përsa kohë ai favorizon a nuk i pengon aktivitetet e tyre. Në rast se ndodh e kundërta, njerëzit priren ta ndryshojmë a rregullojmë ligjin-për të vepruar a jetuar në mënyrë më të përshtatshme komode brenda tij-thjesht sepse kjo është mënyra më e mirë për të funksionuar në shoqëri. Mbi këtë bazë krijohen disa modele të menduari të përshtatshme ose rregulla sjellje që duken si principe të pandryshueshme.
P.sh njerëzit e zakonshëm që konsiderohen “normalë” e që përbëjnë shumicën thonë se “rruga më e mirë është ndershmëria”. Është a jo e vërtetë kjo, përvoja tregon se nëse njerëzit janë të pandershëm me kolegët, shokët, partnerët, klientët, të tjerët, herët ose vonë, humbasin favoret, bashkëpunimin, mbarëvajtjen e biznesit, e kolegëve, klientëve etj., e kjo e bën jetën e tyre më të vështirë. Kështu shitësi, kasapi, biznesmeni, etj., kuptojnë se jetojnë në një botë kompetitive që i detyron të japin sa marrin, dhe përtej kësaj nevoje rrjedh edhe principi i sipërpërmendur, “për të bërë një jetë brenda ligjit. Ndërkohë që në botën kriminale kjo merr të tjera forma. Njerëzit e botës së krimit, ,p.sh duan t’u marrin pasurinë të tjerëve, të vjedhin pasurinë publike a private, etj., duke i shpëtuar ligjit. Ndërkohë që në një grup tjetër bën pjesë aristokracia e kësaj bote dhe këtu përfshihen politikani, menaxheri, bosi, shefi, etj. Ata veprojnë nën mbrojtjen politike. Mes tyre ka gjithashtu mjaft të korruptuar por ata janë me status të lartë se kalojnë me sukses minimumet e rreziqeve dhe mbrohen nga politika. Krimineli ka parim bazë ‘merr e ik’, dhe nuk sheh ndryshim moral mes mënyrës së vet të bërjes së jetës dhe asaj të qytetarit të zakonshëm apo politikanit. Çdo ndërmarrje për të është një dallavere, mashtrim, që ndryshon vetëm në aspektin që disa forma dallaveresh janë legale e çfarë jo (p.sh kur ndërrohen partitë në pushtet, ai thotë që ndryshojnë padronët e drogës, por lufta kundër saj kurrë nuk ndryshon rrënjësisht). Kështu mendon ai.
Një shembull tipik është ai i policit a pushtetarit në makinë, mënyra sesi ai del përtej ligjit e shkel rregullat. Përse? Përveç përfitimeve, në raste të veçanta është edhe kënaqësia, ndjesia e të qenit mbi të tjerët, ndryshe syresh dhe shfrytëzimi i pushtetit. Ku ndryshojnë këta nga dy kategoritë e tjera? Thjesht se janë më të prirur për të patur një pushtet sa më të madh mbi të tjerët, madje dhe mbi kriminelët e të zakonshmit. Biznesi i vetëm i disa pushtetarëve është ushtrimi i monopolit të forcës, shtrëngimit, që ai gëzon. Këtu po t’i rikthehemi asaj që thamë, ndonëse ne shpesh e shohim si zanat politikën e profesion atë të politikanit, kjo në thelb nuk është e vërtetë. Kjo sepse asnjë nga shërbimet që rregullon botën tonë nuk merr përsipër të menaxhojë a rregullojë gjithë shërbimet e tjera, mjeku p.sh nuk mund të komandojë edhe rregullimet e makinave. Çdo profesionist ose jep shërbime të një lloji të caktuar ose merr shërbime specifike nga të tjerë. Kurse qeveria, politika, politikanët, nga ana tjetër janë krejt jashtë kompeticionit dhe lulëzojnë, progresojnë, përfitojnë jo në proporcion me shërbimin që kryejnë, por në proporcion me pushtetin që zotërojnë, a përdorin. Ata pretendojnë se i ofrojnë të gjitha shërbimet, mund të jenë ministra fjala vjen të çdo fushe, të japin ide, menaxhojnë si kryedrejtues, vendosin ligje për çdolloj fushe, apo të drejtojnë çdo aspekt të jetës së vendit. Të kenë p.sh në dorë bizneset mbarë, tërë nivelet e arsimit, çdo lloj shërbimi shëndetësor, etj. Në një kohë që mund të mos jenë aspak specialistë të asaj fushe që drejtojnë, dhe madje ta justifikojnë këtë me shprehjen që është prodhim puro i politikës: ”Drejtuesi është politik, anën teknike e mbulojnë të tjerët”. Përfytyroni sa mirë do e drejtojë shëndetësinë një mësues apo raste të tjerë. Ndërkohë njerëzit normalë presin nga qeveria një punë të ngjashme me atë që kryen një zyrë a zyrtar që punon me eficencë e pa gabime. Por qeveritarët përgjithësisht nuk veprojnë kështu dhe njerëzit nuk marrin përgjigje të përditshme as imediate për problemet e tyre. Kjo sepse eficenca në biznesin publik nuk matet me efektet e sjelljes së një dite, apo nuk është direkte. Përfitimi i këtij biznesi, merret një herë në disa vjet me pollet a votimet dhe politikanët përgjithësisht punojnë për këtë. Ne flasim për teori ekonomike, objektiva ekonomike, perspektivë ekonomike, në aspektin e aktivitetit që kryen qeveria, por qeveritë në përgjithësi, mbi të gjithë zërat ekonomikë që njohin, në krye venë atë që i sjell, që i mban politikanët në pushtet apo që mund t’i nxjerrë ata jashtë tij. Votuesi mendon se voton për një princip a politikë të caktuar, por jo. Politikani e di më mirë se për çfarë ka votuar ai. Shkurt prapa a përtej ligjit modeli i të menduarit është ndryshe nga ai i qytetarit të thjeshtë normal, apo i kriminelit abnormal. Ai mendim mund të jetë ose jo normal e deri në psikopatik në rastet e rralla kur politikani ka edhe devijanca psikologjike, por është gjithsesi i ndryshëm nga ai i kategorive të mësipërme.
Z. PANGO,
KA KOHË QË TË LEXOJ ME KURJOZITET DHE THEM SE JAM DAKORT ME PËRJASHTIME TË VOGLA NË TEMAT QË SHKRUAN.
NJË SYGJERIM SI LEXUES I RREGULLT I SHKRIMEVE TË TUA:
MOS U MER VETËM ME TEMA TË PËRGJITHSHME THJESHT PSE ATO NUK ATAKOJNË DIKË DIREKT. PROVO TË SHKRUASH EDHE PËR TEMA QË PREKIN KËDO SOT (ashtu si ne anonimët e net-it) P.SH. TRITOLI QË KA ZËVËNDËSUAR FISHEKZJARIN ME NDRYSHIM NGA KY I FUNDIT SE AI PO MER JETË NJERZISH, OSE LIDHJET E KRIMIT ME POLITIKËN DHE ARSYET ETJ.
ME RESPEKT