fbpx

Aktualitet

Publikohen emrat në faqen zyrtare, Xhaferllari anëtare e Kushtetueses





               Publikuar në : 21:45 - 19/11/19 |
mapo.al

Marsida Xhaferllari është tashmë ‘de fakto’ anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, është publikuar përbërja, mënyra si zgjidhen anëtarët dhe kriteret që duhet të përmbushin.


Po kështu janë publikuar emrat e 5 anëtarëve: Vitore Tusha, Besnik Muçi, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji si dhe një CV e shkurtër e tyre.



Njoftimi


Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës. Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj (neni 125 i Kushtetutës). Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij, përveç rasteve kur ai ka vepruar për një interes vetjak ose me keqbesim (neni 126 i Kushtetutës).

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Procesi disiplinor ndaj gjyqtarit zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin e tij (neni 128 i Kushtetutës). Qenia gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike, shtetërore, si dhe me veprimtari profesionale që ushtrohen kundrejt pagesës, me përjashtim të atyre të mësimdhënies, akademike dhe shkencore, sipas ligjit (neni 130 i Kushtetutës).
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.


Etiketa: ,

Pas