Editorial

Pse nuk kemi një Vjosë në Tiranë?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:45 - 21/06/20 |
Mapo.al

Popullariteti i Vjosa Osmanit është në majë. Edhe ata që nuk i dinë fort mirë detajet, argumentat dhe sidomos prapaskenat e politikës së Prishtinës, e kuptojnë apriori se, ajo ka të drejtë. Kështu ndodh dhe me opinionin në Shqipëri. Rrallë është parë që një politikan kosovar të bëhet kaq familjar në Tiranë e më gjërë në një kohë kaq të shkurtër.


Ky është një lajm i mirë. Njerëzit ende vlerësojnë moralin në politikë, dhe qartazi në këtë sfond është zhvilluar gjithë reagimi i qytetarëve në rrjet, por edhe beteja që në fund solli shkarkimin e saj. Në fund të fundit, kush është ai që pretendon se politika është e drejtë.


Më të fuqishmit mbajnë pushtetin dhe largojnë ata që i rrezikojnë jo vetëm fronin, po sidomos kreditet dhe legjitimitetin. Në këtë kuptim, Vjosa Osmani ishte një bombë me sahat për establishmentin.


Por ajo do të vijonte të qendronte në postin e lartë e me jo pak privilegje të Kryetares së Parlamentit, nëse do të zgjidhte rehatinë personale dhe të bënte kompromis. Mund të konformohej, të hiqte dorë nga parimet dhe vlerat që beson, dhe me vite do të ishte në detyrën e rëndësishme.


Vetëm dy muaj pasi erdhi në pushtet, ajo bëri një tjetër zgjedhje. Nuk ra dakort me një makinacion politik që e riktheu Kosovën edhe një herë aty ku ishte para zgjedhjeve, në duart e atyre që prej moti e drejtojnë.

E reja që po vinte u asfiksua shpejt, dhe sërish e vjetra buthton në krye.

Vjosa Osmani e kundërshtoi me gjithë fuqinë e saj, dhe nuk u rezervua për të qënë e vërtetë në qendrime deri në fund. Duke e ditur fare mirë si do shkonte fati i saj në LDK. Ishte çështje ditësh që ajo do të nxirrej jashtë me shumicën e kartonave. Akt që mori jetë një natë më parë.

Siç e tha edhe vetë në një deklaratë, Vjosa nuk ka ndërmend të heqë dorë.

Një tjetër arsye pse kjo zonjë fitoi kaq shumë simpati në publik, është stili dhe mënyra e komunikimit. Asnjë fjalë të tepërt, zero sallatë termash e përsëritje klishe. Drejt e në mesazh. Me fjalor të pastër, me ide të qarta, dhe lakonike.

Vetiu, kur sheh Vjosën, ndermendesh, se kush është e ngjashmja ose i ngjashmi i saj në Tiranë. Nuk e gjen dot në vitet e fundit një sozi politike, ndër ne. Kush e ka sakrifikuar pushtetin e vet dhe privilegjet për parimet dhe vlerat që beson? Akoma më tepër, cila ose cili ka lënë një post kaq të lartë, kur ka vënë re shtrembërime, kundravajtje, dhe ikje në të kundërt me premtimet, pas fitores dhe marrjes së zyrave e institucioneve? Askush. Plot i kemi radhët me servile dhe arrivistë që janë në garë se kush gjen krahasimin më epik për shefin, vetëm e vetëm që të bëjnë hajër për vete. Këtu kritikët lindin vetëm pasi humbin privilegjet. Asnjëherë kur janë shefa. Nisur nga këto rrethana, Vjosa nuk është aspak një zhvillim lokal, por një model që e ka gjithë potencialin të rrezatojë edhe përtej Prishtinës dhe Kosovës.


Etiketa:

Pas