Qershori është një muaj i veçantë për rilindjen. Ky projekt erdhi në jetë pikërisht në qershorin e 7 viteve më parë. Rilindja e ka si muaj pelegrinazhi, sepse mbroth u shkoi. Prej atij moti e deri më sot, janë mirë e bukur, të kamur e të rrethuar me privilegje.
Rilindje do të jetë, vikatën ata nëpër sheshe në fushatën e vitit 2013. Rilindje, do të jetë. Kështu thanë edhe për shëndetësinë.
Po çfarë është qershori i 2013 për Tritan Kalon, mjekun më të dashur dhe më autoritar sot në Shqipëri, për shkak të pasionit dhe kurajos që ka treguar në periudhën e vështirë të pandemisë.
5 ditë më parë, ai shkroi me një lloj trishtimi, se prej 23 qershorit të vitit 2013, paga e tij dhe e kolegëve, nuk ishte rritur asnjë qindarkë.
Mori shkas ai nga vendimi i qeverisë franceze që bëri një revolucion në trajtimin financiar të bluzave të bardha, duke u shtuar secilit mbi 180 euro në muaj.
Deklarata e Tritan Kalos mori vemendjen që marrin statuset në portale dhe rrjete sociale. Pra një vemendje disa orëshe.
Edhe pse ajo në fakt është një piskamë që duhet të na bëjë të gjithëve të mendojmë e reflektojmë.
Nuk ka një të vërtetë tjetër për shëndetësinë e Edi Ramës, Beqës e Manastirliut, se sa ajo deklaratë. I keni parë vallëzimet dhe piruetat e tyre propagandastike që duan të na ngulin në rradake se paskan bërë transformime historike në punët e shendetit, dhe nganjëherë marrin me radhë edhe pamjen e atij të përndjekurit, që nuk po ua njeh njeri mundin, punën voluminoze dhe netët pa gjumë.
E ku qenkan këto rezultate spektakolare, kur Tritan Kalo dhe qindra mjekë e infermierë të vendit, prej vitit 2013, saktësisht prej ditës kur rilindasit zhurmëmëdhenj erdhën në pushtet, nuk kanë asnjë lek më shumë në pagën e tyre.
Le ti bjerë dyzenit sa të dojë qeveria. Pas këtij zbulimi të mjekut të njohur, ajo është fare lakuriq. Të gjithë ato miliona euro që jepen çdo muaj për këtë sektor, shkojnë tek disa biznesmenë që po bëjnë pasuri me koncesione.
Edi Rama ka zgjedhur të japë buxhetin e shtetit për ta. Ndërkohë që Tritan Kalon e ka lënë prej vitit 2013 në një qoshe, si të padenjë, pa i shtuar asnjë cent për sakrifricën e tij. Bëhet fjalë për para të merituara këtu, jo për bonuse, shpërblime, apo lëmoshë.
E kjo me gjasë ka ndodhur në shumë drejtime të tjera. Asnjë qytetar nuk ka ndarë të njëjtin fat, asnjë s’ka pasur qershorin e rilindjes. Qershor e kanë pasur vetëm qeveritarët, taulantët dhe gjithë armata ngjeshur pas tyre, që vijojnë të majmen e të shtojnë përfitimet.