Ashtu sikundër pretenduan disa prej gjimnazistëve që iu bashkuan protestës së studentëve, drejtoresha e gjimnazit ‘Sami Frashëri’ në kryeqytet, Teuta Dobi, i ka penguar ata të marrin pjesë në marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.
“BalkanWeb” publikoi videon nga mbledhja qe drejtoresha Dobi ka zhvilluar me Senatin e Shkollës.
Herë me tone miqësore, duke u folur si ‘shoqe’ por herë në pozitat e titullares, Dobi u thotë nxënësve se do garantojë me jetën e saj që askush të mos marrë pjesë në protestë.
“Ua garantoj me jetën time, se unë nuk do lë asnjë këmbë nxënësi që të dalë atje, sa ka mësim”, dëgjohet të thotë drejtoresha Dobi në mbledhje me Senatin e Shkollës.
Pas publikimit të videos nga BalkanWeb, mësohet se nxënësit e Senatit të Shkollës janë kërcënuar, madje është kërkuar që t’u merren edhe celularët me ndihmën e policisë.
Burime bënë të ditur për BalkanWeb se drejtoresha e shkollës ka kërkuar edhe praninë e forcave të policisë, ndërsa u ka sekuestruar nxënësve të Senatit të shkollës telefonat, në përpjekje për të zbuluar se cili prej tyre ka regjistruar videon.