TIRANË Në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2012 kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar këtë vit si jubile me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Berisha u shfaq optimist për ekonominë e ardhshme të vendit, ndërsa përcolli edhe mesazhe politike. Kryeministri i vendit deklaroi se Presidenti i Republikës do të zgjidhet në bazë të Kushtetutës së vendit, duke i dhënë përgjigje si Presidentit aktual Bamir Topi, i cili kërkoi zgjedhjen e tij nga populli, ashtu edhe liderit të opozitës, Edi Rama, i cili këmbëngul për një zgjedhje konsensuale. “Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ju garantoj se do të zgjidhet kryekëput dhe tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, por çdo përpjekje për t’i imponuar Shqipërisë, për t’i kushtëzuar asaj dëshira suplementare në raport me Kushtetutën, do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerat. Uroj që të bëjmë përpjekje të mëdha për t’i dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, në lartësinë e Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit, me integritet të plotë”, – tha dje Berisha në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri foli edhe për një tjetër etapë të rëndësishme, që lidhet me reformën zgjedhore: “Në radhë të parë unë dua të garantoj opozitën se jemi të vendosur t’i qëndrojmë marrëveshjes që arritëm pikë për pikë, sikundër theksoj dhe dua të theksoj se askush dhe për asgjë nuk do të mund të marrë peng ecurinë e këtij vendi. Politika e pengut zgjati, por dështoi. Një vend i lirë nuk mund të merret peng kurrë. Një vend i lirë me besim te liria, me besim te ligji dhe Kushtetuta e tij demokratike nuk mund të merret peng nga askush. Ndaj dhe ne qëndrojmë të vendosur dhe të hapur për një bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë, në interesin më të mirë të vendit, sikundër qëndrojmë të vendosur për zbatimin me rigorozitet të ligjeve dhe të Kushtetutës së këtij vendi. Uroj dhe dëshiroj që ato ligje që presin të votohen, me tre të pestat, siç është marrëveshja, uroj dhe dëshiroj dhe jam i vendosur të bëj çdo gjë për reformë elektorale të suksesshme”, – tha ai. Berisha foli dje edhe për rritje ekonomike, duke shtuar: ”Ky vit është një vit në të cilin kriza ka marrë përmasa të mëdha në zonën e euros, çka tregon se nga ne kërkohet një vendosmëri shumë e madhe për të zgjeruar çdo ditë e më shumë frymëmarrjen dhe lirinë ekonomike. Ne nuk kemi alternativë tjetër për të mbajtur rritjen ekonomike, për të vazhduar me ambicie programet tona, projektet tona, përveçse performancës ekonomike”. Duke folur për përgatitjet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, kryeministri Berisha theksoi se ky duhet të jetë një fillim i ri për shqiptarët edhe përsa i përket të vërtetave historike, duke paralajmëruar rishikim të saj. “Uroj dhe shpresoj që ky vit të frymëzojë çdo shqiptar për një fillim të ri në qëndrimet e tij ndaj të shkuarës, ndaj të sotmes, ndaj vendit. E them këtë, sepse asnjë komb nuk e ka historinë e tij pa dritëhije. Edhe ne shqiptarët nuk e kemi të tillë. Kjo është historia, por merita është që të vërtetat të thuhen dhe që ato të thuhen në një mënyrë të qytetëruar. Merita është që të dalin jashtë të gjitha skemave të demonizimeve dhe të pasqyrojnë realitetet ashtu siç ka qenë. Natyrisht kur them demonizimet, jo më pak të pavlefshme janë hyjnizimet. Kështu që stadi i zhvillimit të kombit shqiptar, shndërrimi i tij në komb urban, 100-vjetori i Shqipërisë, e bëjnë te domosdoshme të pasqyrohen të gjitha këto, me një qëndrim të ri të shqiptarëve ndaj vetes së tyre dhe kur them ndaj vetes së tyre e them me bindjen më të madhe, sepse shqiptarët kanë nevojë për një rivlerësim të vetes së tyre, sepse kanë bërë shumë…”, tha ai.
N.P