Qeveria u shton edhe një taksë tjetër shqiptarëve…

Vendimi i fundit i qeverisë për ndalimin e importimit të makinave më të vjetra se dhjetë vjet ka gjasa që përbën shkelje të marrëveshjes për tregti të lirë me BE-në dhe taksën e radhës që qeveria ia vendos disproporcionalisht më të varfërve.

Nga Gjergj Erebara



Autori i këtij shkrimi disponon një makinë të prodhuar në vitin 2010. Pas dy vjetësh, kjo makinë do t’i kapërcejë 10 vitet. Nëse unë do të dua ta shes makinën 10-vjeçare, çmimi që do të marr do të jetë më i lartë se sa vlera e tregut të kësaj makine.

Blerësi, i cili me gjasa do të jetë një shqiptar me të ardhura të ulëta dhe pa mundësi ekonomike për të blerë një makinë më të re se 10 vjet, do të duhet të paguajë një çmim më të lartë se sa kushton një makinë e tillë në një vend europian, fjala vjen, Gjermania.

Arsyeja se pse shqiptari i varfër do të duhet të paguajë më shtrenjtë se sa vlera e tregut për çdo makinë më të vjetër se dhjetë vjet, është se qeveria shqiptare ka vendosur me vendim qeverie të ndalojë importimin e makinave mbi këtë moshë, me preteksin e mbrojtjes së vendit nga ndotja.

Arsyetimi i qeverisë për mbrojtjen e mjedisit nuk qëndron dhe historikisht ka rezultuar i gabuar. Shqipëria nuk e ka për herë të parë që vendos të taksojë makinat e të varfërve dhe ta shesë këtë masë si “mbrojtje mjedisi”.

Argumenti i mbrojtjes së mjedisit nuk qëndron për shkakun e thjeshtë se nëse një makinë është 20 vjeçare, nuk bën dallim nëse ajo është importuar në Shqipëri e re fare apo është e importuar në moshën 12 vjeçare. Edhe një makinë e importuar sot e re, pas njëzet vjetësh do të jetë 20 vjeçare. Ajo që dallon është se makinat e reja ose relativisht të reja mund t’i blejnë ata shqiptarë që kanë një shumë jo të vogël parash për të shpenzuar.

Nëse ke sot rreth 8 mijë euro, atëherë mund të blesh një makinë të vitit 2008. Nëse për të blerë një makinë ke në dispozicion vetëm 3 mijë apo 5 mijë euro, atëherë duhet të blesh në tregun shqiptar një makinë të viteve 2005 apo 2006 dhe detyrohesh ta paguash atë më shtrenjtë sa do të kushtonte një makinë e të njëjtit vit prodhimi e importuar nga Gjermania, për shkak se qeveria ka vendosur të bllokojë importin e makinave mbi 10 vjet.

Shqipëria ka një histori të “taksave mjedisore” që rëndojnë në mënyrë disproporcionale mbi të varfërit dhe kjo e fundit nuk është e re.

Në vitin 2004, me lobimin e një grupi biznesmenësh të njohur si koncesionarët e markave të makinave, (praktikisht importuesit e makinave të reja ose relativisht të reja), Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj të propozuar nga qeveria socialiste e kohës për të taksuar në mënyrë progresive importin e makinave, me parimin se sa më e vjetër të ishte makina, aq më e lartë do të ishte taksa.

Një produkt i kapjes së shtetit haptazi, taksa e makinave e shtrenjtoi importimin e tyre në Shqipëri, për shkak se një makinë e tillë kërkonte taksë doganore deri në 300 mijë lekë dhe që në shumë raste, ishte edhe më e lartë se sa vetë vlera e makinës.

Në pamundësi për të blerë makina normale 10-15 vjeçare, shqiptarët u detyruan të mirëmbanin atë flotë të vogël makinash që sakaq e kishte kaluar traun e doganës. Llojet e ndryshme të benzave, 240, 220, 190 etj., u mbajtën në punë shumë përtej jetës normale të një makine të tillë, për shkak se shumica e shqiptarëve nuk kishin para për të blerë makina të reja dhe nuk kishin mundësi të paguanin taksën e tmerrshme doganore për importimin e një makine të përdorur.

Ndërkohë, ligji i koncesionarëve bëri që shqiptarët e pasur të mund të blinin makina me kilometrazh zero, t’i përdornin për dhjetë vjet dhe t’i shisnin shumë më shtrenjtë se sa vlera reale tregtare e asaj makine.

Një makinë 15 vjeçare që kushtonte në Gjermani 2 mijë euro dhe kishte doganë prej 2.500 eurosh, shitej në Shqipëri për 5 mijë euro. Po kaq shitej edhe një makinë 15 vjeçare që ishte importuar e re dhe rrjedhimisht nuk e kishte paguar doganën.

Progresiviteti i taksimit, i prezantuar nga qeveria aktuale si flamuri i saj elektoral dhe që nënkupton taksim më të lartë për të pasurit se sa të varfrit, në rastin e taksimit të makinave është në krah të kundërt. Jo vetëm që nuk është taksë e sheshtë, ku të gjithë paguajnë në mënyrë të barabartë pavarësisht të ardhurave, por është regresive. Të pasurit paguajnë më pak, të varfrit më shumë.

Por përveç të qenit taksë për të varfrit, taksa e qeverisë “Nano” ishte një taksë që binte ndesh me marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

U deshën disa vite që Bashkimi Europian të reagonte mbi këtë problem, por fakti është që në 2010, taksa mbi importin e makinave të përdorura u identifikua si një shkelje e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Sipas kësaj marrëveshjeje, e cila është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit dhe që përbën dokumentin themelor të bashkëpunimit mes BE-së dhe Shqipërisë, tregtia e lirë konsison para së gjithash në trajtim të barabartë të mallrave.

Qeveria e djathtë dhe populiste e Berishës, kur vendosi të bëjë të ashtuquajturën taksë e sheshtë, e kompensoi uljen e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin e korporatave përmes rritjes së disa taksave, mes të cilave ishte edhe taksa për automjetet e përdorura.

Në vitin 2011, ndërsa kishte humbur çdo kontakt me realitetin dhe përballej me kërkesën e BE-së,qeveria “Berisha” vendosi të taksojë njësoj importin për herë të parë dhe shit-blerjen e makinave brenda vendit. Një vendim aspak i logjikshëm, masa solli bllokimin total të shit-blerjeve të makinave deri sa qeveria u bind një vit më vonë të zëvendësojë taksën mbi shit-blerjet me një taksë vjetore regresive mbi përdorimin e makinave. Kjo taksë që vijon të jetë në fuqi, takson më shtrenjtë makinat sa më e vjetër të jetë. Për këtë arsye, ajo është një taksë regresive që rëndon mbi shqiptarët që nuk kanë mundësi të mbajnë makina të reja.

Si masë kundër ndotjes kjo nuk ka asnjë kuptim. Një makinë ndot në varësi të llojit të naftës që konsumon dhe sasisë së kilometrave që përshkruan. Një shqiptar i varfër me gjasa përshkruan më pak kilometra se sa një shqiptar i pasur dhe normalisht, pavarësisht se lëviz me një mjet të përdorur, ndot krahasimisht më pak.

Në të gjitha rastet, Shqipëria ka një taksë mbi karburantin që siguron një pjesë të majme të të ardhurave të buxhetit dhe që quhet “taksë ndotjeje”, 27 lekë për litër. Kjo është një taksë më efikase, pasi në varësi të konsumit të naftës nga makina (dhe rrjedhimisht sasisë së ndotjes), paguhet për litër.

Çdo lloj mase tjetër, si kjo e ndalimit të importimit të makinave më të vjetra se 10 vjet, është thjeshtë një taksë e palogjikshme mbi të varfrit, vendosur nga një qeveri e cila pretendon që është e majtë./BIRN/Titulli origjinal: Një taksë absurde mbi të varfrit/


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252