Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka organizuar dje një protestë kundër dhunës pa asnjë shkak dhe arsye që policia ushtroi ndaj katër aktivistëve të saj. Flasin për gazetën MAPO protagonistët e kësaj lëvizjeje. Koreografi Donald Martini thotë se brenda komisariatit është goditur me shkelm në fytyrë. Kërkojnë procedim penal për policët dhe për drejtorin e Përgjithshëm, Ardi Veliu.
Nga Armand Maho
Policia e Shtetit vijon të tregojë forcën dhe arrogancën ndaj njerëzve edhe pas protestave që pasuan vrasjen e një të riu vetëm sepse kishte shkelur orën policore të pandemisë. Ndalimi i katër aktivistëve të njohur të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të shtunën ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë te publiku. Aktivistët ishin duke qëndruar në pedonalen përbri godinës së shembur të Teatrit Kombëtar kur janë arrestuar pa një arsye të vërtetë. Në polici janë shoqëruar, Ergys Mërtiri, Gentian Hasani, Donald Martini dhe Astrit Seranaj.
“Pak minuta më parë, policia ka ndaluar disa prej aktivisteve të Aleancës për Teatrin, në pedonalen para Qendrës Toptani. Nuk dihen arsyet e ndalimit por nga videoja duket qartë se janë marrë me forcë. Të ndaluarit janë Astrit Seranaj, Ergys Mertiri, Gentian Hasani dhe Donald Martini”, u njoftua në faqen zyrtare të kësaj aleance.
Ata janë mbajtur disa orë në komisariatin nr.1 dhe pas daljes kanë dëshmuar për dhunë policore ndaj tyre. Kjo aleancë thirri dje në protestë qytetarët për të denoncuar dhunën e policisë dhe në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Gjatë protestës ata kërkuan marrjen e masave nga Policia e Shtetit ndaj efektivëve që ushtruan dhunë pa motiv, shkarkimin dhe procedimin penal të tyre; Shkarkimin dhe procedimin penal të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si dhe ristrukturimin e Policisë së Shtetit që ajo t’iu rikthehet qytetarëve.
Gazeta MAPO ka biseduar me dy prej aktivistëve të arrestuar të shtunën për të mësuar se cilat ishin arsyet e ndalimit dhe çfarë ndodhi në orët e qëndrimit të tyre në ambientet e policisë. Donald Martini, koreograf, pohoi se shkaku i arrestimit të tyre ishte momenti kur ai po filmonte një akt dhune të disa policëve ndaj një qytetari pranë qendrës tregtare Toptani.Një tjetër aktivist i kësaj aleance, që qëndroi dy vite rresht në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, i shembur në mënyrë të paprecedentë natën e 17 majit, aktori Mehdi Malkaj, thotë se kjo sjellje e policisë tregon se jemi në diktaturë.
Po nuk është hera e parë që policia e shtetit akuzohet për tejkalim të kompetencave të saj dhe ushtrim dhune në mënyrë joproporcionale. Pas vrasjes së një të riu nga policia protestat që pasuan u shtypën me dhunën e policisë dhe me hedhje gazi lotsjellës dhe uji, veprime këto që shqetësuan dhe organizmat ndërkombëtare.
Donald Martini: Policia, dhunë dhe shqelma fytyrës mbi artistët
Donald Martini, koreograf dhe Aktivist i Aleancës për mbrojtjen e Teatrit në një intervistë për MAPO, thotë se është keqtrajtuar në komisariatin e policisë, madje një prej policëve e ka goditur me shkelma në fytyrë. Martini shprehet se ende nuk e di arsyen e shoqërimit, aq më pak arsyen e dhunës të ushtruar mbi aktivistët e teatrit. Në momentin e shoqërimit ai ka qenë duke filmuar, tërheqjen zvarrë sipas tij të një aktivisti tjetër, Astrit Seranaj në afërsi të pedonales.
Zoti Martini, ju dje u shoqëruat në komisariat. Mund të na e shpjegoni pak rrjedhën e ngjarjes?
Ishte një ditë e zakonshme, kur shoh disa policë që po keqtrajtonin një civil. Nxjerr celularin dhe filloj të filmoj. Kjo ishte ngjarja fillestare që pashë, diku midis qendrës tregtare Toptani dhe ish-selisë së PD-së. Ata po e tërhiqnin zvarrë, unë vetëm i ndoqa deri te rruga Xhorxh W Bush në krahun tjetër të qendrës Toptani. Ishte një makinë e policisë, e njohën që ishte Astrit Serjani aktivist i aleancës për Teatrin. Në atë moment teksa isha duke filmuar polici më godet në dorë duke ma hedhur celularin nga dora
Ju pse ishit në atë moment në pedonale?
Unë po kaloja. Unë pashë që ata po e keqtrajtonin, nuk isha që në fillim. Pra nuk e dija se çfarë kish ndodhur më parë.
Policët e dinin që ju ishit aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit?
Nuk besoj që mund ta dinin se fytyra ime s’ka dalë asnjëherë publikisht tek Aleanca.
Për të tjerët e dinin?
Për Astritin po jam i bindur, sepse ai është figurë publike e Aleancës.
Si u sollën në komisariat?
Që në momentin që më hodhën telefonin në tokë, unë nuk kundërshtova, s’bëra asgjë. Më morën me forcë dhe më futën në makinën e policisë.
Ju keqtrajtuan aty?
Sjellja e policisë nuk ishte normale, mënyra se si më morën. Përderisa nuk kundërshton nuk ka nevojë as të shtysh as të gjuash me shkelma te këmbët. Nuk është burrërore t’i gjuash dikujt, për më shumë kur je dhe me uniformë.
Sa qëndruat në komisariat?
Mos gaboj ishim aty nga ora 7.15-7.39 deri në orën 10.30.
Jua thanë arsyen e shoqërimit?
Jo. Akoma dhe sot nuk e di.
Nuk ju morën në pyetje?
Na pyetën vetëm për versionin tonë të ngjarjes. Unë thashë po këtë gjë që vetëm po filmoja, nuk kam bërë as fjalë me policinë, as nuk e kam kundërshtuar dhe kur më morën forcërisht dhe më futën në makinë nuk kam kundërshtuar. Na futën në një korridor në krahun majtë të hyrjes kryesore së komisariatit. Na shoqëronin mos gaboj rreth dhjetë policë, dhe njëri nga ata më goditi me shqelm në fytyrë. Shenjat janë të dukshme poshtë nofullës, dhe te syri te balli. U mundova pak mbrëmë t’i mjekoja.
Për mendimin tuaj nga vjen gjithë kjo egërsi e policisë?
Nuk e di, por që nga 17 maji vërejmë që policia po tregohet çdo ditë dhe më e egër. Arsyeja, mund të jetë fundi i këtij regjimi, ose shpresa në rritje e njerëzve për largimin e tij. Por ne nuk do e lejojmë më që policia të sillet me ne në mënyrë të tillë.
Mërtiri: Më fshinë videot e dhunës që dëshmonin dhunën policore
Ergys Mërtiri, një nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, thotë se arsyeja e vetme përse u shoqërua dje në Komisariat ishte për fshirjen e videove që dëshmonin dhunën policore. Në një prononcim për “Fax News”, Mërtiri rrëfen se ia morën telefonin me dhunë. Dhe vetëm kur doli nga ambientet e Komisariatit nr.1, konstatoi se pamjet e tij filmike ishin fshirë. Sipas aktivistit, bëhet fjalë për video mbi 15 minuta të cilat tregojnë se si Policia është brutale, kërcënuese dhe e dhunshme me qytetarët, pa kurrfarë arsyeje.
“Unë jam marrë në Polici dhe kur i pyesja se për çfarë po më merrnin, thonin ta shpjegojmë në Komisariat. Nuk ma tregonin, ndërkohë që më kishin marrë telefonin me dhunë. Dhe kur shkova në Komisariat, më dhanë telefonin dhe më nxorën. Aty vura re se videot e mia ishin fshirë. Ka shpëtuar vetëm një video ku Donaldi ishte live në faqen e Aleancës. Por të gjitha videot e tjera, që kanë zgjatur mbi çerek ore, ku po ushtrohej dhunë ndaj qytetarit dhe forcë, janë fshirë.
Njëri thoshte që e kam krahun e lënduar nga protesta për vrasjen e 25-vjeçarit Rasha, ndërsa ata ia përthyenin më keq. Videot u fshinë sepse tregonin të gjithë brutalitetin e Policisë, si kërcënonin të tjerët përreth, si godisnin. Ishte për të shmangur provat e egërsisë së tyre. Unë kështu e mendoj, se nuk ka asnjë arsye pse duhet të merresha në Polici. I thashë që jam gazetar dhe kam të drejtë. Ky shtet është policor. Janë shenjat e një shteti që nuk është në shërbim të qytetarit, por që ushtron një detyrë politike për të bërë zap qytetarët”, – u shpreh Ergys Mërtiri.
Adriana Kalaja: Kërkojmë hetim disiplinor, dhunuesit duhet të arrestohen
Avokatja e Aleancës për Teatrin Adriana Kalaja, thotë për MAPO se do kërkojë hetim disiplinor nga SHÇBA-ja, dhe ngjarjen e së shtunës mbrëma do e përcjellë për ndjekje penale. Sipas Kalasë, policia ka treguar sjellje arrogante ndaj saj dhe në komisariatin e policisë, dhe nuk ka pranuar fillimisht të japë arsyen e shoqërimit. Ditën e djeshme, ajo së bashku me aktivistin Martini i janë drejtuar mjekësisë ligjore për të dokumentuar dhunën e policisë.
Zonja Kalaja, ju jeni avokatja e zotit Martini dhe të tjerëve. Do e çoni çështjen për ndjekje penale?
Patjetër. Përveç se do i kërkojmë SHÇBA-së një hetim disiplinor duke shkarkuar të gjithë trupën e policëve që kanë ushtruar dhunë brenda komisariatit, por do kërkojmë dhe me anë të një padie penale, dënimin e tyre. Sepse jo vetëm që kanë shkelur ligjin, por këto veprime ulin shumë poshtë figurën e policisë së shtetit, dhe vazhdojnë të rrisin mosbesimin ndaj policisë. Dua ta sqaroj me forcë. Kemi përballë dy modele, modelin e dhunës së policisë që po injektohet nga Rilindja, dhe modelin e qytetarisë që vazhdon prej tre vjetësh në mbrojtje të pronës publike, të artit kulturës dhe trashëgimisë.
Ata katër protestues, qytetarë model që nuk kanë prekur kurrë pronën publike, nuk kanë dëmtuar asnjë centimetër të kësaj prone. Këta që po punojnë nga mëngjesi në darke për ta rijetëzuar teatrin kombëtar, të dhunohen dhe të tërhiqen zvarrë, të dhunohen brenda komisariatit, poshtë asaj tabele që thotë “policia e Shtetit”, “policia juaj”. Vetëm policia jonë nuk është. Do kërkojmë dënimin dhe arrestimin e këtyre policëve, dhe të bëhet shembull.
Polici në rrugë është për të mbrojtur qytetarin, jo për të dhunuar qytetarin edhe sikur qytetari të ketë shkelur ligjin, apo të ketë reaguar dhunshëm. Për këtë është policia, për këtë paguhet policia. Të ruajë qetësinë, të shoqërojë brenda normave ligjore qytetarin, brenda ambienteve të komisariatit. T’i merret një deponim ligjor dhe të vazhdohet me procedurat.
Po ju si avokate jua dhanë arsyen e shoqërimit, dhe si ishte sjellja e policisë?
Sjellja e policisë në momentin e parë që unë arrita në komisariat, rreth orës 7.15 minuta. Pra ishte momenti që sapo djemtë ishin futur brenda në komisariatin 1. Sjellja e policisë ishte jo vetëm brutale, por me një fjalor dhune, duke m’u drejtuar “dil jashtë” apo “kush je ti që të japim llogari, sepse ne nuk kemi asnjë lloj detyrimi të japim shpjegim”. Mbas një debati ligjor që bëra me këta punonjës, që jo vetëm se meritojnë të jenë punonjës policie, por duhet të arrestohen urgjentisht.
Njerëz që fyejnë dhe dhunojnë qytetarët shqiptarë. Mbas një periudhe prej 20 minutash vjen një tjetër punonjës policie dhe më sqaron se shoqërimi i katër aktivistëve ishte bërë nën akuzën e “mosbindjes ndaj policisë”. Ky ishte argumentimi i tyre, i cili normalisht që është i pabazuar sepse edhe nëse beson versionin e policisë që aktivisti Astrit Serjanaj, nuk i është bindur policisë pse duhej të shoqëroheshin tre aktivistët e tjerë. Dhe nëse policia ka ushtruar detyrën brenda kuadrit ligjor, pse duhej fshirë video që ka qenë në telefonin e aktivistit dhe gazetarit Ergys Mërtiri.
Mehdi Malkaj: Kryeministri po ushton dhunë të vazhdueshme
Mehdi Malkaj, aktor dhe aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, thotë se po jetojmë në një regjim diktatorial, ku po ushtrohet dhunë ndaj protestuesve paqësore. Sipas Malkajt, si në rastet kur protestohet paqësisht ashtu dhe në rastet e tjera policia ka ushtruar dhunë, çka tregon sipas tij se sa e do kryeministri popullin e tij.
Zoti Malkaj, në opinionin tuaj, çfarë po ndodh?
Unë nuk jam as me Donaldin as me Anën (Adriana Kalanë). Unë e shikoj ndryshe këtë problem. Unë mendoj se policia me “dashuri” të madhe, na e shfaq këtë “dashuri” duke rrahur njerëzit. Kjo na tregon dhe sa kryeministri i vendit e do popullin. Shikoni se çfarë ndodh. Ata djelmoshat e rinj, i rrahin sepse thyejnë gjëra, i rrahu i kalbi në dru për këtë punë. Mirëpo neve po na rreh, se ne s’kemi bërë asnjë gjë. Ne kemi tre vjet që po protestojmë në mënyrën më qytetare të mundshme.
Nuk ka bërë vaki që mos thyesh asgjë në tre vjet, qoftë dhe pa dashje. Sepse ne nuk kemi thyer as pa dashje. Kjo me sa duket e acaron policinë. Sepse për policin s’ka rëndësi ai mendon që po thyejnë, në këtë rast na thyen neve në mes. Kështu që edhe Donaldit “t’i bëjë mirë druri”, edhe Ana mos flasë shumë, edhe ata dy të tjerët të qepin gojën. Ej thirrini mendjes, e dini ku jemi apo jo. Jemi tek ajo që quhet diktaturë. Vetëm se nuk e thonë me zë, e pëshpëritin nën zë të gjithë, nëpër tavolina poshtë e përpjetë, por me zë jo. Prandaj mirë të na bëhet nga druri që na japin. Deri sa të na vejë thika në kockë tamam edhe mund të bëjmë ndonjë gjë, se deri më tani jo. Tani jemi akoma tek ai që quhet popull skllav.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në protestë, Neritan Liçaj: Arrestimet ishin absurde
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka protestuar para Ministrisë së Brendshme, një ditë pas shoqërimit të disa prej anëtarëve të saj në polici. Përfaqësuesit shprehen se ky është një tjetër veprim arrogant i policisë së Shtetit që vjen pas vrasjes së Klodianit dhe dhunimit të protestuesve që dolën në rrugë.
Një prej pjesëmarrësve në protestë është aktori Neritan Liçaj i cili është shprehur se nuk do të tërhiqen nga e drejta që u takon qytetarëve. Nëse kryeministri na përgjigjet me arrogancë të njëjtën gjë dhe do të marrë ka theksuar ai. Sipas tij ato nuk do të tërhiqen dhe duan të drejtat e tyre që ua garanton Kushtetuta.
“Nuk jemi forcë politike dhe nuk kemi asnjë strukturë dhe skenar por bëjmë një thirrje dhe i ftojmë në kauzë të gjithë ndaj këtij regjimi që është instaluar që ne do të jemi në shesh. Arrestimet e djeshme ishin absurde. Unë po flas për Aleancën për Teatrin që u sulmuam politikisht nga mazhoranca dhe nga e majta. Ne nuk duam të tërhiqemi, duam të drejtat që na i garanton Kushtetuta dhe e drejta jonë njerëzore.
Arrestimi është një tjetër sinjal tjetër, ato janë njerëz paqësor dhe që janë dhunuar dhe në komisariat, është një veprim prej kalamajsh nga ana e qeverisë dhe ne kërkojmë dorëheqjen e Drejtorit të Policisë. Dhe pse Turi i Surrelit nuk do të di nga të hidhet më datë 25 prill, vijon me arrogancën e tij, që atë po bjerr tashmë”, ka thënë Liçaj.