Editorial

Qetësia e tmerrshme pas stuhisë






               Publikuar në : 09:15 - 13/07/19 |
Nga Ndriçim Kulla

Nga Ndriçim Kulla


“Qetësia pas stuhisë” është një nga poezitë më të bukura të Leopardit, por situata e Shqipërisë pas zgjedhjeve apo mos-zgjedhjeve të 30 Qershorit, nuk duket të jetë aspak e tillë. Ndoshta në syrin e parë, ajo duket një qetësi e gënjeshtërt, dhe e tillë është. Duket se partitë janë të lodhura tashmë nga gjithë ai shpenzim i patreguar energjish, nervash, intrigash, por edhe idesh e manovrash për të fituar mbi njëri-tjetrin. Gjithçka që kjo stuhi prodhoi ishte një gërmadhë plagësh të pashlyeshme në trupin e drobitur të mazhorancës dhe opozitës. Që të dyja flasin në emër të popullit që i mbështeti në kauzën e tyre, por shpirti ua di se sa të vështirë e kanë t’ia rrëfejnë vetes këtë të vërtetë, e aq më tepër t’ua rrëfejnë rretheve të afërta apo simpatizantëve të tyre, se vërtet kanë fituar. Opozita, duket sikur i dha pak zemër vetes dhe popullit me protestën e menjëhershme të pas zgjedhjeve, si një antipastë të tryezës që ajo ka përgatitur të shtrojë për mazhorancën në muajt e ardhshëm. Kurse, mazhoranca u mbyll si iriqi në guaskën e vet, ndoshta për të vështruar në privatësi se sa të thella e të mavijosura janë plagët që ka marrë.

Por qetësinë e gënjeshtërt, befasisht e zhvilloi para dy ditësh një emision-aktakuzë ndaj njërit prej ministrave më të përzgjedhur e më të trumbetuar me plot bujë prej saj, Fatmir Xhafaj, njeriu i Reformës në Drejtësi dhe i luftës së pamëshirshme ndaj krimit dhe bandave. Ky shpërthim i pakuptimtë dhe i painteres në këtë situatë kur të gjithë presin krejtësisht diçka tjetër, është shenjë që edhe brenda mazhorancës është rritur vetëdija e reflektimit dhe ka shpërthyer vala e përgjegjësi-kërkimit. Ndoshta, për zgjidhjen e krizës të gjitha këto janë variablat e një ekuacioni të shtruar për zgjidhje, por si përherë, shumëkush harron atë të cilit duhet t’i japim llogari për së pari të gjithë, politikë, administratë, shoqëri civile e intelektuale. Dhe ky është populli, janë qytetarët. Që të dyja palët e politikës në betejë u munduan të propagandonin se e kishin me vete, edhe pas zgjedhjeve. Mazhoranca u mbrojt pas frëngjisë së ngushtë të faktit se emigrantët nuk kanë të drejtë vote, duke harruar se herë të tjera kjo diasporë është angazhuar masivisht për të ardhur të votojë, sidomos nga shtetet fqinjë. Po njëlloj, u përpoq opozita të futet nën një ombrellë shumë të madhe për trupin e saj, sa të arrijë të mbrohet nga rrebeshi i shiut të kritikave dhe sëmbimeve të ndërgjegjes, për strategjitë e zgjedhura gabim apo për llogaritë e bëra pa hanxhin. Ndaj askush s’është i qetë, çdokush, nga të dyja palët, është në gjembat e pikëpyetjeve të veta.

Nuk e dimë se për çfarë mendojnë, më së shumti për të ruajtur pushtetin apo për ta marrë atë, më së shumti për t’i shpëtuar drejtësisë, apo për ta kapur atë. Nuk kemi të drejtë të paragjykojmë, por historia e këtyre viteve të tranzicionit na tregon se janë po të njëjtët aktorë që e luajnë lojën, e gjithmonë win-to-win (fitojnë të gjithë) e përfundojnë, në kuptimin e ruajtjes së po të njëjtit sistem politik që e kanë gatuar vetë. Asnjëherë populli, qytetarët nuk janë vënë të parët, por sistemi politik i këtyre lojtarëve. Ndaj, ngjan si e tmerrshme qetësia e popullit pas stuhisë. Po t’i analizojmë sjelljet e të dyja palëve të tij, njëra palë, ajo që mbështeti socialistët ndoshta e bëri në shumicë e shtyrë nga prirja e brendshme për qetësi, për siguri, jo për rrëmujë e përleshje. Kurse, nga ana e popullit opozitar hovi gjendej te kauza e drejtë morale, te shpresa se më në fund do të kishim zgjedhje të lira dhe të ndershme, te vetëdija se jemi në një pikë ku fundi i tranzicionit e kërkon këtë betejë, këtë qëndresë, këtë sakrificë të pashembullt.

Është e tmerrshme qetësia pas stuhisë edhe për këtë zhgënjim të tyre. Por, po njësoj të keqardhur janë edhe socialistët. Mbi shpinë të tyre do të mbartet që sot e tutje pesha e patjetërsueshme e kryerjes së zgjedhjeve pa opozitën, në ndërgjegje të tyre që sot e tutje do të ngulet përherë e më thellë kama e dyshimit se përse nuk treguan fisnikërinë e parrëfyer për ta shuplakuar partinë dhe qeverinë e vet, me dëshirën që të vetëkorrigjohet e të bëhet shumë më vizionare në shërbimin ndaj popullit. Ndoshta ende s’janë pjekur kushtet që populli ynë të ngrihej në këtë lartësi shpirti, por një gjë e përbashkët gjendet në të dyja këto qëndrime. Dëmi i madh që atij iu shkaktua në mos përzgjedhjen e njerëzve më të mirë që ai meritonte të kishte si kryeshërbëtorë të fshatrave dhe qyteteve ku ai jeton e punon, tanimë e ka bërë fortësisht të ndërgjegjshëm se ndoshta ka ardhur koha t’i japë fund këtij sistemi që është kthyer në një qerthull ku asnjëherë s’ndodh asgjë e rëndësishme në interes të tij, por vetëm të tyre. Sepse edhe mundja e gënjeshtërt e kundërshtarit apo fitimi si i Pirros, nuk e trazon rrjedhën e historisë së opozitës dhe mazhorancës sonë. Atyre u mjafton vetëm të kalërojnë në fushat e partive të tyre, jo të së ardhmes. Po atëherë dhe popullit do t’i lindë më e fortë dëshira të kalërojë kundra tyre. Po ta shihnim me sytë e një anti-politiku, jemi shumë afër realizimit të bojkotit të jashtëzakonshëm, si shuplakë të përbashkët të popullit kundër kësaj lloj politike të ndjekur nga të dyja palët. Me sytë e një ciniku, kjo mund të shikohet si një shenjë e tmerrshme mosbesimi edhe ndaj opozitës. Kurse me sytë e shpresës, do të donim të lexohej si një gjendje në prag të vendimit të madh të popullit për t’i përbuzur të gjithë lojtarët e këtij qerthulli politik dhe krijimit të një paradigme të re. Po cili mund të jetë vallë katalizatori, motori lëvizës i një shpërbërjeje të tillë, si themel mbi të cilin mund të ngrihet kjo paradigmë.

Fundi ku arritëm me zgjedhjet e 30 Qershorit le të shërbejë si frymë, trupin e ri le ta ndërtojë funksionimi i SPAK-ut dhe vënia në lëvizje e Reformës në Drejtësi. Le të hiqet qelbi i korrupsionit prej bisturisë së saj, le të përthahen e dezinfektohen organet tona administrative e politike nga krimi dhe bandat, prej efekteve të saj, për të na shfaqur paskëtaj një fytyrë të re të politikës. Këtë parathotë qetësia e tmerrshme e popullit pas stuhisë së zgjedhje mos-zgjedhjeve. E le të shpresojë, se për politikën, kjo qetësi e tij e tmerrshme është vërtetë ai zgrip që ajo s’do të donte të kish arritur kurrë. Por është vërtet kështu. Nëse politika s’e kupton, aq më keq për të, populli e paralajmëroi më fuqishëm se kurrë. Po nuk pa ndryshim thelbësor themelesh, ai do të vazhdojë rrugëtimin e vet për ta hedhur këtë lloj politike në humnerë. Nëse ndonjë palë e qesëndis me shpoti këtë paralajmërim, le t’i kujtojmë se zgripi është një fije peri larg humnerës. E se më 30 qershor ne mbërritëm posaçërisht në këtë lloj të tmerrshëm zgripi.

 


Etiketa: , , , , ,

Pas