fbpx

Aktualitet

Pse po lindin kaq shumë bebe pa duar?






               Publikuar në : 10:13 - 20/09/19 |
mapo.al

Është një horror për prindërit: bebja e tyre lind me probleme, pa asnjë paralajmërim. Një mami në një spital në Gelsenkirchen të Gjermanisë thotë se mbeti e befasuar kur brenda pak javësh, në klinikën e tyre lindën tre bebe me deformime. Defektet ishin të ngjashme: atyre u mungonte njëra dorë ose pjesë të saj.


Ajo që dukej si një rast i izoluar u kthye në një shqetësim të madh që po mban në ankth Gjermaninë. Gjithmonë e më shumë prindër nisën të lajmërohen tek gazeta BILD, duke treguar se u kanë lindur fëmijët me probleme në duar.



A është gjithçka një rastësi? A është e mundur statistikisht që të lindin kaq shumë fëmijë pa duar? Gjermania nuk mban një regjistër të defekteve në lindje, duke e bërë të vështirë hetimin për këto raste, në mënyrë që të gjendet edhe ‘fajtori’ i përbashkët, nëse ekziston një i tillë.

Kur media gjermane po investigonte për rastet, nga Franca u mësua se lindja e fëmijëve pa duar ose krahë ishte kthyer në problem edhe aty në disa zona rurale. Prej vitesh po hetohej për disa raste misterioze. Ministrja e Shëndetësisë, Agnes Buzyn kishte deklaruar se mund të jetë një faktor ambiental. “Ndoshta lidhet me atë që kanë ngrënë, pirë apo nga ajri që kanë thithur”, tha ajo.

Një forum me ekspertë të mbledhur nga gazeta gjermane BILD hedh dyshimet se kjo situatë mund të lidhet me mjekimet që janë marrë gjatë shtatzënisë, më së shumti ilaçe që trajtojnë tensionin. Por nuk përjashtohet mundësia që teknikat speciale të fertilizimit artificial të kenë lidhje.

Dr. Awi Wiesel nuk përjashton as mundësinë që pesticidet apo antibiotikët të jenë ‘fajtorët’.

E gjitha kjo të kujton atë që njihet si skandali i konterganit në vitet 1960. Bëhet fjalë për një ilaç, të quajtur talomid, që në Gjermaninë Perëndimore shitej me emrin kontergan. Kjo pilulë gjumi përdorej edhe nga gratë shtatzëna. Ilaçi thuhej se kuronte ankthin, pagjumësinë, tensionin e gastritin. Më vonë u përdor edhe tek gratë shtatzëna me ‘sëmundjen e mëngjesit’ dhe të vjella. Pak pasi ilaçi nisi të shitej, më shumë se 7 mijë bebe lindën me deformim të gjymtyrëve në Gjermani. Vetëm 40 përqind mbijetuan. Skandali në fjalë shtoi kontrollet dhe forcoi rregullat për prodhimin dhe përdorimin e ilaçeve./MAPO.AL


Etiketa: , , , , ,

Pas