fbpx

Aktualitet

Pse vlen sot alternativa që solli në pushtet Berishën






               Publikuar në : 13:38 - 09/10/19 |
mapo.al

Nga Indrit Hoxha


Edi Rama nënshkroi “frontin” e madh me qytetarët. Bashkëqeverisje! Përveç gjithë formës e përmbajtjes bolshevike e populiste të kësaj ndërmarrjeje, kjo lëvizje djallëzore politike ka edhe një rrezik tjetër të madh: goditjen përfundimtare të opozitës. “Populli në këmbë – partia në ballë”, motoja e rilindur e Enverit s’është as më pak e as më shumë veç diktatura e proletariatit kundër armiqve të klasës.



Tashmë beteja me këtë kryeministër nuk është më për pushtetin por për demokracinë dhe pluralizmin. Pa ardhur puna ende tek përmbysja me revolta popullore, le t’i hedhim një sy skenës politike.

Ka një tjetër alternativë opozitare në treg. Alternativa që solli në pushtet Sali Berishën dhe Partinë Demokratike në vitin 2005: ZDHUKJA E BANDAVE!

Shqipëria kontrollohet nga 4 klane mafioze – deklaroi ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës disa kohë me perpara. Nëpër debate televizive e lajme, si pa të keq, për vrasjet e përditshme thuhet “për pazare droge”, “për larje hesapesh”, “për rivalitet bandash”….. Në 6 vjet edhe ata rilindën! Sot nëpër institucione (pa folur fare për bashkitë), vendet e punës i caktojnë KËTA! Ushtarë e rreth i bandave.

Pas 14 vjetësh jemi në pikën zero sërish. Mafia nuk largohet me votë. Krimi nuk luftohet me retorikë. Ajo pak politikë që ka mbetur për të bërë sot, është e njejta me atë që solli pra në pushtet 14 vjet më parë Partinë Demokratike. Zbythja e krimit të organizuar nga drejtimi dhe kontrolli i vendit. Përfaqësuesi i kësaj të keqeje është Edi Rama!

Sot në treg ka energji të jashtëzakonshme opozitare. Të djathtët e papërfaqësuar fare. Ish-të përndjekurit dhe të shpronësuarit e rinj e të vjetër, po ashtu. Ish-aleatët e PS dhe ata të PD -së , sot janë apatikë, por potencial i jashtëzakonshëm. Përveç asaj shoqërie civile që tund dynjanë për qentë e rrahur e ariun e vrarë, gëlon një kapacitet i heshtur mendimi dhe fryme, e ndezur nga kolumbizimi i vendit.

Është edhe 56% e popullsisë që ka deklaruar se do të ikë pa kthim nga vendi dhe ata qindramijë që aplikojnë çdo vit për llotarinë amerikane.

Sot atdheu është në rrezik. Gjobat për bizneset nga shteti dhe nga mafia e kanë falimentuar vendin. Pronat e marra me dhunë “për interes publik” dhe ato me shkop bejzbolli nga të fortët kanë mbytur çdo shpresë.

Beteja më e madhe dhe e vetme është kjo me krimin e organizuar dhe me përfaqësuesin politik të tij në krye të të gjitha pushteteve në vend.

 


Etiketa:

Pas