Mapo.al
Qindra policë në zonën e Astirit, duket se janë një masë tejet e sforcuar e qeverisë, jo për të ruajtur rendin, as për të mos i lejuar banorët e revoltuar të bllokojnë rrugën, por bash për të mbajtur në këmbë nderin e një mazhorance që bie cdo ditë në atë zonë, sidomos pasi hynë në fuqi masat e forta në Kodin Penal, për protesta të kësaj natyre.
Qeveria me ndihmën e opozitën së re, i bëri ndryshimet në Kod të cilat janë bërë efektive pak ditë më parë, me shpresën për të shkurajuar lëvizje e rezistenca të forta si ajo e banorëve të Astirit, apo kudo që ato mund të shpërthejnë.
Kur një qeveri rrit masat penalizuese e represive, i bën ato drakoniane ndaj mosbindjes, më e pakta i parashikon se do të jenë të shumta, dhe më së shumti i ndjell ato.
Në ato sinore te Unaza e Re, rrethuar e blinduar me reparte policore, janë në lojë kredencialet e rilindjes. Sepse ligji i saj, që e çon deri në 6 vite burg bllokimin e rrugës, u injorua, u shpërfill bash ditën e parë që hyri në fuqi. Gardhi i madh me uniforma blu aty, është pikërisht për të mos lënë të bëhet copë e therrime autoriteti i qeverisë.
Duke treguar se nuk janë tutur aspak nga masat e forta të qeverisë, nga frika që ka tentuar ajo të mbjellë me kanosjen me burg deri në 6 vite, banorët e Astirit, me shumë siguri nxisin e sitmulojnë edhe shumë të tjerë të pakënaqur, të dhunuar, e të nëpërkëmbur në gjithë vendin, që po ziejnë nga brenda, por që nuk kanë kurajo e zemër për të ngritur krye.
Eshtë e qartë se policia nuk mund të arrestojë çdo ditë dhjetra banorë, t’i procedojë, t’i dërgojë në gjykatë e t’i dënojë me 6 vite burg. Ky do të ishte thjesht një aparteid. Ndaj, gjysma e policisë së Tiranës janë sot në zonën e Astirit, më shumë për të mbrojtur erzin e qeverisë që ka rritur çmendurisht ndëshkimin në Kodin Penal, se sa për të mbajtur rrugën të hapur, apo për të mos lejuar banorët të bien në shkelje ligji.