“Dërgimi i azilkërkuesit në një vend të tretë, pa e vlerësuar kërkesën për azil, përbën refuzim dhe nuk lejohet as nga BE dhe as nga e drejta ndërkombëtare”,- tha një zëdhënëse e BE-së.
Marrëveshja e pak ditëve më parë mes Romës dhe Tiranës për të pranuar 20 emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika me shumë mundësi do të zhbëhet. Kjo sepse sipas Natasha Bertaud, zëdhënëses së Këshillit Europian, është në kundërshtim me ligjet e brendshme të unionit. Emigrantët që fillimisht mbërritën në brigjet e Italisë mund të vijnë në Shqipërisë vetëm nëse ata vetë dëshirojnë.
Një vend i unionit nuk mund t’i dërgojë emigrantët në një vend të tretë, pa shqyrtuar më parë kërkesën e tyre për azil. Aq më tepër, për t’i dërguar në Shqipëri, një vend që nuk është as vendi i origjinës, as destinacioni i tyre final dhe as vend tranzit në rrugën drejt BE.
Reagimi
Bashkimi Europian ka reaguar, duke thënë se ligjet e brendshme të unionit, por edhe ato ndërkombëtare, nuk e lejojnë aplikimin e një marrëveshjeje të tillë. E vetmja mënyrë që 20 emigrantët të dërgohen nga Italia në Tiranë, është që ata vetë të shfaqin vullnetin e tyre të lirë për të shkuar në Shqipëri. Në të kundërt, një vend i unionit nuk mund t’i dërgojë emigrantët në një vend të tretë, pa shqyrtuar më parë kërkesën e tyre për azil.
Aq më tepër, për t’i dërguar në Shqipëri, një vend që nuk është as vendi i origjinës, as destinacioni i tyre final dhe as vend tranzit në rrugën e tyre drejt BE-së.
“Për të dërguar emigrantët në Shqipëri, siç parashihet me marrëveshjen e arritur midis qeverisë së Romës dhe asaj të Tiranës, në rastin e personave të mbetur në anijen “Diciotti”, Italia duhet të marrë pëlqimin e vetë personave më përpara”, tha zëdhënësja e BE-së, Natasha Bertaud. “Dërgimi i azilkërkuesit në një vend të tretë, pa e vlerësuar kërkesën për azil, përbën refuzim dhe nuk lejohet as nga BE dhe as nga e drejta ndërkombëtare”,- theksoi Bertaud.
Vendimi
Qeveria shqiptare vendosi më 25 gusht, të marrë 20 refugjatë nga Lindja e Mesme, të cilët qëndronin të bllokuar në anijen Diciotti, për më shumë se 5 ditë. Vendimi i qeverisë shqiptare u përshëndet nga qeveria italiane dhe hapi një valë debati lidhur me pranimin ose jo të refugjatëve.
Italia po përballet prej disa muajsh me krizën e refugjatëve, ndërkohë që prokuroria italiane po heton për ministrin e Brendshëm, Matteo Salvini, pas bllokimit të 150 refugjatëve të anijes Diciotti. E ndërkohë që BE është kundër marrjes së emigrantëve qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Brendshme është duke organizuar të gjithë planin e pritjes së tyre.
Itali, emigrantët në qendrat e pritjes
Në Itali, autobusët me rreth 100 refugjatë dhe emigrantë të zbarkuar të dielën nga anija e rojës bregdetare “Diciotti” pas një bllokimi prej dhjetë ditësh, arritën në qendrën e pritjes të Kishës Katolike në Rocca di Papa. Në qendrën pritëse kishin dalë si mbështetës të emigrantëve ashtu edhe protestues nga ekstremi i djathtë.
Peshkopët katolikë, Shqipëria dhe Irlanda kanë rënë dakord të marrin të 140 emigrantët e bllokuar në anijen Diciotti, shumica e të cilëve janë nga Eritrea.
Pesëdhjetë të tjerë nga të 190 personat e shpëtuar në det më 16 gusht nga roja bregdetare italiane u lejuan më parë të dalin nga anija, duke përfshirë të gjithë të miturit dhe të rriturit me probleme shëndetësore./Mapo.al/