Kur duhet vetëm një muaj nga çelja zyrtare e sezonit turistik, në plazhet e Vlorës vijojnë të mbeten evidente problematikat e viteve të kaluara, siç është edhe derdhja e ujërave të zeza në det.
Situata më shqetësuese konstatohet në dy plazhet publike. Në Plazhin e Vjetër dhe plazhin pranë Akademisë së Marinës, ku ujërat e zeza e kanë derdhjen në det, ndonëse sezoni është në prag. Deri më tani nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e kësaj situate dhe duket se edhe këtë vit nuk do të ketë ndërhyrje.
Aktualisht, nuk është vënë ende në funksion impianti i përpunimit të ujërave të zeza, që ndodhet në fazën e dytë të implementimit të tij, çka do t’i jepte një zgjidhje përfundimtare derdhjes së ujërave të zeza në det. Në fakt, më shqetësuese situata mbetet në zonën e Plazhit të Vjetër, në të cilën derdhja e ujërave të zeza, prej vitesh, ka krijuar një problem të madh për pushuesit.
Vitin e shkuar, Plazhi i Vjetër dhe ai pranë Akademisë së Marinës janë cilësuar si dy nga plazhet më të ndotura në bregdetin e Vlorës. Bëhet fjalë për dy plazhe publike, ku edhe interesimi i qytetarëve mbetet mjaft i madh, pavarësisht mungesës së pastërtisë së ujit dhe ndotjes nga ujërat e zeza. Me përfundimin e projektit të Lungomares u mendua se ky problem do të zgjidhej, minimalisht në zonën e plazhit të Akademisë së Marinës.
Megjithatë, edhe për këtë verë problemi duket se do të jetë prezent dhe dy janë zonat më shqetësuese, ajo e Plazhit të Vjetër dhe plazhi pranë Akademisë së Marinës.