Aktualitet

Qirjazi: Kapja e shtetit avancoi me forcimin e ekzekutivit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:58 - 19/12/20 |
mapo.al

Çfarë do të thotë termi “Kapja e shtetit”, sa i avancuar është ky fenomen në Shqipëri dhe si funksionojnë mekanizmat e favorizimit nga ana e qeverisë të interesave private duke dëmtuar interesin publik?!






Një analizë për gjetjet e raportit të fundit të Transparency International nga Redion Qirjazi, menaxher i programit për sigurinë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, në një intervistë për MAPO.


Raporti i Transparency International këtë vit për Shqipërinë konstaton “kapje të shtetit”, mund ta sqaroni për publikun çfarë do të thotë ky term dhe çfarë do të thotë kjo për qeverisjen?
“Kapja e shtetit” duhet kuptuar si përpjekjet e përbashkëta përmes mekanizmave korruptive të aktorëve privatë apo publikë, për të ridrejtuar politikat publike dhe legjislacionin larg interesit publik dhe drejt përfitimit privat. Kapja e shtetit ndodh atëherë kur ndërthuret pushteti politik dhe publik me interesat private. Klientelizmi, konflikti i interesit, financimet politike, bashkëpronësia midis elitave politike dhe njerëzve të biznesit, mungesa e kontrollit mbi pushtetin e politikëbërësve (në veçanti të ekzekutivit), janë “portë hyrëse” drejt kapjes se shtetit. Duhet theksuar se kapja e shtetit shkon përtej korrupsionit të thjeshtë; ky fenomen ka të bëjë me abuzimin sistemik me burimet publike.







Problemi më i madh i që buron nga kapja e shtetit është se vendimmarrja politike favorizon interesin privat në kurriz të atij publik. Kjo nënkupton se shumë ligje, politika dhe masa rregullative ngjizen dhe zhvillohen për të avantazhuar grupe specifike interesi, duke cenuar barazinë në shoqëri, konkurrueshmërinë e ndershme, zhvillimin ekonomik, cilësinë e shërbimeve publike, infrastrukturën, mjedisin, madje dhe shëndetin publik.



Nëse do të bëjmë një krahasim me raportet e mëparshme mund të themi që ky është konstatimi më i keq për qeverisjen? Ose nëse ka ekzistuar si fenomen a është ai në rritje vitin e fundit?
Rishtazi, “kapja e shtetit” është përmendur edhe në raportet e Komisionit Evropian për vendet e zgjerimit, ku për më tepër theksohet nevoja për të ngritur politika parandaluese ndaj këtij fenomeni.



Qartazi, kapja e shtetit është përkeqësuar me kohën dhe kjo evidentohet me faktin se legjislacioni po përshtatet për të legjitimuar veprimtarinë abuzive. Një faktor kyç që ka ndikuar në avancimin e këtij fenomeni është dhe dobësimi konstant i mekanizmave të kontrollit dhe balancimit të pushteteve që do të mundësonin, mbikëqyrje, transparencë dhe bashkëqeverisje më efektive.

Në veçanti, vitet e fundit vihet re një fuqizim i njëanshëm i Ekzekutivit ku sipas po Transparency International, parlamenti ka humbur pushtetin mbikëqyrës duke u njehsuar gjithmonë e më shumë me qeverinë dhe shëmbëllyer gjithmonë e më shumë me një “noterizues” të vendimeve qeveritare përmes avancimit të ligjeve që qeveria i gjykon të rëndësishme.

 

Sigurisht në këtë situatë ka ndikuar fuqishëm dhe reforma e cunguar në drejtësi, mungesa e pluralizmit parlamentar, ineficenca e Kuvendit për të mbikëqyrur përmes mekanizmave të tij, pafuqia e institucioneve të tjera të pavarura për të ndikuar në zmbrapsjen e vendimeve të papërshtatshme të qeverisjes dhe tensioni i vazhdueshëm politik që e ka zhvendosur fokusin nga problematika institucionale dhe e ka drejtuar atë drejt debateve të rotacionit politik.

Kapja e shtetit është një problem serioz për mirëqenien publike dhe demokracinë në Shqipëri. Ajo jo vetëm cenon rëndë interesin publik, por mbi të gjitha minon pavarësinë institucionale dhe zhvlerëson besimin publik tek institucionet shtetërore, politikë-bërja dhe parimet e një demokracie funksionale.

Raporti flet për ligje të personalizuara me anë të të cilëve ligjërohet korrupsioni. Si funksionon ky mekanizëm dhe çfarë pasojash ka për interesin publik?
Raporti i Transparency International thekson se kapja e shtetit lehtësohet nga mungesa e ndëshkueshmërisë dhe ligjet e personalizuara. Ndërsa pandëshkueshmëria fuqizon zyrtarë të korruptuar të shkelin ligjin pa frikën e ndëshkimit nga drejtësia, ligjet e personalizuara e legjitimojnë shkeljen.

Ligjet e personalizuara ose, thënë troç, ligje “të qepura me porosi” [tailor-made laws] janë akte ligjore të krijuara për t’i shërbyer vetëm interesit të një personi fizik, ligjor apo grupimi individësh të lidhur me njëri tjetrin, në dëm të aktorëve të tjerë të grupimit shoqëror apo dhe interesit publik.

Ndonëse këto ligje mund të duket se kanë aplikueshmëri të përgjithshme, në fakt kriteret e listuara brenda tyre ofrojnë limitime të shumta për shumicën e qytetarëve, me përjashtim të grupit të interesit për të cilin hartohet ky ligj. Ligjet e personalizuara mund të konsiderohen si shprehja me e lartë e kapjes së shtetit pasi ato efektivisht e ligjërojnë kapjen e shtetit dhe korrupsionin. Ato mund të përmblidhen në tre kategori kryesore sipas qëllimit të krijimit të tyre: ligje që ndihmojnë në kontrollimin e një sektori apo industrie, ligje që reduktojnë kapacitetin e institucioneve për të ushtruar kontroll demokratik, dhe ligje që mundësojnë qëndrimin në pozita të rëndësishme të personave që lehtësojnë korrupsionin.

Në rastin e Shqipërisë shohim disa raste të ligjeve të personalizuara si për shembull (rastet janë të evidentuara në raportin e Transparency International):

• Ligji për lojërat e fatit i vitit 2015 fillimisht presupozohej te kishte 25% takse, të limitonte numrin e vendeve të lojërave të fatit në 500 dhe të respektonte distancën e të paktën 200 metrave nga institucionet fetare, shtetërore dhe të arsimit. Me ndërhyrjen e disa deputetëve të LSI këto parametra ndryshuan në 15%, 1000 pika lojërash dhe 100 metra. Kjo lëvizje i dha hov një industrie të madhe në Shqipëri që përpos kostos sociale lehtësoi mundësinë e larjes së parave për krimin e organizuar, si dhe ndihmoi në veçanti 5 kompani bastesh që kontrollonin mbi 80% të tregut.

• Rruga Milot-Balldren pati një fryrje të pashpjegueshme të kostos së ndërtimit pas një propozimit të pakërkuar nga qeveria nga një kompani ndërtimi. Qeveria kaloi ligjin Nr. 52 në Korrik 2019 për të finalizuar këtë projekt. Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi se kostoja i kalonte parashikimet e Strategjisë Sektoriale të Transportit 2016-2020. Kompania fituese ishte në pronësi të një personi që ka lidhje të ngushta me pushtetin aktual qeverisës.

• Pezullimi i çështjes Gjiknuri nga Prokurori i Përgjithshëm në vitin 2016 pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte bërë një padi mbi ministrin për dëmin e shkaktuar shtetit (479 milionë Euro) pas negociatave me ČEZ pasi ju pezullua licenca e operimit.

• Ndryshimet kushtetuese ne 2008 benë të mundur që veto e presidentit të hidhet poshtë me një shumicë të thjeshtë përkundrejt asaj të cilësuar si dhe i dhanë kontroll më të madh drejtuesve të partive për të diktuar kush futet në Kuvend – duke limituar kështu pushtetin e popullit në vendimmarrje.

Një tjetër problematikë ka të bëjë me riskun e lartë për korrupsion në sektorin e mbrojtjes. Çfarë pasojash ka kjo për një vend anëtar të NATO-s?
Sipas një raporti tjetër të Transparency International, të lëshuar në datën 9 Dhjetor 2020, “Progres i [Zh]Bërë: Qeverisja në Sektorin e Mbrojtjes në Evropën Qendrore dhe Lindore”, Shqipëria vlerësohet si vend me risk “të lartë” të integritetit në këtë sektor. Ajo renditet e parafundit në Ballkanin Perëndimor me 39 nga 100 pikë të mundshme, duke lënë pas vetëm Malin e Zi.

Studimi mbulon periudhën 2018-2019 dhe vjen në një kohë kur kriza ekonomike, politike dhe shoqërore në Shqipëri (fatkeqësitë natyrore, unipolariteti politik, COVID-19 dhe kriza ekonomike shoqëruese) e kanë zhvendosur vëmendjen larg këtij sektori, ndonëse shumë i rëndësishëm për politikën ekonomike, të sigurisë dhe atë të jashtme të vendit.

Problematika e evidentuar në raport thekson nevojën për të mos e lënë “në hije” këtë sektor të rëndësishëm dhe për t’u ri-angazhuar me nevojat e tij me qëllim zbutjen e riskut ndaj korrupsionit dhe praktikave të këqija të qeverisjes.

Faktorë të rëndësishëm që kanë ndikuar në këtë rezultat janë: (1) kontroll i dobët parlamentar (2) zbatueshmëri inkoherente të legjislacionit për monitorimin e sektorit të mbrojtjes (3) menaxhimi dobët financiar dhe prokurime pa mbikëqyrje të fortë të jashtme, (4) transparencë e ulët falë tendencës për mbi-klasifikim të informacionit, dhe (5) mos-përfshirja e korrupsionit si një çështje me rëndësi strategjike në doktrinën e mbrojtjes dhe të institucioneve të sigurisë. Sipas raportit të Transparency International, risku i korrupsionit në sektorin e mbrojtjes mund të shumëfishohet, sidomos duke marrë parasysh që vende si Shqipëria janë angazhuar për të përmbushur objektivin e NATO-s për të rritur shpenzimet mbi prokurimet në të paktën 20% të buxhetit të mbrojtjes.

Konkretisht problematikë për Shqipërinë mbetet fakti se plani i prokurimeve të mbrojtjes duket të mos jetë i bazuar qartazi në Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes gjë që mund të çojë në ndryshime të shpeshta të planit të prokurimeve dhe se legjislacioni specifik për mbrojtjen mund të përdoret për të përjashtuar prokurimet e mbrojtjes nga ligji për prokurimet publike duke limituar mundësinë për mbikëqyrje efektive.

LEXO EDHE:

“Kapja e shtetit” – Dorëzimi i “rilindjes” te krimi dhe korrupsioni

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas