Editorial

Punishtet e Frankenshtanjit dhe kryebashkiaku





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 19:32 - 22/01/20 |
Mapo.al

Dy prej televizioneve më të rëndësishme në vend, kohët e fundit po mbajnë qendrime kritike ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, dhe në të vërtetë, pikërisht ky kurs i ri përbën që në fillesë, më shumë lajm se sa denoncimet që ato bëjnë. Ka një thyerje të madhe këtu, dhe janë disa elementë që ja vlejnë të analizohen.


Nuk ka dyshim se Erjon Veliaj është ai që është, ka kreditet e veta në publik, pushtetin që gëzon, kryesisht falë mediave dhe falë televizioneve.



Kritikat ndaj tij, denoncimet, zor se e kanë gjetur rrugën për të dalë në lajmet e ekraneve më influente në vend.


Nga ana tjetër, janë këto televizione që kanë transmetuar pa fund kronikat e përgatitura nga ai vetë, në zyrën e madhe të shtypit që ka, pashmangshëm duke sjellë tek publiku, një kryetar bashkie të ambalazhuar, duke sjellë tek sytë e njerëzve një qytet të bojatisur, plot ngjyra e qendisma. Kjo ka qënë një ndërhyrje në realitet, një deformim.

Sepse anët e errëta, problemet e krijuara, shqetësimet e mëdha të qytetit, ajri i ndotur pa fund, betoni agresiv në çdo cep, tenderimet e dyshimta, mungesa e transparencës, klientelizmi, edhe pse çështje këto të mprehta, kanë mbetur pa u pasqyruar në mediat kryesore, dhe kjo dihet pse.

Për shkak të zotësisë së kryetarit të Bashkisë për të mbajtur raportet me pronarët, të cilët në të shumtën e rasteve kanë interesa biznesi në kryeqytet.

Viri re ditët e fundit.

Sikur vetëm neutralë te jenë disa prej ekraneve më me ndikim në vend, kaq do të mjaftonte që imazhi i krijuar prej tyre, për Veliajn, të nisë të marrë një krisëm.

Përfytyroni, sikur këto televizione të kthehen edhe në kritike, hulumtuese, apo investiguese të punëve të Bashkisë. Nëse vazhdojnë kështu, do të shohim shumë shpejt se si do të zhbëhet, pikërisht krijesa e tyre.

Mediat kryesore në vend janë Frankenshtajni prej të cilëve lindi kryebashkiaku model, i pa të metë, i zoti, punëtor, i ndershëm, pa asnjë cen. Ditën që këto media, për arsye të ndryshme, nuk do ta mbështesin më krijesën e tyre, do të dalë qartë në publik, se sa shumë ishte fryrë kjo tullumbace.

Nga ana tjetër, këto ndodhi të qytetit, dëshmojnë se kryetari i Bashkisë vetë ishte investuar në një terren jo të qendrueshëm. Prioriteti i tij që në krye nuk ishte të punonte dhe puna të fliste vetë, e të kishte duk. Ai donte të mahniste njerëzit, të fitonte një staturë e një kostum më të madh se sa të menaxherit të qytetit, dhe kjo arrihej vetëm përmes propagandës, përmes mediave dhe kontrollit të tyre.

Ndryshimi i këtyre raporteve mund ta përmbysë tërë tablonë. Në vend se të kemi në krye të lajmeve çmimet që fiton kryebashkiaku nëpër botë, apo arritjet e mëdha që montohen në punishte, mund të dalin në krye, shqetësimet si, grimcat e tmerrshme dhe kancerogjene të dioksidit të karbonit që janë shumëfishuar, korsitë e vetmuara e të dështuara që po i nxijnë jetën qytetarëve, pamundësia për të lënë diku makinën se të sulen bashkiakët policë me gjobë, rrethimi me beton e hekur i çdo kendi bosh në çdo lagje, taksat dhe tarifat e rritura, dhe akoma më shumë, mënyra se si jepen tenderat, ndahet buxheti, apo shpërndahen privilegjet e tjera në pak duar.

Të paktën për interesin publik, ky do të ishte zhvillim.

Mapo.al


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas