Editorial

Pse nuk mund të besohet tek mrekullia e qeverisë me donacionet





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:08 - 19/02/20 |
Mapo.al

Donacionet që u mblodhën në Bruksel për rindërtimin pas tërmetit ishin një mrekulli në këto ditë të vështira që po kalon vendi. Po ajo çfarë është shumë larg të qenit një mrekulli, është bashkimi i këtyre fondeve me qeverinë shqiptare. Madje, ky do ishte një takim fatal. Kjo për shkak se kemi të bëjmë me një administratë dhe një ekzekutiv, nga më të akuzuarit në planet për abuzim me pushtetin.


Padyshim, kjo është arsyeja, pse njëkohësisht me rëndësinë e rindërtimit dhe të sasisë spektakolare të parave të mbledhura, po theksohet domosdoshmëria për transparencë dhe llogaridhënie.



Edhe sot, ambasadorja amerikane, e vuri në dukje këtë mesazh, kur e njoftoi vetë pas takimeve që kishte bërë me Ramën, Bashën dhe Metën.


Mendoni për një moment, çfarë konstaton KLSH në kontrollet që bën çdo vit. Sipas auditit të tyre, del se 700 deri në 800 milionë euro është dëmi që i shkaktohet buxhetit të shtetit nga keqqeverisja, pra nga abuzimi. Kjo është pra, aq sa kemi marrë nga konferenca si kredi. Ndihma bujare, janë pjesa tjetër, që bëjnë 1.15 miliardëshin, që po e tund Edi Rama si triumfin më të madh të kohëve moderne.

Sikur të ishim një vend normal ku qeveria mendon për qytetarët dhe nuk zhytet në afera, nuk do të kishim nevojë të merrnim 800 milionë euro kredi.

Një konkluzion tjetër që mund të nxjerrë dikush është ky.

Pse duhet të besojmë se 1.15 miliardë euro do të bëjnë mrekullinë, nëse përdoren nga e njëjta qeveri, që çdo vit ka në duar 4.5 miliardë euro buxhet, dhe nuk prodhon me to, asgjë të ngjashme me magjinë. 4.5 miliardë euro që nuk dihet se si treten, nga shkojnë, nga avullojnë, derisa njerëzit nuk shohin gjë, buxhete prej të cilave përfitojnë gjithnjë një grusht njerëzish.

Eshtë njësoj sikur të besosh se do të kesh rezultate të ndryshme, kur vazhdon të bësh të njëjtin gabim.

Parashikimi është i qartë.

Siç po bën prej 7 vitesh, ku oligarkët e rilindjes marrin çdo fond, me PPP apo me tendera me fitues të paracaktuar, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me donacionin e botës. Nëse sërish do të përfitojë e njëjta klientelë e qeverisë, atëherë përse kjo do të përbëjë një gjë të re.

Eshtë pikërisht ky model qeverisës që bota e njeh mirë, dhe e ka vizatuar në raportet e publikuara për transparencën dhe korrupsionin, që i ka detyruar partnerët të theksojnë më shumë se çdo gjë; llogaridhënien dhe mirëpërdorimin e fondeve. Dhe ata e kanë aq seriozisht sa kanë shprehur vullnetin për të monitoruar vetë gjithçka nga afër.

Kjo patjetër do të rrisë entuziasmin e qytetarëve shqiptarë dhe të të prekurve nga tërmeti që po presin të ringrihen nga ajo dramë e tmerrshme, edhe pse mund të ketë goditur rëndë humorin e kryeministrit dhe ministrave.

Mapo.al

 

 

 

 



CLOSE
CLOSE
Pas