Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja në Bularat të Gjirokastrës, ku një 35-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia, pasi hapi zjarr ndaj kësaj të fundit.
Sipas burimeve, autori i dyshuar për ngjarjen Kostandinos Kaçifa është i divorcuar, ndërsa dyshohet se vuante nga depresioni.
Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.
Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij, ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri i riu ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.
Historiani Arben Llalla ka bërë publike fotot e greku që ka qëlluar policinë.
‘Konstandin Kacifas, njeriu i trupave speciale të ushtrisë greke qëlloj mbi policinë e Gjinokastrës. Fotot ekskluzive nga grupi i ushtarëve grekë që mbështetën Kacifas që të largohet në drejtim të Greqisë’,- shkruan Llalla në Facebook.
Para se të largohej për në mal, duke i shpëtuar kështu policisë, 35-vjeçari ka marrë me vete tre karikatorë, ndërsa është veshur me rroba si uniformë ushtrie.
Aktualisht fshati është ‘blinduar’ nga Forcat Shqiponja, FNSH si dhe RENEA, ndërkohë që po bëhet krehja e zonës në fjalë, për të bërë të mundur kapjen e Kaçifës.
Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër kanë shkuar forcat speciale Renea. Burimet thanë se Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat. Sakaq, vijon puna për kapjen e tij.