Dikur

Pushkatimi i 22 intelektualëve,Basha: Kur vendimet i merr partia…






               Publikuar në : 09:02 - 27/02/19 |
mapo.al

Kreu i Partisë Demokratike nëpërmjet një statusi në Facebook ka kujtuar pushkatimin e 22 intelektualëve shqiptarë, pa gjyq me anë të një vendimi të Byrosë Politike. E ndodhur 68 vjet më parë, Basha shkruan se ky akt makabër ndaj 22 martirëve ndodhi në kushte e tilla kur Shqipëria ishte në terrorin e diktaturës. Më tej, Basha thotë se nuk po bëhet shumë për institucionet e kujtesës.


”22 intelektualët u pushkatuan me vendimin e një partie e cila e kishte kultin e krimit në filozofinë e vet. Sot ne ballafaqohemi me mungesën e vetëdijes dhe të kujtesës”, shkruan Basha. Lideri demokrat vë theksin tek kjo ngjarje, për të na kujtuar, siç thotë ai se këto janë efektet që prodhohen kur vendimet i merr partia, kur parlamentin e pushton partia, kur partia vendos të të gradojë pse je hajdut apo kur partia vendos të të dënojë pse je kundërshtar politik.



REAGIMI I PLOTË

68 vjet më parë dje, në një akt të pastër terrori, me një vendim të Byrosë Politike të Partisë Komuniste, 22 intelektualë shqiptarë u pushkatuan, pa gjyq. Diktatori komunist e paraqiti terrorin e partisë si një akt të besnikërisë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vetëm më pas, plotësoi edhe letrat formale të gjyqit. Në mes të të vrarëve, pinjollë të familjeve të njohura të kryeqytetit e të të gjithë Shqipërisë ishte edhe një zonjë, njëra nga shkencëtaret e para të vendit, Sabiha Kasimati. Përzgjedhja e diktaturës ishte një përzgjedhje që terrori të ishte efektiv dhe për këtë përzgjedhje, vendimet mund t’i merrte vetëm partia-shtet.

Për zbardhjen e këtij akti makabër është bërë mjaft gjatë këtyre 30 viteve, që prej vitit 1993, kur dëshmitarë dhe banorë të zonës rrëfyen se ku ishte varri masiv i 22 martirëve. Por nuk mund të themi se po bëhet shumë për institucionet e kujtesës. Ruajtja e kujtimit i shërben shmangies së çfarëdolloj përpjekjeje për rehabilitimin e diktaturës apo, më keq akoma, për rikthimin në krye të institucioneve publike të nomenklaturës komuniste të brezit të parë apo të dytë.

22 intelektualët u pushkatuan me vendimin e një partie e cila e kishte kultin e krimit në filozofinë e vet. Sot ne ballafaqohemi me mungesën e vetëdijes dhe të kujtesës.

Shohim se si përditë riqarkullohen emra xhelatësh në institucionet e drejtësisë e në institucionet e shtetit. Përvjetori i 68-të i martirizimit të 22 intelektualëve, në emrin e terrorit komunist, duhet të na shërbejë si një kambanë alarmi se ç’efekte prodhohen kur vendimet i merr partia, kur parlamentin e pushton partia, kur partia vendos të të gradojë pse je hajdut apo kur partia vendos të të dënojë pse je kundërshtar politik.

/Mapo.al/


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas