Genc Sejko tashmë është personazh i famshëm në Tiranë, edhe pse nuk jeton në Shqipëri. Ai njihet si njeriu i memeve dhe fama e tij online është rritur ndjeshëm, sidomos pasi memet e tij nisën të shfaqen edhe nëpër protesta.
E meqë memet e tij antiqeveritare frymëzojnë protesta, ai ra në sy edhe të Edi Ramës, që para pak kohësh i ktheu një përgjigje personale në rrjetet sociale.
Por kur je kaq i njohur në rrjetet virtuale, pse të mos bëhesh i dukshëm edhe në ‘realitet’?
Këto pushime dimërore, Sejko, që jeton në Angli, vendosi t’i kalojë në Shqipëri, por jo në mënyrë të zakontë. Ai kërkoi leje për një protestë anti-qeveritare më datë 28 dhjetor, që do mblidhte emigrantët.
http://www.gazetamapo.al/meta-reagon-per-protesten-studentore-dhe-fton-emigrantet-protestoni-tek/
Kur dukej se rruga për protestën ishte e hapur dhe mbetej vetëm të shihej nëse në protestë do kishte njerëz, pasi dihet që revolta online nuk përkthehet në aktivizëm në rrugë, ndodhi diçka. Sejko thotë se nuk është lejuar të protestojë përpara Kryeministrisë për shkak se pengon qarkullimin normal të automjeteve.
“Bllokimi i bulevardit më kryesor të kryeqytetit shoqërohet me ndërprerje dhe devijime të mëdha të trafikut rrugor në Tiranë dhe cenon e ndërpret veprimtaritë e agjencive ligjzbatuese, të institucioneve publike dhe jo-publike për përmbushjen e detyrimeve ligjore”, thuhet në argumentimin e policisë.
Vetë Sejko reagoi me disa meme, duke bërë të ditur se protesta do zhvillohet gjithsesi. Opozita, PD dhe LSI (sidomos kjo e fundit) reagoi në përkrahje të ‘njeriut të memeve’.
Disa thonë se ndalimi i protestës po e bën më të famshëm Sejkon, pasi tek e fundit nuk do ishte ndonjë shqetësim i madh për qeverinë.
Të tjerë thonë se është e drejta e gjithkujt të protestojë, por këto protesta po shkatërrojnë nervat e njerëzve që duan të punojnë dhe mbeten nëpër trafikun e Tiranës, që edhe pa protesta, është një makth.