Aktualitet

Qershia, vajtuesja e heshtur e varreve pa emër







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:36 - 01/10/20 |
mapo.al

Eskavatorët  kanë hedhur sot kovën e parë në një copë tokë që fsheh brenda errësirës dhjetra a ndoshta qindra trupa njerëzorë.


Janë të zhdukurit e diktaturës komuniste që nuk iu dha mundësia të kishin një varr, veçse rrip toke me dhe të kuq poshtë një qershie. Kjo pemë që lajmëron stinën e jetës, mbirë në oborrin e burgut famëkeq të Burrelit, u kthye kësisoj në një shenjësim vdekjeje. Paradoksalisht edhe në një simbol shprese për gratë, nënat e bijtë që kishin humbur të dashurit në këtë burg të hekurt.


Ajo qershi që çeli lulet e pranverës mbi eshtrat e njerëzve të pafaj nuk ekziston më, por sot eskavatorët shenjuan gropën e parë pranë një peme të gjelbërt. Varri tek “qershia”, siç e quanin të burgosurit, është vetëm një prej të paktën 35 varreve masive që u përdorën nga diktatura për të varrosur të pushkatuarit ose ata që vdiqën burgjeve gjatë 45 viteve diktaturë. Për kundërshtarët politikë nuk rezervohej një varrim dhe lotët e atyre që i deshën në këtë jetë, derdheshin veçmas, fshehurazi, për t’u zhdukur edhe në atë jetë.



Burgu u ndërtua nga mbreti Zog si institucion i sigurisë së lartë për të burgosurit ordinerë, por ai u  përdor që në vitet e para nga komunistët për dënimin e kundërshtarëve politikë. Dëshmitë e të mbijetuarve nga ky burg tregojnë për një  gropë të madhe të hapur pas burgut, e cila shërbeu si varr masiv, kryesisht në vitet e para, kur sëmundjet  dhe uria bënin kërdinë mes qindra të burgosurve. Ata kujtojnë se rreth kësaj grope nuk kishte asnjë lloj bimësie, përveç një peme qershie që qëndronte pranë vdekjes si një vajtuese e heshtur.  Historia e kësaj peme që u gjend rastësisht në atë vend të ashpër me baltë të kuqe u bë vite më parë edhe frymëzim për një regjisor nga Gjermania, i cili realizoi filmin “Qershia”.


Foto nga momenti i gërmimit

“Ku varroseshin gjithë ato kufoma?”Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj. Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mes vetes xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”- kujton Engjëll Kokoshi, ish i burgosur politik në këtë burg gjatë një bisedë me Aldo Renato Terrusin pas viteve ’90.


Terrusi, kishte ikur 5 vjeç nga Shqipëria ku kishte lënë babain në këtë burg dhe u rikthye në vendin ku ai prehet padrejtësisht pa një gur varri.  Është pikërsisht këmbëngulja e Aldos që arriti të çonte në pas shumë vitesh në hapjen e gërmimeve tek “Qershia” me shpresën për të gjetur eshtrat e të atit e bashkë me të dhe dhjetra apo qindra të pafajshmëve të tjerë që të vetmin mbishkrim që patën pas vdekjes ishin gjethet e thara të një peme qershie.

Burgu i Burrelit funksionoi si burg politik i regjimit komunist nga viti 1946 deri në prill të vitit 1991. Burgu i Burrelit u ndërtua mes viteve 1938-1939. Për herë të parë ai do të përdorej nga administrata e luftës. Nga korriku i vitit 1944 deri në vitin 1946 u përdor si depo grumbullimi për nevojat e pushtetit të ri komunist. Në vitin 1946, pas disa meremetimeve të brendshme, dhe rrethimit të tij me tela me gjemba, burgu i Burrelit u rihap për të burgosurit politikë, që regjimi i konsideronte si kundërshtarët më të rrezikshëm të tij. Aty u burgos elita e vendit. Kushtet ishin tmerrësisht të vështira. Sipas dëshmisë së ish të dënuarit Petrit Velaj, ai kishte mbërritur në këtë burg me 14 shtator 1946 së bashku me të dënuar të tjerë sjellë nga burgu i Vlorës.  Në një qeli rrinin rreth 16 burra. Sipas llogaritjeve aproksimative, në Burgun e Burrelit që nga 1946-a deri në 1990-n kanë vdekur rreth 400 të burgosur.

Në burgun e Burrelit vdiq ish-kryeministri Koço Kotta, ish-ministri Xhevat Korça, dramaturgu Et’hem  Haxhiademi, gjeneralët Abaz Fejzo dhe Vaskë Gjini, shtetasi italian, Giuseppe Terrusi dhe qindra të tjerë, eshtrat e të cilëve ende nuk kanë dalë nga rrethimi i burgut.

Këtu kanë vuajtur dhe klerikë të lartë si Visarion Xhuvani dhe Hafiz Ali Kraja; përkthyes të klasikëve si Mark Ndoja dhe Gjon Shllaku dhe dhjetëra intelektualë dhe artistë si Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela e Sherif Merdani.


Etiketa: ,

Pas