Trendi rritës i borxhit publik total pritet të ndryshojë kah nisur nga 2013-ta, vit në të cilin parashikohet një ulje në nivelin e 59.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe në vitin 2014 mendohet që vendi të ketë një borxh publik 59 % të PBB-së. Parashikimi është bërë nga Ministria e Financave, e cila në kuadrin e programit të bashkëpunimit ekonomik të thelluar me Bashkimin Europian si vend kandidat, do të prezantojë një program ekonomik e fiskal afatmesëm pranë Komisionit Europian. Qeveria, referuar programit në fjalë, zotohet të mbajë borxhin publik poshtë nivelit 60% të PBB-së dhe ta ulë atë gradualisht. Megjithatë, statistikat e këtyre parashikimeve tregojnë që Shqipëria në 2012-ën do të ketë një borxh total publik më të lartë se vitin e kaluar. Ndërsa në 2011, niveli i borxhit publik arriti në 58.9 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në vitin 2012 parashikohet nga Ministria e Financave që ky borxh të arrijë në nivelin e 59.6% të PBB-së, duke u rritur me 0.7%. Referuar statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, borxhi total publik në vitin 2008 ka shënuar nivelin e 54.7% të PBB-së duke pasur në vitet në vazhdim një trend rritës të tij me 59.3 % të PBB-së në 2009, me 57.8% të PBB-së në 2010, me 58.9% në 2011. Pavarësisht se qeveria garanton një nivel të borxhit total publik nën 60% të PBB-së duke synuar një ulje graduale të këtij niveli borxhi, ajo nuk e konsideron si një rrezik për ekonominë e vendit, duke e krahasuar me vendet e rajonit dhe të eurozonës, këto të fundit të përfshira nga kriza financiare pikërisht për nivelin e lartë të borxheve. Ndërsa pak kohë më parë, Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Intermit Gill u shpreh se Shqipëria duhet të ulë borxhin publik në 40 për qind të Prodhimit Kombëtar, duke e konsideruar si të lartë nivelin e borxhit prej 58.9% të PBB-së në vitin 2011. Ai e argumentoi rrezikun e borxhit me koston e lartë që ky kërkon të financohet. Sipas Bill, rruga e parë do të ishte rritja e të ardhurave përmes eficiencës së mbledhjes së taksave. Por gjithashtu edhe rritja e shpenzimeve qeveritare. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar përherë ka qenë partizan i rritjes së taksave, duke rekomanduar qeverinë shqiptare të rrisë taksën e sheshtë, të paktën deri në 12 %, pasi rritja e saj në këto nivele nuk do ta hiqte Shqipërinë nga renditja e vendit me taksat më të ulëta në rajon. Por qeveria siguron se nuk do të ketë rritje taksash, përkundrazi do të vazhdojë të mbajë politikën e taksave të ulëta duke nxitur më tej uljen e tyre dhe duke rritur eficiencën në grumbullimin e taksave. Kjo do të arrihet, sipas qeverisë, përmes eliminimit të barrierave burokratike duke dixhitalizuar sistemin e pagimit të tatim-taksave. Qeveria parashikon që të ardhurat në vitin 2012 të rriten me 25.7% dhe në 2014-ën me 25.8%; përkthyer në vlerë monetare, të ardhurat deri në vitin 2014 do të jenë 1136,1 mld lekë.