Lëvizja e kryeministrit për të zgjedhur ministra jashtë “vathës socialiste” dhe qëllimi për të anashkaluar figurat politike. A është një qeveri teknike që synon të shembë trashëgiminë e partisë? Si po shtohen pakënaqësitë nga “garda e vjetër” socialiste dhe qëllimi i Ramës për ta konsideruar veten si spastruesi i establishmentit politik të 28 viteve të fundit. Flasin analistët Alfred Lela dhe Ilir Kalemaj.
Nga Sebi Alla
Kur kryeministri Edi Rama lexoi emrat e shtatë ministrave të rinj, për një pjesë të tyre indicia e parë të shtynte për t’u futur në “Google” e shihje kush ishin e si u katapultuan nga njerëz krejt anonimë, (edhe në fushat e tyre), në ministra të kabinetit të ri. Katër prej emrave që do të drejtojnë dikasteret kryesore të vendit janë Anila Danaj ministre e Ekonomisë dhe e Financës; Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe e Energjetikës; Besa Shahini, ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë dhe Elva Margariti ministre e Kulturës, ndërsa pjesa tjetër mbushet nga dikastere të “dorës së dytë”, Eduart Shalsi ministër i sipërmarrjes, Blendi Çuçi ministër i Bujqësisë, Elisa Spiropali ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, ndërsa Erion Braçe si zëvendëskryeministër. Zonjat që zënë postet kyçe të ministrive, nuk janë anëtarë të Partisë Socialiste, e aq më pak njerëz të zgjedhur me votë e kontribut brenda strukturës politike. Ndoshta të vetmin “kriter” që plotësonin ishin bashkëpunëtorë të afërt të kryeministrit. Një “qeveri teknike” e zgjidhur “mekanikisht” nga kryeministri Edi Rama, që në gjykimin e tij mund të ketë pasur dy qëllime: Shkarkimin e ministrave me CV e reputacion në parti (duke i konsideruar indirekt si problemi në keqqeverisje apo edhe në marifete të dyshimta korruptive) dhe sjellja në krye të ministrive emra anonimë, minimalisht të papërfolur për afera, (nuk kanë patur akses ku paraja dhe influenca është e madhe). Kushdo që u mpreh nga socialistët për të marrë poste ministrore u zhgënjye, pasi me politikën e ndjekur nga kryeqeveritari Rama, radha mund të mos u vijë kurrë. Në korridoret e Partisë Socialiste, të ikur e të mbetur, tashmë po belbëzojnë pakënaqësinë e tyre, duke qenë dëshmitarë se kontributet në parti nuk po shpërblehen me poste dhe karrierë në ngjitje. Pyetja që i mundon është nëse në pushtet është PS apo Rilindja? Deri më tani Rama qe munduar të bënte një miksim mes tradicionales parti dhe të ardhurve të rinj që si “logo politike” njohin konceptin “Rilindje”. Edhe kjo nismë është venitur me kohë, teksa pjesë tradite e PS-së, me të shkuar deri në rrënjët PPSH, ka mbetur vetëm Gramoz Ruçi dhe disa deputetë, zëri i të cilëve s’e ka më peshën e dikurshme brenda strukturës partiake që kontribuojnë. Pavarësisht emrave, siguria e vetme që mund të thuhet pa patur pikëpyetje është se kryeministri Edi Rama me të përzgjedhur me CV partiake apo pa CV të tillë, është vetë regjisor e aktor protagonist i një telenovele 5-vjeçare, seritë e të cilës vijojnë, pa ditur fundin.
***
Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade komentoi zhvillimet në PS dhe etiketoi kryeministrin Edi Rama si drejtuesin që po dhunon deri në urrejtje strukturat partiake. “Rama mbetet dhunues i PS-së, themelues i Rilindjes që ka pushtuar socialistët, duke shkatërruar debatin dhe lirinë në PS”-komentoi Dade. Ajo shtoi se, “asnjeri nuk flet dot më në selinë rozë, pasi duke parë se në çfarë niveli mbetet demokracia në PS, ashtu dhe më keq funksionon qeveria dhe qeverisja, nën diktatin e Ramës”. Kryeparlamentari Ruçi, si figura e padiskutueshme që simbolizon “trëndafilin” e vetëm të PS-së, i doli në krah kryeministrit me qëndrimet e tij. “Sistemi që lamë pas ishte sistemi i partisë-shtet. Sistemi që jemi është sistemi i partisë në pushtet, kjo s’do të thotë që kur është kjo parti në pushtet, s’do të thotë që të jenë anëtarët e forumeve në pushtet. Çdo parti që vjen në pushtet, nuk vjen vetëm me votat e anëtarësisë së vet, por i duhen mbi 700 mijë vota. Motoja e asaj partie ka qenë bashkëqeverisje me qytetaret, kështu që është brenda filozofisë së alternatives që ka marrë gjatë fushatës”, tha Ruçi. Për Ramën mjafton edhe një i vetëm t’i dalë në mbrojtje për të ngritur “kalanë e propagandës”, që di mirë ta ndërthurë me shfaqje në interes të tij, për të krijuar imazhin apo edhe mirazhin e “bashkëqeverisjes me qytetarët”. Po a përfaqësojnë “qytetarët” emrat e rinj të thirrur në detyra të rëndësishme nga kryeministri Edi Rama? Pasi morën votëbesimin në parlament, me kartonë jeshilë të ngritur të 77 deputetët e mazhorancës, ministrat e rinj, ditën e parë të punës e konsumuan në shfaqjen “Pakti për studentët”… Roli i ministrave u përngjante moderatorëve televizivë që duhet të nxirrnin në pah kryeministri në monologun “Rama show”.
***
Për konsumuesit e politikës dhe ithtarët e Ramës, kjo lëvizje e tij në sjelljen e emrave të rinj në drejtimin e ministrive dhe drejtorive kryesore, mund të shihet si nismë kundër establishmentit politik, të ndërtuar këtu e 28 vite të shkuara. Vetë Rama është pjesë e këtij establishment, që ka hyrë në vitin e 21 në nivele të larta politike duke kaluar nga ministër, kryetar partie, kryetar i Bashkisë Tiranë, kryeministër e ministër i jashtëm bashkë. I plotpushtetshëm në letra e sjellje, i cili që nga dita e djeshme krahas postit të kryeministrit do të mbajë edhe atë të ministrit të jashtëm. “Në shqyrtimin e këtij propozimi, Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”-thuhet në dekretin e presidentit Ilir Meta, i cili mbylli për momentin përplasjen e fortë institucionale dhe personale me Ramën, pas refuzimit për të caktuar kryediplomat 28-vjeçarin Genti Cakaj. Kryeministri Edi Rama edhe pse po mundohet të prezantojë veten si “spastruesi” i establishmentit politik të të gjithë kastës së pas viteve ‘90, po e përdor këtë artific artificial për konsum ditor. Mjafton që vëmendja të shkëputet nga problemet kryesore që ka vendi për krimin e organizuar, korrupsionin në nivele të larta, lidhjet e politikës me krimin, papunësinë, ekonominë e dobët dhe mungesën e rendit. Analisti dhe drejtori i “Politico.al” Alfred Lela, gjykon se kryeministri e ka të pamundur reflektimin, sepse reflektim do të thotë të shohësh nga vetja dhe ta drejtosh gishtin nga vetja. “Në republikat kryeministrore me sfond parlamentar siç është Shqipëria, krizat janë të kryeministrave dhe për këtë z. Rama bën zgjedhje të tilla që nuk zgjidhin gjë, por kamuflojnë problemet”-komenton Lela. Për Lelën, nuk ka më socialistë “bio” brenda mazhorancës, por një lloj përfaqësimi që synon të krijojë iluzion. “Rilindja dhe shtrirja e filozofisë dhe teknologjisë së saj në PS ka dëshmuar se socialistë ‘bio’ nuk ka më, dhe në selinë rozë kanë mbetur nostalgjikët e nanoizmit, që janë pak dhe pa pushtet, progresistët që vijnë nga Mjaft dhe G99, ish-komunistët që përfaqësohen në koniunktura nga Gramoz Ruçi, dhe Edi Rama, një solist politik sui generis që ka ndërtuar një aparat komunikimi publik që i bën të gjitha grupimet në PS të duken si inkoherente dhe të pashpresa dhe t’i lidhin me të shpresat e pushtetit”-thotë Lela. Analisti politik Ilir Kalemaj e konsideron Ramën fuqiplotë brenda PS-së dhe ka si qëllim venitjen e figurave politike influente dhe po afron personazhe teknik, pa profil politik. “Ndryshe nga precedenti Nano që synonte të ofronte figura me peshë të kampit opozitar apo të shoqërisë civile dhe t’i promovonte në qeverisje, Rama parapëlqen figura teknicienësh me pak apo aspak profil politik apo publik dhe mandej merr përsipër t’i promovojë apo mbështesë publikisht duke marrë përsipër edhe çmimin e suksesit, edhe koston e dështimit”-shprehet Kalemaj.
“Në PS nuk ka më socialistë, programi i Ramës, batutat dhe tutat”
Alfred Lela, drejtori i “politico.al”
Në qeverinë e re, kryeministri Edi Rama ia ka besuar drejtimin e ministrive kryesore personazheve “apartiake”, që nuk vijnë nga radhët e PS-së. Ngjan si një qeveri teknike, kur është vetëm në vitin e parë të mandatit të dytë, përse kjo zgjedhje e Edi Ramës?
Një ‘qeveri mekanike’ do të ishte një terminologji më e saktë, ndoshta, për të përkufizuar kabinetin e ri të Ramës. ‘Mekanike’, sepse u krijua si artific për të mbuluar një realitet siç është kriza shumëdimensionale e ulur këmbëkryq në Shqipëri. Artifici qëndron te futja në qeveri e dy shqiptarëve të Kosovës, disa grave të panjohura, disa grave të komentuara, dy burrave edhe më shumë të komentuar. Pra një sallatë maqedonase që synon, jo zgjidhjen e krizës, as reagimin ndaj saj madje, por një operacion PR-i. Dëshminë e PR-it permanent të Ramës e gjeni te joshja që i bëri Taulant Mukës i cili po ia diskreditonte qeverinë dhe grupin parlamentar me doktoraturat e vjedhura, duke e futur në qeveri si zv.ministër. Zgjodhi ta heshtte duke e bërë pjesë të kazanit të vet qeveritar. Dalja e Mukës prej andej më pas nuk i shërbeu atij, por Ramës. Në sytë e opinionit publik studiuesi i ri u diskreditua dhe kjo i duhej kryeministrit. Sa më takon mua është një operacion PR-i, jo një reflektim ndaj krizës. Kryeministri e ka të pamundur reflektimin sepse reflektim do të thotë të shohësh nga vetja dhe ta drejtosh gishtin nga vetja. Në republikat kryeministrore me sfond parlamentar siç është Shqipëria, krizat janë të kryeministrave dhe për këtë z. Rama bën zgjedhje të tilla që nuk zgjidhin gjë, por kamuflojnë problemet duke e çuar median dhe opinionin të merret me Gent Cakën, dhe jo me krizën dhe thelbin e saj.
Brenda Partisë Socialiste dhe në grupin e saj parlamentar, ka personazhe me kontribute politike, por nuk janë propozuar për poste drejtuese. Ky anashkalim, a mund të jetë një pikënisje e pakënaqësisë së “socialistëve bio”, që janë zgjedhur, provuar dhe promovuar në zonat e tyre elektorale, por nuk preferohen të jenë në poste ministrore. Mund të lindin pakënaqësi, lobe dhe fraksione kundër kryeministrit?
Mua nuk më shqetëson fare a po shpërblehen apo jo socialistët ‘bio’ siç i quani ju. Rilindja dhe shtrirja e filozofisë dhe teknologjisë së saj në PS ka dëshmuar se socialistë ‘bio’ nuk ka më, dhe në selinë rozë kanë mbetur nostalgjikët e nanoizmit, që janë pak dhe pa pushtet, progresistët që vijnë nga Mjaft dhe G99, ish-komunistët që përfaqësohen në koniunktura nga Gramoz Ruçi, dhe Edi Rama, një solist politik sui generis që ka ndërtuar një aparat komunikimi publik që i bën të gjitha grupimet në PS të duken si inkoherente dhe të pashpresa dhe t’i lidhin me të shpresat e pushtetit. Dua të them se nuk shoh shqetësime të interesit publik ndër ata që ju quani ‘bio’, probleme që ata duan t’i zgjidhin duke ardhur në pushtet. Po të ishte kështu do të ishim në një rast dhe situatë fatlume ku pushteti kërkohet për të ushtruar programin elektoral me të cilin një forcë, në këtë rast PS, ka ardhur në pushtet. Po t’i kthehemi vëzhgimit të qershorit të 2017 dhe fushatës elektorale të Ramës do të kujtohemi se kryeministri nuk paraqiti ndonjë program. Programi i tij ishin batutat dhe tutat, adetet dhe atletet. Ai kërkoi timonin dhe tepsinë të gjitha për vete dhe i mori. Çfarë kanë marrë shqiptarët? Pse nuk janë ndjerë socialistët? Sidomos ata ‘bio’? Sepse edhe ata kanë shqetësimet e tepsisë dhe timonit dhe jo të zgjidhjeve për shqiptarët. Kjo më bën të mendoj se nuk ka për të patur kryengritje, fraksione dhe as lobe. Pakënaqësi po, por në tepsinë e pushtetit ka megjithatë mjaftueshëm hallvë sa që rreth saj të mos ketë ‘sokratë të vuejtun’ dhe mjaftueshëm ‘derra t’kënaqun’.
Ata që artikulohen pro zgjedhjes së Ramës, që ka afruar pranë qeverisë personazhe jopartiake, e argumentojnë me një “vizion” të tij për të goditur establishmentin politik të dy dekadave të fundit. Nga ana tjetër, vetë Edi Rama është prej 20 vitesh pjesë e establishmentit. Përzgjedhja e ministrave të rinj është një lloj “paranoje” e Ramës që partiakët me eksperiencë mund t’i dalin kundër, apo është metodë e vjetër që mban pranë vetëm njerëzit e besuar, qoftë edhe pa eksperiencë drejtuese e politike?
As ata vetë nuk e besojnë këtë ‘përrallë me mbret’. Rama tenton, si gjithmonë, të zhbëjë të gjitha balancat dhe nocionet e drejtpeshimit politik, së pari, sepse i pëlqen eksperimenti dhe, së dyti, pikërisht prej mungesës së vizionit. Cili është vizioni i Ramës gjatë thuajse 6 viteve qeverisje? Shumë ‘kantiere’ (reformash) të hapura, ndonjë ose asnjë e përfunduar. Vizioni është një gjë e madhe që identifikon një problem shoqëror dhe e zgjidh me një ndërhyrje infrastrukturore afatgjatë ose me reforma akute. Nuk ka patur vizion për investimet e huaja, sepse nuk kemi asnjë të tillë; nuk ka patur vizion për Arsimin sepse arsimi është më keq se kurrë; nuk ka patur vizion për integrimin sepse ka ngecur, e me radhë. Të konsiderosh vizion zëvendësimin e Nikollës me Shahinin apo Bushatit me Cakën, është si të thuash se estetistja e sallonit të bukurisë së lagjes t’i ka bërë gruas një ‘make up’ vizionar. Te fakti që i pëlqejnë besnikët dhe adhuruesit apo servilët, Rama nuk ndryshon nga liderët e tjerë politikë në Shqipëri.
Që në ditën e tyre të parë të punës, ministrat e rinj u shfaqën në “teatrin e madh” me mikrofon në dorë për të treguar vizionin që kanë në krye të ministrive. A mund të vijojë koncepti drejtim i vendit duke i dhënë rëndësi vetëm PR (piar-it) dhe propagandës, pa qeverisur me akte ligjore apo nisma që prekin thelbin e problemeve dhe mundësojnë zhvillimin e vendit?
Paradoksalisht shqiptarët e votuan Edi Ramën mbështetur te ky stil dhe duhet të pranojnë të qeverisen prej këtij stili. Fushata e fundit e tij ishte një përzierje e gallatës me ekskursionin. Aty nuk u shpalos asnjë program, por vetëm batuta. Nuk është kot shprehja ‘njerëzit kanë në krye qeverinë që meritojnë’. Edhe këta ministra të rinj e kanë kuptuar thelbin e qeverisjes Rama, e cila varet te paradigma ‘dukja është gjithçka’ dhe përsërisin automatikisht të njëjtin imazh dhe mesazh që kanë konsumuar, qoftë si nëpunës qeveritarë, qoftë si spektatorë të spektaklit politik. Të mos jemi kundër PR-it në vetvete, por kundër PR-it si formë qeverisjeje. PR-është për të komunikuar qeverisjen, jo për ta zëvendësuar atë.
“Rama parapëlqen figura teknicienësh me pak apo aspak profil politik apo publik”
Ilir Kalemaj, analist politik
Në qeverinë e re, kryeministri Edi Rama ia ka besuar drejtimin e ministrive kryesore personazheve “apartiake”, që nuk vijnë nga radhët e PS-së. Ngjan si një qeveri teknike, kur është vetëm në vitin e parë të mandatit të dytë, përse kjo zgjedhje e Edi Ramës?
Kjo zgjedhje pikësëpari është e diktuar nga protestat dhe nevoja për zbutjen e një klime të ashpër politike në prag të zgjedhjeve lokale dhe provimit të radhës së qershorit 2019 për hapjen e negociatave. Së dyti, një pjesë e ministrave ishin konsumuar dhe nuk kishin ç’jepnin më. Ky “konsumim” duhet parë për disa në rrafshin e përfoljes për abuzime dhe shpërdorime të detyrës, ndërsa te të tjerë humbje motivimi për të vijuar më tej në vitin e pestë së punës si ministër, ndërsa rifreskimi i qeverisë së paku teorikisht sjell energji të reja, vëmendje të shtuar apo qoftë dhe një imazh të ri për konsum të publikut të brendshëm apo edhe për sinjale të reja ndërkombëtarëve.
Brenda Partisë Socialiste dhe në grupin e saj parlamentar, ka personazhe me kontribute politike, por nuk janë propozuar për poste drejtuese. Ky anashkalim, a mund të jetë një pikënisje e pakënaqësisë së “socialistëve bio”, që janë zgjedhur, provuar dhe promovuar në zonat e tyre elektorale, por nuk preferohen të jenë në poste ministrore. Mund të lindin pakënaqësi, lobe dhe fraksione kundër kryeministrit?
Mendoj se Rama tashmë e kontrollon bindshëm Partinë Socialiste dhe ndarja funksionale e partisë nga qeverisja jo domosdoshmërisht është një zgjedhje e keqe. Aq më pak mund të thuhet se është e pastudiuar. Rama e ka provuar qysh në mandatin e parë dhe të paktën politikisht i ka rezultuar jo problematike, ndërkohë që në mandatin e dytë ku ka pasur luksin të qeverisë i vetëm e ka kthyer edhe më funksional qoftë organizimin e brendshëm të partisë, qoftë drejtimin e qeverisë. Më funksional në pikëpamje të pragmatizmit politik të vetë kryeministrit, por jo rritje të cilësisë së qeverisjes. Madje kjo e fundit arriti një konsum të shpejtë dhe të parakohshëm publik që shpëtohej vetëm me ndërhyrjen “çezariane” të “kirurgut” Rama së fundmi.
Ata që artikulohen pro zgjedhjes së Ramës, që ka afruar pranë qeverisë personazhe jo partiak, e argumentojnë me një “vizion” të tij për të goditur establishmentin politik të dy dekadave të fundit. Nga ana tjetër, vetë Edi Rama është prej 20 vitesh pjesë e establishmentit. Përzgjedhjet e ministrave të rinj është një lloj “paranoje” e Ramës që partiakët me eksperiencë mund t’i dalin kundër, apo është metodë e vjetër që mban pranë vetëm njerëzit e besuar, qoftë edhe pa eksperiencë drejtuese e politike?
Nga njëra anë Rama ka treguar një nuhatje politike jo të vogël qoftë për të promovuar figura të reja politike në qeverisje dhe parti, qoftë dhe për të djegur apo sakrifikuar figura politike me peshë jo të vogël brenda PS-së në veçanti dhe të majtës në përgjithësi. Afërmendsh që e majta ka plot figura politike me eksperiencë politike dhe administrative, ashtu sikundër edhe e djathta. Por ndryshe nga precedenti Nano që synonte të ofronte figura me peshë të kampit opozitar apo të shoqërisë civile dhe t’i promovonte në qeverisje, Rama parapëlqen figura teknicienësh me pak apo aspak profil politik apo publik dhe mandej merr përsipër t’i promovojë apo mbështesë publikisht duke marrë përsipër edhe çmimin e suksesit, edhe koston e dështimit. Lipset gjithsesi që këto figura të kenë stafe të përgatitura dhe me eksperiencën e duhur politike, administrative dhe teknike për të arritur të lënë gjurmë dhe të realizojnë reformat e premtuara. Ndryshe ndryshku i tehut të kohës do bjerë pamëshirshëm mbi ta.
Që në ditën e tyre të parë të punës, ministrat e rinj u shfaqën në “teatrin e madh” me mikrofon në dorë për të treguar vizionin që kanë në krye të ministrive. A mund të vijojë koncepti drejtim i vendit duke i dhënë rëndësi vetëm PR (piar-it) dhe propagandës, pa qeverisur me akte ligjore apo nisma që prekin thelbin e problemeve dhe mundësojnë zhvillimin e vendit?
Që ka një marrëdhënie asimetrike mes propagandës të zhbalancuar dhe realitetit konkret të punëve në terren, kjo nuk do as mend, as kalem dhe mund mos të vihet re vetëm nga syleshët militantë partiakë që çdo gjë ia bëjnë hallall partisë dhe liderit. Problem është se qeverisje nuk mund të bëhet me dekret dhe as me VKM-ra, aq më pak të organizohet puna me sms, statuse Facebook-u apo foto Instagrami. Puna kërkon ekipe të përgjegjshme që ndjekin propozimet deri në formulim politikash dhe kthimin e tyre në ligje dhe mandej implementimin e tyre adekuar në funksion të realizimit të programit dhe rritjes së mirëqenies shoqërore. Kjo qeveri është votuar për realizimin e atyre reformave të rëndësishme në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, energji, turizëm apo bujqësi që ka premtuar, për rivitalizimin e këtyre sektorëve, për të garantuar një rritje ekonomike konstante dhe shpërndarje më të drejtë të të ardhurave dhe për një rritje të shpejtësisë së procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Për këtë nuk mjafton kurrsesi përqendrimi vetëm te fasada apo reklamimi shpropocional i çdo gjesti qeverisës por mbi të gjitha vizioni i materializuar në akte konkrete që arrijnë suksese të prekshme në kohën më të shkurtër të mundshme. Për këtë ka nevojë mbi të gjitha për burime njerëzore të kualifikuara, për më tepër meritokraci në përzgjedhjen e stafit, për politika publike reformatore por edhe të qëndrueshme, për ligje dhe legjislacion të balancuar dhe të implementueshëm.
Shqetesimet duken reale si do qe do ti krahasoja me astereoidet qe sado qe i afrohen tokes dhe e rrezikojne perseri mbeten deri aty. Personalisht nuk shof problem tek ndryshimret ne qeveri. Cdo kryeminister do ta kryej here pas here. Dhe vete qeverisja me gjithe difektet nuk mund te them se , krahasuar me te me parshmet eshte e keqe. Pavaresisht te gjithave qarkullimi i shendetshem p pergjegjesive eshte i domosdoshem per demokracine. Per sa me siper do te thoja se nevoitet qe te kufizohet mandati i kryeministrit ne jo me shume se dy mandate, por me te drejten e perseritjes se nje mandati te trete.
QEVERIA E RE?
U MBARS MALI E POLLI… NJË BRAÇE!!!