Kryeministri dhe kryetari i Opozitës mbajtën dje në darkë mesazhet pas mbarimit të numërimit të votave. Rama e cilësoi një fitore historike dhe tha se zgjedhjet ishin të rregullta e i kërkoi PD-së të pranojë rezultatin. Basha tha se votimet ishin një masakër e regjimit në fuqi, dhe se ai do të bëjë betejë për të kthyer demokracinë dhe zgjedhjet e lira.
Kryeministri Edi Rama nga sheshi “Skënderbej” shpalli fitoren e zgjedhjeve parlamentare të së dielës. I ardhur pas një procesi me shumë pikëpyetje, parregullsi të evidentuara para dhe gjatë fushatës që pritet të shoqërohet me akuza të shumta për shitblerje votash, apo përdorim dhe shantazh të administratës, ai u mundua të shfaqë një anë tjetër të tij, jo atë që ka shfaqur në tetë vite qeverisje.
Rama tha se ai kërkon që të jetë kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Mandati i tretë tha Rama nuk duhet t’iu ngjajë dy mandateve të mëparshme. Rama, ftoi Bashën të pranojë rezultatin.
“I shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim apo kufizim, PD-së. Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i socialistëve, por edhe i demokratëve, jo vetëm i atyre që votuan, por edhe atyre që nuk votuan. Dua që Shqipëria të ngjitet në majën që Zoti e deshi.
Unë dua që Shqipëria përtej pandemisë të bëhet vendi ku shqiptarët të ndihen krenarë jo vetëm për bukuritë e vendit, gjuhën, historinë, traditën, bujarinë, heronjtë, artistët, shkrimtarët, por edhe për këtë shtëpi të madhe ku lindin fëmijët e tyre dhe që quhet Shqipëri. Unë nuk dua që mandati i tretë t’iu ngjajë dy të tjerëve. S’kemi pse mosdakordësinë ta kemi kaq mbytëse”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë i kërkoi kryedemokratit Lulzim Basha që të pranojë humbjen e zgjedhjeve. “Pranoje humbjen! Bëre aq sa munde, jo aq sa deshe”. Rama foli edhe për fushatën e demokratëve, duke e cilësuar atë si më e mira në histori.
Basha
Por duket se Lulzim Basha kreu i opozitës, nuk është dakord me ato çka thotë Rama. Në një dalje në orët e pasdites, përpara përkrahësve në selinë e PD, Basha tha se opozita dhe ai vetë besoi te vlerat e demokracisë, dhe te fuqia e popullit, por me sa duket kjo nuk mjaftoi. Sipas tij, opozita u përball me deformimin më të madh të zgjedhjeve në histori, duke përdorur milionat e korrupsionit dhe koncesioneve, për të realizuar siç tha ai blerjen më të madhe industriale të votës në histori, dhe deformimin e vullnetit të zgjedhësve.
“Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve.
Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale. Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër.
Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij”, -tha Basha. Për këtë ai premtoi se do të fillojë një betejë, ligjore dhe ndërkombëtare në ditët në vijim. Sipas tij, vetëm për PD kanë votuar 600 mijë shqiptarë, dhe kush mendon se opozita do të dorëzohet, atëherë ai nuk e njeh mirë atë. “Mbi 600,000 shqiptarë votuan për ne, dhe sollën shpresë për Shqipërinë.
Të rinj dhe të reja, të moshuar, gra dhe burra, nga i gjithë vendi. Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj të mrekullueshme. Ne do luftojmë për ju! Do luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk iu numërua vota. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush dhe para Shqipërisë”, -tha Basha.
Beteja ligjore
Por çfarë do jetë beteja ligjore dhe sensibilizuese që do të nisë opozita. Ivi Kaso sekretar për zgjedhjet në PD, i ka dërguar një shkresë KQZ, ku i kërkon pamjet e kamerave të çdo QV dhe KZAZ në vend. Në letrën dërguar kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, Kaso shkruan se përmes numëruesve dhe vëzhguesve në terren ka grumbulluar dhe është duke grumbulluar të dhëna lidhur me parregullsi të rënda në procesin zgjedhor, veçanërisht gjatë fazës së numërimit.
Lidhur me këto pretendime PD kërkon nga KQZ t’i vihen në dispozicion pamjet filmike në çdo qendër votimi, pamje filmike të numërimit të fletëve të votimit, të dhënat e grumbulluara nga pajisjet e identifikimit, të dhënat e kryqëzuara ndërmjet pajisjeve të identifikimit elektronik dhe listave të zgjedhësve të nënshkruar mekanikisht.
Gjithashtu, mësohet se zoti Basha mund të nisë një tur ndërkombëtar, për t’iu bërë të ditur partnerëve parregullsitë që pretendohen të kenë deformuar rezultatin e 25 prillit. Duket se një betejë ligjore do të zhvillohet dhe për votat e pavlefshme, për të tentuar një ripërsëritje të rezultatit, dhe me votat e pavlefshme që numërohen të jenë diku tek 100 mijë të tilla.
Për këtë duket se do të shfrytëzohet neni 161 i Kodit Penal, që sanksionon se nëse shumatorja e pavlefshmërisë së votave ndikon në ndryshimin e rezultatit mes kandidatëve në rang qarku apo kombëtar, atëherë zgjedhjet duhet të ripërsëriten.
Diferenca mes PD-LSI dhe PS në këto zgjedhje është diku te 36 mijë vota në rang vendi, ose 2.3 % ndërsa fletë votimi të pavlefshme janë në masën e 6.7 % në rang vendi, ose gati 3 herë më e lartë. Se sa do e marrë parasysh KQZ këtë pretendim ajo mbetet për t’u parë.