Aktualitet

Pse videoja e Romeo Veshajt për gazetarin është një kërcënim, e jo një kamera e fshehtë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:58 - 30/01/20 |
mapo.al

Aktori i humorit, Romeo Veshaj ka bërë xhiron e rrjetit ditën e sotme teksa është filmuar duke kërcënuar dhe dhunuar gazetarin e emisionit “Thumbon”, Ronaldo Sharka. Rënë pre e një kamere të fshehtë, veshur me një xhup të zi dhe me një kapele të zezë, Romeo shihet i ulur në një bar-kafe, përballë gazetarit, të cilit nuk ngurron t’i bëjë presion.


Tërësisht indiferent nga tavolinat e tjera, që janë të mbushura me klientë, Romeo ngre zërin teksa i kërkon llogari gazetarit për disa foto, duke e kapur madje edhe nga veshi. Askush nuk ndërhyn, as nga klientët e as nga stafi i lokalit! E gjithë kjo skenë dhune realizohet në ambientet e një lokali, në kuadër të një kamere të fshehtë të organizuar nga emisoni “Thumbon”, gjë për të cilën aktori i humorit supozohet se nuk është në dijeni.


Pikërisht tek kjo e fundit do të ndalemi….


Pavarësisht se nuk kuptohet mirë zanafilla e debatit dhe se për çfarë fotosh bëhet fjalë, aktori Romeo Veshaj (pa e ditur se po i bëhet një kamera e fshehtë) merr guximin që një bar kafe të kërcënojë hapur një person, qoftë ky një gazetar, qytetar, mjek, murator apo çfarëdo. Ai nuk ngurron ta ofendojë atë me një fjalor rruge, apo të marrë gotën dhe ta përplasë në tokë.


Madje, madje, Romeo Veshaj merr dikë në telefon dhe i kërkon që të vijë pranë lokalit sepse do ta sqaronin ‘atë legenin’ (gazetarin) dhe do t’i bënin një xhiro, me makinë. Sërish, duke theksuar faktin që aktori nuk e di se ndodhet përpara një loje të organizuar nga emisioni, na vijnë ndërmend disa pyetje: Ku do ta çonte Romeo gazetarin? Si do ta sqaronte Romeo Ronaldon në makinë? A ka kërcënuar më herët njerëz në këto lloj mënyrash Romeo?

Supozojmë dhe marrim me mend, çfarë mund t’i ndodhte atij gazetari në një makinë me Romeon dhe me një tjetër person, që erdhi posaçërisht për ‘sqarimin’, nëse kjo nuk do të ishte një kamera e fshehtë, por le të themi… një artikull që nuk do t’i vinte për shtat, ose do të cënonte realisht imazhin e Romeos?

Do ta sqaronte në makinë? E ç’lloj sqarimi është ky?

Fakti që një personazh publik, që ndiqet nga 76 mijë e 400 njerëz në Instagram, del në televizion çdo javë pasi moderon një emision bashkë me të vëllanë binjak, Donald Veshajn dhe Bora Zemanin, merr përsipër të ‘sqarojë’ një gazetar, pa pasur frikën se mund t’i hyjë gjemb në këmbë, tregon shumë.

Mesazhi që japin ato pamje është se të drejtën tënde, nëse Romeo në këtë rast kishte të drejtë përballë gazetarit, mund ta kërkosh duke i thyer dhëmbët personit që ke përballë dhe duke e sqaruar në makinë, e jo duke ndjekur burokracitë që duhen, të cilat ndodhta mund të jenë më të ngadalta se grushtet por me më shumë efekt.

Por mbase fakti që është VIP i ka mjaftuar Romeos të ulet në tavolinë dhe të mos ‘ia ndjejë’ për askënd, siç edhe vetë e shprehu…

Vetëm Romeo mund të na përgjigjet se përse nuk ndoqi rrugën ligjore, nëse Ronaldo Sharka kishte filmuar apo fotografuar momente të cilat cënonin privatësinë e aktorit?

Përse nuk e denoncoi Sharkën dhe t’i kërkonte atij llogari në mënyrë legjitime, e jo duke e kërcënuar publikisht?

Kujt i shërben një kamerë e tillë e fshehtë, ku në ekran na përcillet dhunë, diskriminim për më të dobëtit, dhe skenarë të tillë filmash aksion?

Ky është mesazhi që duhet të përcjellin kamerat e fshehta?!

Shpresojmë që një sy për videon ta ketë edhe policia, se helbete, ku i dihet, pas Ronaldos, mund ta kemi edhe ne të tjerët radhën për një “xhiro” me makinë.

LEXO EDHE: 

‘I q*** ropt, t’i theva dhëmbët’/ Romeo Veshaj kërcënon gazetarin, tenton ta marri në makinë (Video)

/dosja/


Etiketa: , ,

Pas