Nga Stiliano Rushaj
Ditën e dielë në Rinas mbërriti një avion me mbishkrim “Albania”. Në fillim u mendua se do të ishte “Naimi” avioni i ri i flotës Air Albania për të cilën kryeministri Rama kishte deklaruar 10 ditë më parë për “sukseset” sipas tij të kësaj kompanie me flamur shqiptar. Por mbishkrimi i tij ishte “Ismail” dhe më pas u zbulua se kodi i regjistrimit që mbarte TC-ANA i përkiste një avioni zyrtar i Qeverisë së Turqisë, një A319-115CJ (Corporate Jet). Sipas të dhënave vlera e një avioni të tillë të ri shkonn në rreth 105 milion USD$ dhe mund të fluturojë pa nevojë karburanti për rreth 11,000 KM.
Megjithatë ende nuk ka një qëndrim zyrtar të qeverisë shqiptare apo vetë kryeministrit se për çfarë do të shërbejë ky avion? A do të jetë në administrim të Qeverisë Shqiptare apo të kompanisë Air Albania? Kush paguan për këtë, ne qytetarët apo miqtë e krymenistrit?
Sidoqoftë në praktikën e shteteve Europiane të vogla dhe të varfëra si Shqipëria asnjë kryetar shteti apo qeverie nuk ka një avion të këtyre përmasave në dispozicion. Madje edhe në shembujt e vendeve me demokraci të brishtë e thuajse terësisht autoritariste si Bjellorusia, presidenti Lukashenko prej 3 vitesh nuk përdor asnjë avion VIP të flotës ajrore shtetërore bielloruese. Në fakt ka qënë Armenia deri në 2013, që përdorte një avion sovjetik VIP. I vetmi përjashtim është Azerbaixhani, por ky vend nuk ka modelin demokratik për të cilin ne duam të ndjekim dhe mbi të gjitha me burimet e gazit dhe të naftës në disa dhjetra miliardë dollarë mund ti lejojë mbajtjen e një flotë VIP për udhëheqësit e tij.
Sigurisht shembuj nga vende të tjera autokratike, janë disa si Kazakistani, Uzbekistani, Turkmenistani, ku udhëheqësit e këtyre vendeve kanë edhe aviona VIP. Apo shembuj të tjerë ku familjarët e udhëheqësve autoritarë i përdorin asetet publike si lodra luksi, si në rastin e Zaires (Kongo) në mes të viteve 70’. Por edhe vetë në shembullin e diktatorit komunist Hoxha i cili shndërroi një flotë të tërë prej 3 avionësh IL-14P të ardhur nga Gjermania Lindore në konfigurim VIP në fillim të viteve 70’.
Me sa duket “Ismail-i” do ti mundësojë kryeminstrit Rama që të ketë qilimin e tij magjik. Ashtu si përralla e “Një Mijë e Një Netë”, por ai nuk është Aladini por Xhafari, këshilltari dinak i Sulltanit. Xhafari kur shtiu në dorë llambën e dëshirave, në të parën u bë vetë sulltan. Ashtu ishte dhe dëshira e parë e Edi Ramës në 2013 ai u bë kryeministri i vendit.
Më pas me dëshirën e dytë Xhafari mori më shumë fuqi dhe u bë magjistari më i pushtetshëm i vendit. Kështu ndodhi dhe me dëshirën e rradhës së Edi Ramës, në vitin 2017, në një klimë proçesi zgjedhor jo të lirë dhe jo të drejtë si dhe në zgjedhjet e para moniste pas 30 vitesh në 2019 ka një pushtet absolut në çdo sferë të qeverisjes.
Por dëshira e tretë e Xhafarit i solli edhe fundin e tij, pasi egoja e sëmurë jo vetëm i errësojë sytë, dhe shqisat e tjera por dhe vetë logjikën. Nuk e dimë nëse edhe kryemnistri Rama është duke shijuar apo është në tundim për të shijuar dëshirën e tij të tretë?
Ajo që mund ta dimë është se ai tashmë me “Ismailin” e tij mund të fluturojë në çdo kohë non-stop nga Tirana në Los Anxheles, fundja edhe për të realizuar ëndrrën e tij Hollivudiane, si në filmin “Majku Magjik” me qilimin e tij Magjik.