fbpx

Editorial

Pse raporti i ODIHR i ngjan më shumë një lajmërimi për varrim





               Publikuar në : 10:35 - 07/09/19 |
Nga Enton Palushi

Nga Enton Palushi


Pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR, edhe kryeministri Edi Rama bëri gabimin e zakonshëm duke e quajtur ODHIR në postimin e tij në Twitter. Mund të duket si një rrëshqitje frojdiane, duke ditur se si tingëllon kur thua ODHIR. Por nuk është kjo më e rëndësishmja. Kryeministri tha se raporti i ka certifikuar zgjedhjet si ‘krejt legjitime’. Se ku e lexon këtë gjë Edi Rama, kjo nuk dihet, por fakt është se kryefjala e ODIHR ishte cenimi i sigurisë juridike të zgjedhjeve, me fjalë të tjera: votimet ishin të paligjshme, duke nisur që nga mosbotimi i dekretit presidencial për 13 tetorin në Fletoren Zyrtare.



Pastaj i erdhi radha Taulant Ballës, që tha se votimet e 30 qershorit ishin demokratike. As Taulant Balla nuk thotë se ku e gjeti këtë fjali në raportin e ODIHR, ku thuhet se nuk pati mundësi zgjedhjeje dhe nuk u respektua interesi i votuesve. Ky është thelbi i demokracisë për atë që ka dy pare mend. Se çfarë deklaroi ministri i Jashtëm Gent Cakaj, është e turpshme ta komentosh nga larg, jo më ta nxjerrësh nga goja.


Mund ta marrësh me mend se kjo arrogancë për ‘30 qershorin’ e ka një tjetër bazë, ashtu siç u theksua në takimin e parë të madh të socialistëve pas këtyre votimeve, kur kryeministri Edi Rama falënderoi BE-në dhe SHBA-në. Pavarësisht se duket paradoksale që këto fjalë të dalin nga goja e një kryeministri, të cilit BE ia ka mbyllur derën e integrimit dhe në kancelaritë e huaja perëndimore nuk e presin (madje as nëpër forume ekonomike nuk po shkon dot), fakt është se legjitimitetin e zgjedhjeve ai e mbështet tek insistimi i ndërkombëtarëve për të vazhduar me votimet e 30 qershorit.

 

***

Vështirë të gjesh se cila ishte fjalia më e rëndë në raportin e ODIHR. Megjithatë pjesa që të fut më shumë në dyshime është ajo ku thuhet se procesi i vetingut ka ndikuar në pavarësinë e Kolegjit Zgjedhor. Interpretimi më i thjeshtë që mund të bëhet është se vetingu kontrollohet nga qeveria. Kjo për shkak se i gjithë raporti tregon se si shteti kontrollohet në tërësi nga një dorë në krye të ekzekutivit. Ky do ishte një lajm shumë i keq, por varianti tjetër që mund të merret në konsideratë lidhet me faktin se procesi i vetingut është nën kontrollin e ndërkombëtarëve. Në fillim të verës pati zëra në Tiranë se të huajt po skanojnë CV-të e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Sa të vërteta ishin këto zëra, nuk dihet as sot. Fakt është se, duke e ditur se sa ndikim kanë ndërkombëtarët në jetën e vendit, do mjaftonte vetëm deklarata e një zyrtari të DASH për 30 qershorin që të merreshin sinjalet e duhura. Teza amerikane ishte se çdo zhvillim duhet bërë brenda kuadrit institucional, nuk ka rëndësi sa të dobëta mund të jenë institucionet.

Kjo bëri që institucioni i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ashtu siç ishte duke rënkuar në grahma, të ‘dilte nga spitali’ për në rrugët e Shqipërisë më 30 qershor. Edi Rama e kishte një shans që ta zgjaste ‘agoninë’ e zgjedhjeve të lira, por ai bëri gabimin fatal: i ‘futi një plumb në kokë’ dhe e vrau përfundimisht institucionin e votës. Dikur Winston Churchill shprehej se “nuk i dëgjoj më njerëzit se çfarë thonë, por i shoh se çfarë bëjnë sepse sjellja nuk gënjen kurrë”. Edi Rama nuk gënjeu me sjelljen e tij. Ai vazhdoi të bënte atë që di të bëjë më mirë: të manipulojë zgjedhjet edhe kur është vetëm në garë, si ai hajduti që, kur nuk ka se çfarë vjedh, fut dorën në xhepin e tij. E bëri duke nisur që nga presionet mbi votuesit dhe administratën, tek shtypja e lirisë së medias e duke ia vënë kapakun me kandidimin sërish të personave me rekorde kriminale.

Kjo është arsyeja se përse raporti i ODIHR i ngjan më shumë një njoftimi vdekjeje. Ai nuk u thotë asgjë të re shqiptarëve, por është një lajmërim varrimi për kancelaritë ndërkombëtare. Institucioni i zgjedhjeve të lira vdiq përfundimisht në Shqipëri dhe jo për shkak se nuk ishte bërë reforma zgjedhore. “Kuadri ligjor mund të sigurojë një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike, nëse zbatohet në mënyrë të paanshme dhe me vullnet të mirëfilltë politik,” thotë ODIHR në raport.

Rreth ‘kufomës’ së votimeve duhet të mblidhen tani ndërkombëtarët, për të kuptuar se jeta politike ka shkuar në pikën më të ulët, ku zgjidhja vjen vetëm nga një ‘restart’ me zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Reforma në drejtësi nuk do i japë dot drejtim kësaj çështje, sado pranga të hedhë në qarkullim. Kjo situatë ka nevojë për një zgjidhje politike themelore me ndihmën e ndërkombëtarëve, që kanë ndikim të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Raporti i ODIHR ishte një tregues i qartë për këtë. Ai i ngjante një njoftimi për varrim, ku bashkëngjitur është edhe një ftesë e hapur për zgjedhje të reja. Të lira dhe të ndershme.


Etiketa: , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas