Editorial

Pyetja më e rëndësishme: Si do e zgjidhë opozita problemin e frikës?






               Publikuar në : 08:31 - 07/05/19 |
Nga Enton Palushi

Nga Enton Palushi


Opozita prezantoi para disa ditësh një projekt për qeverinë tranzitore. Shumëkush mund të jetë skeptik për mënyrën se si do të shkohet drejt një qeverie tranzitore, pa përmendur më pas faktin se si do ia dalë kjo qeveri të sigurojë për shqiptarët të parin proces zgjedhor plotësisht të lirë dhe të ndershëm.



Gjatë kësaj kohe në Shqipëri duket se janë ngatërruar dy gjëra, ndoshta edhe me qëllim. Vendi ynë ka njohur procese zgjedhore të pranuara nga palët, që kanë prodhuar rotacion. Madje ka njohur edhe procese zgjedhore super të monitoruara nga ndërkombëtarët. Por pavarësisht kësaj, vendi akoma nuk ka njohur një proces të certifikuar, do të thotë me vulën ‘zgjedhje të lira dhe të ndershme’, çka do tregonte se Shqipëria më në fund po hedh themelin e krijimit të sistemit demokratik. Jo vetëm kaq, por mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme mund ta nxjerrë vendin nga kjo spirale krizash, të cilat në thelb ose frymëzohen ose mbahen gjallë nga fakti që zgjedhjet janë problematike.

Në këtë kuptim, çdo propozim që bëhet me qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza politike, ia vlen të shqyrtohet dhe të vlerësohet. Por mbi të gjitha, ia vlen të merremi me çdo propozim që do na sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve normale. A nuk është për të ardhur keq që fqinjët tanë në Maqedoninë Veriore, pasi kanë zgjidhur një mosmarrëveshje për emrin, i mbajnë zgjedhjet me një lehtësi të pashpjegueshme për Shqipërinë. Shihni se çfarë ndodhi të dielën kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale. Që nga votimi, mbyllja e procesit, numërimi dhe dalja e rezultateve brenda pak orësh, gjithçka tipike për një shtet të zhvilluar perëndimor. E pastaj ankohemi se përse po na parakalon edhe Maqedonia në procesin e integrimit. Ja ku i kemi arsyet përpara syve.

***

Megjithatë, propozimit për një qeveri tranzitore, por edhe gjithë nismës së opozitës për të larguar kryeministrin Edi Rama i mungon një shpjegim për problemin më të madh të kësaj krize. E kam fjalën për një emocion të fuqishëm njerëzor: frikën. Zakonisht kur propozohet ngritja e një strukture të re dhe të posaçme, si qeveria tranzitore, e cila duhet të zgjidhë një problem shumë të madh, të vjetër dhe të thellë si ai i zgjedhjeve problematike, ajo merr në konsideratë problemin e frikës ndaj ligjit. Merrni rastin e vetingut, kur një strukturë e re synon që të zgjidhë një problem të vjetër dhe të thellë si korrupsioni në drejtësi. A nuk është frika në bazë të vetingut? E di që mund të ketë shumë paragjykime për këtë proces, por a nuk ishte vetë ish-drejtuesi i gjykatës më të lartë në vend, që tha se frika ndaj vetingut ishte njësoj si frika ndaj vdekjes. Në këtë kontekst, çfarë frike ndaj ligjit na garanton një qeveri tranzitore? Sepse thelbi i krizës në vend është se kryeministri po dështon të tregojë sensin e detyrës, çka do e detyronte të krijonte kushtet për zgjedhje të lira. Jo vetëm kaq, por nuk po shfaq ndjenjë frike ndaj ligjit, Zotit apo shoqërisë quajeni si të doni. Të paktën këtë pretendon opozita, e cila u fut në një qeveri me të dhe e pa që nuk e ndali dot manipulimin e procesit.

***

Ne e kemi frikë ligjin, por a nuk duhet të jetë e njëjta gjë edhe me zyrtarët më të lartë, në këtë rast me kryeministrin? E këtu nuk po shpenzojmë kohë të citojmë mendimtarë të mëdhenj që e kanë trajtuar këtë problem, por duhet thënë se edhe e gjithë vala e protestave të opozitës në thelbin e saj synon që të ‘kallë’ frikën te kryeministri dhe të gjithë njerëzit që e rrethojnë dhe që e kanë ndihmuar të krijojë kulturën e pandëshkueshmërisë në nivele të larta, çka përkthehet në mungesë të frikës ndaj ligjit. A po jep rezultat fushata e frikësimit e opozitës te kundërshtarët? Zor të thuhet se po. Kurse vetë opozitarët e konfirmuan edhe në tryezën e tyre për qeverinë tranzitore se e kanë frikë kundërshtarin, druhen se ai do përdorë policinë, listat, dokumentet e identifikimit, të fortët, paratë e krimit e të gjitha opsionet e mundshme për të devijuar vullnetin e shqiptarëve. Kështu që për sa kohë nuk e kemi zgjidhur problemin e përgjegjësisë ndaj ligjit dhe detyrës, apo të frikës për ta thënë më direkt, vështirë që mund të kalojmë në fazën e propozimeve që do çojnë në zgjidhje të krizës dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Shkrimtari Kim Mehmeti tha para disa ditësh se kryeministri Edi Rama nuk e ka frikë opozitën, por të vërtetën për veten e tij. Kjo e fundit duket se po del në shesh. Asaj të parës nuk i kanë gjetur akoma ‘ilaçin’.


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas