Qeveria nuk po mbron me forcë thjesht një projekt, për të ndërtuar një kënd lojërash në parkun te Liqeni në Tiranë. Dhuna që policia ushtroi dje mbi protestuesit dhe qëndrimi i kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë, tregojnë se ata po mbrojnë një pikëpamje të tyren mbi qeverinë dhe qytetarët. Që prej më shumë se dy shekujsh, perëndimi nuk ka vënë kurrë në diskutim idenë se qeveria apo qeverisja është e njerëzve, se çdo qindarkë dhe pasuri e saja është në fakt e njerëzve.
Calvin Coolidge, ish-president i SHBA-së, thotë se detyra e një qeverie është të mposhtë egoizmin, lakminë dhe dëshirat e saj dhe të dëgjojë me vëmendje zërat e të gjithëve. Ajo duhet të jetë e fortë në drejtësi, por më e fortë në dhembshuri, ajo duhet të jetë e madhe në dije, por më e madhe në përunjësi dhe çdo të keqe ta mposhtë me mirësi. Mendimi politik ka prodhuar një literaturë shumë të gjerë mbi detyrën e qeverisë, i cili përgjithësisht konvergon në idenë e një qeverie që mbron të drejtat dhe liritë e njerëzve. Bashkia e Tiranës ( një organ i qeverisë), prej disa ditësh ka rrethuar me gardh një pjesë të parkut te liqeni, për të ndërtuar aty një kënd lojërash për fëmijë. Bashkia thotë se ndërtimi i parkut, do ta bëjë atë (parkun) më të përdorshëm dhe më funksional për qytetarët.
Organizata të shoqërisë civile, qytetarë të ndryshëm apo edhe mbështetës të Partisë Demokratike, po e kundërshtojnë atë, me argumentin se nuk ka një projekt që është diskutuar me njerëzit dhe se pas këndit të lojërave fshihen interesa të tjera. Kryetari i bashkisë, para pak ditësh reagoi, duke thënë se ai ishte me qytetarët dhe jo me SHQUP-in , se ishte me ndërtimin dhe jo me shkatërrimin. Pra gjuha e tij ishte denigruese, duke quajtur çdo qytetar protestues SHQUP dhe mbështetës të shkatërrimit, ndërkohë që ai ishte i miri dhe ndërtuesi. Sjellje të tilla, me një dikotomi kaq polarizuese, bëhen vetëm për të fshehur të vërtetën.
Marc Lazar, një profesor i universitetit të Sorbonës, teksa shpjegonte sjelljen e Hugo Cavez-it, në fushatë kundër Henrique Capriles, disa vite më parë, thoshte se gjuha e Cavez, bëhet qëllimisht polarizuese, në mënyrë që e vërteta të mos merret vesh kurrë. Cavez thoshte: Në jam kandidati i popullit, Capriles është kandidati i hajdutëve, grabitësve të pasurisë dhe mashtruesve.
Sipas Lazar, politikanët e tipit Cavez, mashtrues publikë dhe narcisistë, këtë gjë bëjnë kudo. Në këtë kuptim, sjellja e kryetarit të bashkisë, nuk ka të bëjë asfare me atë që nënkupton detyra e qeveritarit. Ai nuk tha asnjëherë se si arriti në konkluzionin që aty duhet një kënd lojërash, se pse ky kënd nuk u ndërtua në një vend tjetër, se pse në atë pjesë të vetme të paprekur të Tiranës me 1 milionë banorë, duhet të ndërhyhet qoftë edhe duke vënë lodra dhe bërë fusha basketbolli.
Në fushatë, Veliaj tha se kishte evidentuar 3000 mijë probleme të vogla të jetës dhe infrastrukturës publike në qytet, të cilat do t’i zgjidhte muajt e parë. A i zgjidhi ato (cilat)? Pse qenkan lodrat te parku kaq çështje shqetësuese? Kryeministri nga ana e tij, nuk mund të rrinte pa u përfshirë në diskutim. Pasi policia ushtroi dhunë dhe dërgoi në komisariat 11 prej tyre, kryeministri publikoi në facebook, një video ku simulohej këndi i imagjinuar i lodrave, që do ndërtohet te parku i liqenit. Kryeministri thoshte: “Ja për çfarë protestojnë dhe sado e pabesueshme të duket, protestuesit nën udhëheqjen e PD-së, duan të pengojnë këtë kënd lojërash…”
Nëse është detyrë e qeverisë të ndalojë e dhunojë njerëz që protestojnë, nuk ka nevojë të diskutohet, siç nuk mund të diskutohet fakti që një qeveri që është e njerëzve, nuk mund t’i dhunojë ata, një qeveri që mendon se pronat e saj janë të njerëzve, nuk mund të bëjë ç’të dojë me to. Kryeministri u soll si Veliaj, i quajti protestuesit njerëz të PD-së, që duan të pengojnë një ndërtim dhe kjo sado të jetë e pabesueshme, po ndodh.
Pra, sipas tij, protestuesit e PD-së po bëjnë diçka të pabesueshme. Kryeministri polarizoi dhe nuk u përgjigj për ndalimet, dhunën, pse po ndërtohet etj. Kjo në fakt është një sjellje e zakonshme e tij. Sa u takon qytetarëve, detyra e tyre është të jenë të tillë. Për të mbetur te përvoja amerikane e demokracisë, presidenti Roosvelt (Teddy), thotë se një qytetar që e ushtron përgjegjësinë e tij në një demokraci, vetëm duke votuar çdo katër vjet, meriton të jetojë në despotizëm. Pra, ata që po dalin të protestojnë, edhe po të jenë mbështetës të PD-së, nuk po bëjnë asgjë të gabuar, përkundrazi. Qeveria dëshmoi se do qytetarë që meritojnë të jetojnë në despotizëm.
Ka diçka të rëndësishme që duhet thënë. Njeriu më i dobët është ai që është njëkohësisht më i forti. Faraoni, mbreti Nemrud, Cezari, Mbreti Luigj, Mbreti Frederik, por edhe politikanë të ditëve të sotme: Spitzer, Cristie, Strauss Kahn, Papandreu, Berluskoni etj. etj., kanë rënë në momentet kur dukeshin të pamposhtur. Kështu që, Veliaj duhet ta ndalë këtë plan dhe të nisë përpilimin e një të riu, ku tërë parku i liqenit, vetë liqeni, të bëhen pjesë e një ideje më të gjerë dhe më të pranueshme.
Gjithashtu, kjo ide duhet të jetë pjesë e një tjetër ideje më të madhe: E parqeve apo këndeve të lojërave në gjithë Tiranën. Shoqëria civile, e cila është krejtësisht e pabesueshme, nuk duhet të bëhet pjesë e lojërave, sepse politikani që i përdor sot, mund të vuajë nesër vetë nga ajo. Veliaj kishte bërë lojëra me shoqërinë civile prej kohësh, duke sulmuar Nanon apo të tjerë dhe ndërkohë një pjesë e saj, iu turr atij apo qeverisë. Mësimi i madh se ‘kush jeton me shpatën do të vdesë nga shpata’, nuk duhet harruar kurrë. Një qeveri që nuk kupton detyrat e saj dhe të qytetarëve, si ajo që u dëshmua në rastin e dhunës dhe arrestimeve, nuk i duhet askujt, as vetë Veliajt dhe Ramës.