Nga Ylli Bufi
Ish–kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, Ylli Bufi, tregon në një libër sfidat me të cilat u përball kabineti jetëshkurtër që ai drejtoi. “Në fillimet e tranzicionit”, një botim i UET Press, pjesë e kolanës Scripta Manent, risjell në kujtesë momente vendimtare të historisë së tranzicionit shqiptar. MAPO publikon sot pjesë nga libri mbi rënien e qeverisë dhe motivin pas kësaj, sa ndikoi këtu ndërhyrja e ambasadorit amerikan dhe qëndrimet e partive politike mbi qeverinë.
Zhvillimet politike gjatë periudhës së Qeverisë së Stabilitetit dhe sidomos ato pas rënies së saj, treguan qartë se për PD-në dhe për forcat e tjera opozitare, zgjidhja politike që solli krijimin e Qeverisë së Stabilitetit ishte më shumë një kompromis i përkohshëm, sesa një marrëveshje apo koalicion partiak. Drejtuesit partiakë të forcave opozitare, nëpërmjet këtij kompromisi, synonin të arrinin sa më shpejt përsëritjen e zgjedhjeve dhe jo stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. Vetëm dy muaj pas formimit të qeverisë, PD bashkë me PR dhe PSD, formuan koalicionin antikomunist, gjë që, praktikisht, zhvlerësoi koalicionin pesëpartiak qeveritar. Që nga ky moment, qëndrimet dhe veprimet e PD-së dhe të PR-së ishin në kah të kundërt me veprimtarinë e Qeverisë, megjithëse publikisht dhe konfidencialisht, Sali Berisha, Sabri Godo etj., në mënyrë demagogjike, vazhduan deri natën e fundit të vlerësonin si “historike” dhe “shumë patriotike” punën e kësaj qeverie. Tani, kur kanë kaluar 25 vjet nga krijimi i Qeverisë së Stabilitetit, shumë gjëra mund të shihen në tjetër optikë dhe mund të sugjerohen zgjidhje të tjera më të arsyeshme. Megjithatë, edhe sot, unë do ta quaja tepër pozitive dhe të suksesshme veprimtarinë e Qeverisë së Stabilitetit, sidomos në përballimin e situatave emergjente, në përgatitjen e legjislacionit, që hodhi bazat e para të ekonomisë së tregut, në sigurimin dhe respektimin e pluralizmit partiak në jetën politike, në futjen e shpejtë të vendit në strukturat më të rëndësishme politike dhe ekonomike europiane dhe ndërkombëtare. Natyrisht, do të ishte naive të krahasosh veprimtarinë e asaj qeverie të përkohshme me mandat të kufizuar, me atë të qeverive me mandat 4-vjeçar, të dhënë nga vullneti i popullit, përmes zgjedhjeve të përgjithshme. Gjithçka pozitive të arritur në atë periudhë, unë e lidh me frymën e mirëkuptimit dhe të konsensusit, që mbizotëronte te të gjithë anëtarët e Qeverisë, që buronte nga profesionalizmi i tyre dhe nga devocioni e bindja për të gjetur zgjidhje më të mira për vendin, në atë periudhë tepër të vështirë, pavarësisht nga interesat e ngushtë partiakë. Më shumë se profesionalisht të mirë, anëtarët e asaj qeverie unë do t’i quaja patriotë të mirë, megjithëse atëherë u quajtën “partiakë të këqij” apo “tradhtarë të demokracisë”. Siç theksuam edhe më sipër, fillimet e rënies së Qeverisë së Stabilitetit janë të lidhura me Kuvendin e Partisë Demokratike, kur krahu radikal i PD, i kryesuar nga S. Berisha, dominoi grupin e liberal-demokratëve, të udhëhequr nga N. Ceka dhe grupi i ministrave. Radikalët brenda partisë dhe diaspora antikomuniste, e detyruan S. Berishën të mbështeste opsionin e rrëzimit të qeverisë.
Ky opsion ishte i pëlqyeshëm për Sali Berishën, sepse në këtë mënyrë ai do të bënte të mundur ta merrte vetë në dorë drejtimin e partisë së tij. Mënjanimi i ministrave nga forumet drejtuese të partisë ishte, tashmë, një gjë e thjeshtë për të. Zhvillimet e mëvonshme në PD, por edhe të qeverisjes së saj, do të vërtetonin plotësisht se sa reale ishin prirjet e Berishës për pushtet të pakufizuar. Megjithëse ishin pjesë e qeverisë, partitë e bllokut antikomunist (PD, PR, PSD) filluan në shtator protestat me parulla antikomuniste, që, në fakt, ishin të drejtuara kundër qeverisë. Por efekti i tyre ishte i parëndësishëm në opinionin publik. Tashmë, njerëzit kërkonin një paqe sociale, prandaj dhe mbështetja e qeverisë ishte e dukshme. Natyrisht, qeveria nuk kishte arritur të stabilizonte vendin, por po krijonte shpresën, duke hedhur hapa drejt një situate më të qetë, që përjashtonte dhunën dhe konfliktet. Ato pak shpresa, njerëzit i lidhnin me punën e qeverisë.
Por kjo gjë nuk shihej me sy të mirë nga një pjesë e madhe e drejtuesve të PD. Duhet thënë se humbja e zgjedhjeve të para pluraliste, që pësoi PD-ja, e detyroi atë të mendonte se pa një destabilizim të vendit, do ta kishte përsëri të vështirë të fitonte zgjedhjet. Skenari i destabilizimit kishte filluar të zbatohej dhe ai do të vazhdonte, deri sa opozita të vinte në pushtet. Rrëzimi i qeverisë ishte mënyra më e mirë për t’i hapur rrugën destabilizimit të vendit. Me sa dukej, ky ishte dhe rekomandimi që kishte dhënë edhe qeveria amerikane, përmes ambasadës së saj në Tiranë. Më vjen mirë që edhe pas 25 vjetëve, tani, kur jam duke përfunduar shkrimin e këtij libri, ambasadori amerikan, U. Rajerson, e pohoi publikisht këtë fakt, në një intervistë të dhënë vetëm 2 muaj më parë (23.4.2016) në Zërin e Amerikës. Zëri i Amerikës: Ju mbajtët një qëndrim të caktuar në atë kohë. Çfarë mendoni sot për qëndrimet tuaja të atëhershme dhe çfarë mendoni për figurat politike që takuat atëherë, para 25 vjetësh, kur ata ishin ende të rinj. Ambasadori Uilliam Rajerson: Ndoshta, pozicionet e mia mund të mos kishin qenë aq të forta. Kur sekretari Bejker ishte në Tiranë, ne organizuam për të një takim me 10 disidentë, në një sallë në hotel “Dajti”, ku ishte një vapë e jashtëzakonshme.
Dhe jam i sigurt që ishin vendosur dhjetëra mikrofona për të përgjuar. Dhoma ime patjetër që përgjohej, për këtë isha i sigurt. Dhe sekretari Bejker, tha: “Ju duhet të bashkoheni dhe të votoni për t’i hequr komunistët nga pushteti”. Dhe unë mendova: “Ky është urdhri për atë që duhet të bëj unë. Qeveria teknike do të jetë këtu për njëfarë kohe, por është i domosdoshëm një fillim i ri”. Dhe për këtë arsye, unë vendosa që të flas dhe, siç i shkruajta më pas sekretarit Bejker, pasi u largova nga Shqipëria, unë mendova: “Ambasadorët shkojnë e vijnë. Nëse komunistët fitonin në 1992- shin, ka shumë mundësi që ata do të thoshin që Rajersoni duhet të largohet. Dhe do të kishte qenë në rregull. Ambasadorët janë të zëvendësueshëm. Por, për sa kohë të jem këtu, do ta ngre zërin”. Po. Unë po ndërhyja në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Por, kushdo që po promovonte demokracinë dhe tregun e lirë, automatikisht po ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë. Ishte qëndrimi i duhur”. Në mbyllje të këtij libri, në vend të reflektimeve të mia për Qeverinë e Stabilitetit, preferova të sjell këtu një intervistë, që i kam dhënë Televizionit Shqiptar, rreth 2 muaj pas rënies së Qeverisë. Besoj se ato që them aty janë më të ndjera, më të drejtpërdrejta, sesa ato që do të shkruaja sot, pas kalimit të 25 vjetëve.