Arben Vata
Në dy diskutimet e fundit politike dhe publike për President, (që pas zgjedhjeve të vitit 2005), emri i Fatos Nanos vjen vetiu si propozimi i menjëhershëm, si një nga kandidaturat e mundshme për këtë post të lartë shtetëror. Emri i tij është në menunë e kandidaturave për këtë post, jo vetëm për faktin se pas votimeve të 3 korrikut të atij viti Fatos Nano doli me të vërtetë në pension politik (siç pati premtuar Berisha), por edhe për atë se çdo shqiptar pothuajse e di fort mirë ëndrrën e shprehur prej kohësh nga Nano për t’u bërë President i Shqipërisë. Parë në këtë prizëm, presidenca do të konsiderohej natyrshëm si një “shpërblim” apo vend pune për një nga politikanët më të vjetër dhe më me peshë në Shqipëri, që realisht, prej afro 7 vjetësh, është në pension, jo vetëm politik. Të cilin ai, si rrallë shqiptarë, ka fatin ta gëzojë më së shumti si turist jashtë vendit. Nano, megjithatë, figuron në zyrat e gjendjes civile si qytetar i Bashkisë së Tiranës, madje ka treguar se ka votuar këtë radhë për Lulzim Bashën. Ndaj edhe nuk do të ishte problem kushtëzimi ligjor në këtë rast, që President i Shqipërisë nuk mund të jetë një shtetas që për një kohë të gjatë nuk ka jetuar brenda vendit.
Jo thjesht një “vend pune”, apo angazhim politik, tashmë më të qetë dhe çlodhur se kurrë, kërkon jo vetëm ai, por edhe politika. E cila, edhe pse Nano nuk ka qenë aktiv dhe prezent në Shqipëri, prapëseprapë me daljet e rralla publike, komentet mediatike etj., ka qenë e ndikuar në një farë mase prej veprimeve apo mosveprimeve të tij. E djathta, p.sh., ia ka “borxh” Nanos ndikimin në votimin e Bamir Topit në verën e vitit 2007 për President në Parlament. Ishin deputetët e njohur si mbështetës të hapur të Nanos që me votën e tyre pro kandidatit të PD-së, Bamir Topi, e tejkaluan krizën e pritshme dhe të rrezikshme politike në vend, pikërisht për shkak të vështirësisë së zgjedhjes së Presidentit. (Më herët ka qenë një dalje publike e Nanos me Berishën në Pallatin e Brigadave, që goditi politikën bllokuese të Ramës, që kishte vetëm pak kohë në drejtimin e PS-së). Janë këto dy raste, por edhe sulmi i Nanos ndaj Ramës përpara zgjedhjeve të vitit 2009, si dhe deklarata kërcënuese e Nanos se “do të kandidoj përballë Ramës në Bashki”, ato që i bëjnë shumë njerëz të besojnë se PD-ja dhe Berisha kanë tashmë rastin t’i kthejnë reston politike liderit historik të së majtës. Pavarësisht se Berisha e ka deklaruar disa herë se presidenca nuk është një rast me të cilin mund të bëhen pazare politike, (këtë gjë e tha sërish edhe në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit), në një situatë hipotetike bllokuese dhe për më tepër nëse ndërkombëtarët sugjerojnë palët për një President konsensual, emri i Nanos (një propozim që mund të vinte gjithsesi nga PS-ja ose e majta tjetër), nuk se do të ishte i pakapërdishëm për t’u marrë të paktën në konsideratë nga mazhoranca aktuale.
Por, ndërsa e djathta nuk e sheh më Nanon si emrin e ndaluar për President, (aq më tepër që shumica ka qenë në konflikt të hapur me kandidatët e propozuar prej saj në dy mandatet e fundit), e majta aktuale ka rastin më të mirë për “ta hequr qafe” njëherë e mirë Fatos Nanon nga PS-ja; një parti në fakt thuajse e përtërirë dhe larg frymës së drejtimit të ish-themeluesit të saj. Edhe pse realisht nuk ka asnjë simpati personale për Nanon, Edi Rama, që erdhi në krye të PS-së menjëherë pas dorëheqjes së Nanos, ka rastin më të mirë që me rastin e Presidentit të mos ketë më “nëpër këmbë” Nanon dhe mbështetësit e tij në PS. Mbështetja qoftë edhe formale e Ramës për Nanon si kandidat për President, do të ishte në favor të ambicieve të kryetarit të PS-së për të pasur përfundimisht nën kontroll një parti krejtësisht të tijën. Duke e propozuar, apo edhe mbështetur Nanon për President, pavarësisht nëse kandidatura e tij fiton apo jo, Rama është politikisht i fituar. Një vajtje e mundshme e Nanos në zyrën në krye të bulevardit “Dëshmorët e kombit” do ta largonte përfundimisht nga selia e PS-së dhe kësisoj Rama do të hiqte dyshimet e gjithkujt se posti i tij në parti mund të kërcënohej në çdo moment nga Nano dhe mbështetësit e tij. Por, edhe në rastin kur Nano nuk do të mund të kalonte traun presidencial nga votimi në Parlament, prapëseprapë, Rama do të rezultonte i fituar politikisht.
Me një veprim të tillë, ai do t’i kthente Nanos borxhin e dorëzimit të drejtimit të partisë, ndërsa edhe në elektoratin socialist do të dilte moralisht i fituar. Ithtarët e Nanos në PS nuk mund të kishin më argument për të kritikuar Ramën për braktisjen apo mospërfilljen e tij ndaj ish-kryetarit Nano. Në vijim të kësaj logjike, edhe Nano nuk do të kishte kuptim që të shigjetonte në të ardhmen politikat dhe mënyrën e drejtimit të Ramës. Sikur edhe të ndodhte ndryshe, që Nano të tregohej mosmirënjohës ndaj Ramës, me siguri që ish-kryetari i PS-së nuk do të kishte më as kohë dhe as kredibilitet që ta bënte një gjë të tillë. Nuk do të kishte kohë, pasi, nëse nuk merr shtëpi në Pallatin e Brigadave, Nano do të jetë sërish një politikan turist më pranë pensionit të pleqërisë. Por edhe nëse do ta bënte, sikurse në këto vite në dalje publike dhe mediatike, ai me siguri që do të bëhej i pabesueshëm edhe për vetë socialistët. Të cilët, nëse do të shihnin se kryetari historik sulmon kryetarin aktual vetëm e vetëm që të bëhej President, do të mendonin me të drejtë se ai i humbi qëllimisht zgjedhjet dhe se qëllimisht dorëzoi partinë, sepse donte që të bëhej realitet ëndrra e tij e vitit 2002 që të bëhej President. Por sa zgjatin ëndrrat, dhe a dalin ato edhe pas 10 vjetësh?!….