Aktualitet

Pse Rama ka ngecur te kafet e vogla?!





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:58 - 26/03/20 |
Mapo.al

Kur vjen puna te metaforat, parabolat, alegorite, Edi Rama është shumë më i pasur se buxheti i tij për shtresat në nevojë, apo për rritjen e pensioneve.


Nga më të spikaturat figura që përdor, është kur tallet me ata që kërkojnë diçka në zonat e tyre, e ky, ua hedh larg e larg, që të kenë durim, duke u thënë gjindjes që kanë fjala vjen 3 ose 4 femije, në i kanë bërë me radhë, apo me një të shtënë.



E gurgullon aty për aty një e qeshur e madhe, që arrin tonet e larta nga gajasja e shfrenuar e servilëve të partisë që ka në krah. Po nëse do marrim një krahasim të kësaj natyre, që Rama i sheh punët e shtetit si punët e shpisë, pse vallë ai ka ngecur te kafet e vogla?


Kështu quhen ato takimet e para, përpara fejesës së një çifti. Ajo hera, ku njihen familjarët. Më tej, vjen shkëmbimi i nishaneve. Dhe ja brof më vonë martesa. E tutje, krijimi i familjes dhe ardhja e camërdhokëve në jetë, një e nga një, siç ka qejf Edi Rama të thotë.

Po puna me kryeministrin, është se po të bësh një bilanc të mirëfilltë, ai ka mbetur ende te kafet e vogla. Rrallë sheh ndonjë gjë që ta ketë çuar deri te martesa, apo më tej, tek trashëgimet.

Kur kjo shfaqej në muajt e parë të 2013, dhe vitet e para, natyrshëm, kishte një sens. Po sot jemi në etapat e tij të fundit të qeverisjes së mandatit të dytë, dhe e njëjta muzikë vazhdon.

Ai flet gjithnjë për gjëra që do të behen. Për ndihma që do të vijnë. Për investime që do realizohen. Për rindërtime që do të marrin jetë. Për mbështetje ekonomike që do shfaqet. Për çudi, zor të mbash mend, një gjësend të kryer, të mbaruar, të kripur si me thënë.

Më emblematikja, sot. Një inspektim me Manastirliun e Shendetësisë dhe Ahmetajn, që sa vjen i fryhet portofoli qeveritar, në një godinë, në kuadër të masave të forta anti-koronavirus.

Nga jashtë, mjaft bukur. Kur ç’të shohësh, brenda dhoma bosh, vetëm dyer dhe dritare. Asnjë shtrat për be, pale pastaj paisjet mjekësore aq të domosdoshme. Po shpejt merret vesh, se ky është spitali, që do të jetë. Pra, premtim. Se edhe kjo puna e pandemise, pret. Po e zëmë se smund të behej për një ditë, çfarë vlere kishte ti merrte sot njerëzve 1 orë për t’u treguar një pallat bosh? Apo, për të shpallur si e do zakoni, se janë në punë. Me filozofinë, ta shtyjmë me propagandë edhe një ditë, siç po mbushim 8 vjet.

Mapo.al


Etiketa:

Pas