Aktualitet

Pse u tremb Rama nga revolta e socialistëve të Shkodrës?






               Publikuar në : 19:37 - 28/08/19 |
Nga Mapo.al

Nga Mapo.al


Edi Rama vazhdon ta trajtojë problemin e madh dhe të thellë politik që shpërtheu në Shkodër, por me gjasë i shtrirë edhe në bashki e qytete të tjera, me masa kozmetike e sidomos propagandistike. Ajo që zbuloi Valdrin Pjetri, është më shumë se sa thjesht e zakonshmja tashmë, që Ramës i ngjiten njerëzit me probleme e me precedentë në të shkuarën.  Në fakt, krahasuar me ata të hurit e të litarit që shefi i rilindjes ka ngjiz aleancën që në 2013 e që i kishte me shumicë në grupin e tij parlamentar të legjislaturës së parë, Valdrini është ku e ku, më lart në çdo drejtim.



Problemi më i madh dhe i thellë, është ai politik. Mënyra se si Rama e ushtron pushtetin dhe e drejton partinë. Rasti Pjetri nxori në pah brutalisht se si ai katapulton njerëzit në bazë të interesave që e rrethojnë, pa marrë në konsideratë socialistët, anëtarët e partisë, ata të thjeshtët, në emër të të cilëve ai bën be tërë ditën.

Rasti Pjetri, nxori fare zbuluar faktin se në PS nuk ka asnjë lloj gare, dhe asnjë lloj rregulli apo mekanizmi të pranueshëm për të bërë karrierë. Dhe nuk ka meritë, nuk ka ecje përpara në bazë të punës e mundit, por thjesht funksionon lidhja dhe njohja e duhur.

Ka në Shkodër mjaft socialistë të ndershëm, profesionistë e me integritet, që e kanë vuajtur dominimin demokrat në gjithë këto vite demokraci, e megjithatë ata e kanë mbajtur ndezur shpirtin e të majtës tradicionale dhe kanë mbajtur hapur dyert e PS-së në këtë qytet të vështirë për ta.

Dhe këta qëndrestarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, shohin se si papritur, Edi Rama u dërgon në krye, si kryetar bashkie dhe si udhëheqës politik për gjithë Qarkun, një riosh pa asnjë kontribut atje.

Kjo është kriza e madhe e socialistëve me Shkodrën, që po mundohej të amortizohej, diku me elegancë, diku me forcë, duke mos lejuar pakënaqësitë që të dilnin në shesh. Pakënaqësi, që ua hapi rrugën, një histori e shkuar e Valdrinit, kur ishte student në Firence në vitin 2003.

Socialistët shkodranë pas kësaj nuk duruan më, dhe shpërthyen. Revolta e tyre prishi qetësinë e Ramës, pasi ishte e atyre përmasave dhe sidomos e drejtë dhe legjitime, sa nuk mund të kontrollohej më nga të fortët, biznesmenët dhe deputetët që mban ai afër në Tiranë.

Dhe frika e tij më e madhe, se kjo lëvizje mund të kishte efekt domino, pasi e sigurtë është se në shumë qytete të tjera, ka ndodhur i njëjti fenomen, me katapultime personash që marrin gjithë pushtetin, e që në fund dalin mollë të kalbura.

Dhe për të kaluar këtë krizë, që në publik e nxori ende të lidhur me njerëz të inkriminuar e i dha një kartë të fortë në dorë lëvizjes së opozitës dhe kauzës së saj se me Ramën nuk mund të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme, dhe për të devijuar kryengritjen e socialistëve shkodranë, kryeministri nuk bën asgjë që nuk e ka bërë deri tani.

Ndërmerr disa masa të forta kozmetiko-propagandistike, dhe zbulon armiqtë e rinj. Masat janë një revansh i pahasur më parë i grave, duke ua dhënë atyre gjithë zyrat rajonale të qeverisjes, çka si kozmetikë dhe propagandë do të ketë efekt. Armiqtë e rinj, janë drejtorët që do të shkarkohen, sipas vendimit që është marrë sonte në një mbledhje kryesie në Tiranë. Si çdo herë tjetër, ai vetë nuk ka asnjë faj dhe nuk mban asnjë përgjegjësi. Madje del dhe si shpëtimtar.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas