fbpx

Editorial

Pse punët e drejtorive kyçe, qenkan çështje e brendshme e qeverisë?






               Publikuar në : 14:27 - 08/10/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Media tregoi të martën se drejtoresha e re e hipotekës në Vlorë, në zonën me pronat më të çmuara në vend, paskësh dhënë dorëheqjen. Për motivet pak dihet, por e sigurt është se deri në këtë vendim, patjetër ka pasur shumë zhvillime, ndërhyrje, presione, interesa e përplasje. Mendja ta do se ndonjë truall, ose disa troje me shumë vlerë, janë shkaku.



Prej qeverisë, të mos shpresojë kush se do marrë ndonjë shpjegim. Është çështje që nuk i takon publikut. Zhvillim i brendshëm, si të thuash.

Do ditë më parë, një njoftim i beftë, bëri të ditur se drejtoresha e rrugëve, Vjero, dha dorëheqjen. Ajo e motivoi me një arsye shumë humane largimin, dhe për këtë meriton solidaritet të plotë. Po sërish, dyshimet ngelen, sepse bëhet fjalë, për kreun e një prej zyrave më të rëndësishme të vendit, pasi menaxhon pjesën më të madhe të buxhetit, pra të taksave dhe punës së qytetarëve.

Në fakt, me lajmërimin e dorëheqjes, opinioni publik mësoi se zonja Vjero paska marrë këtë detyrë disa javë më parë.

Ajo sigurisht përflitej, po me vështirësi mund të gjesh dy rreshta tekst nga qeveria, nga komunikimet e saj, që tregon se, e kishte marrë këtë përgjegjësi publike.

Dhe, akoma më shumë, mungon një shpjegim, se përse u largua zonja para saj. Siç nuk ka asnjë grimcë transparencë mbi motivet, edhe pse skandali shpërtheu në publik, dhe fare qartë u pa se Qato, iku për shkak të përplasjes së kompanive qeveritare, në luftën për kontroll të territorit, pra të tenderave.

Qeveria më mediatike në rajon e më gjerë ndoshta, që bën zhurmë kur kap një byrektore që shet pa kupon, e kur gjen një karburant periferie jo në rregull, shfaqet aty me një grup të madh e me media, që nuk kursen asnjë zuzar të kësaj natyre, dhe i nxjerr me emër e mbiemër, u thotë shqiptarëve se kjo puna e drejtorisë së hipotekave, e drejtorisë së rrugëve, se kush shkon aty, se kush vjen, se kush ndan pronat e kush fiton tendera, e gjitha kjo, s’ka pse t’i interesojë njerëzve.

Me pak fjalë, çfarë bëhet, ku mbërrijnë, dhe kush është përgjegjës për pasuritë, taksat dhe punën e shqiptarëve, është një çështje private e rilindjes.

Në të kundërt, nëse dikush provon të bëjë hetim ndaj tyre, apo të marrë masa siç është rasti i Durrësit, qeveria nxjerr thonjtë, bëhet shqiponjë dhe shkon e godet mu në sallën e gjyqit. Nuk mund të preket njeriu i tyre. Nuk merren ata se për çfarë motivi rilindasi është në gjyq, merren me kush e çoi, ose kush denoncon. E shpallin ose kazan, ose anëtar bande. I njëjti anëtar bande, që po të sillej mirë, po të mos shqetësonte kreun e kadastrës, do ngelej anonim.

Nxjerrin në media kur i ndërtojnë shtëpinë një të pamunduri, dhe shumë mirë bëjnë, por mbajnë sekret çfarë ndodh në zyrat më të rëndësishme të vendit.

Duke e trajtuar kësisoj, në kulisa, pa transparencë, dhe si çështje personale, qeveria thjesht konfirmon, se e tëra kjo, gjithë këto zhvillime, janë produkt jo i ligjshmërisë, por i aferave.

Këto janë shenja të degradimit. Edhe vetë rilindja nuk do t’i kishte konsumuar këto akte në fillim të mandatit. Ikën njëra drejtoreshë në errësirë për shkak se 27 miliardë lekë i donte një firmë, ndërsa ajo donte t’ia jepte një tjetre, dhe papritur vjen drejtoresha tjetër, e cila ikën pas dy javësh. Ikën një shefe hipoteke që nuk po firmoste siç i kërkohej, apo tjetrin e kap drejtësia sepse firmosi siç i kërkohej, dhe nuk ka veçse memecëri.

Po bëjmë shtet, do të thoshte në mënyrë lakonike Edi Rama.


Etiketa: , ,

Pas