fbpx

Mapo Letrare

Quartet





               Publikuar në : 18:15 - 06/07/19 |
mapo.alm

Nga Adem Xheladini


darka solemne…



Po pres,
pritjes pahetueshëm pasdarke
të vish,
vrullshëm,
vetminë ta vras
aty,
ku nata ndan
natën me mëngjes
aty
ku njëmijë net ndalen
në të barit vesë


Sot,
sërish sodita skutë sysh
aty,
ku krojet kullojnë kaltërsi
hëngra nga hojemjalta
hidhërueshëm
aty,
ku fatet fshehen
e fashiten fërfëllueshëm
aty,
mes malesh mbuluar
me të borës bardhësi
aty,
ku jeta,
më josh jetën,
aty,
të ngjallem
përsëri!

Pa mure…

Vijmë nga i njëjti trung
Dhe s’e kemi ditur
Nëpër shtigje muzg
Acaresh sfilitur
Në dyndjen e madhe
Ecejakeve.
Ti më thua se…,
Në dashuri,
S’ka kufi, as mure
Kemi një gjak,
Që rrjedh pandalur!
Nëpër shteg të jetës
Një diell që na ngroh,
Një rreze në dritë hëne
Gdhijmë,
Të njëjtit mëngjes
Të njëjtës ëndërr
Kemi vijën e jetës,
Në horizont.
Mbase,
Ku i dihet!?
Jetë! –i thonë.

 

Flora Peçi

 

Nuk ofshaj

Dua të dehem në gjumin e parë
Qepallës lotin e ditës dua t’ia largoj
Nuk dua të dremitem në vuajtjen e ditës
Dua ëndrrës t’i rrëfehem
Nuk dua asaj vuajtjen e ditës t’ia tregoj
Dua të shtrihem në imagjinatën time
Vargut lutjet e mbrëmjes
Me muzën time t’ia thur
Vargu im !
Ti e di çfarë shkruan pena
Ti e di çfarë dua unë
Ti e di…
Dua..
Nuk dua…
Unë…nuk ofshaj më.

 

 Malli

Zhytur në mendime
Pluhurosur nga kjo jetë e sotme
Kërkonte oxhakun e vjetër
Murin e tymosur,
Shtëllungat e duhanit të gjyshit
Odën e mbrëmjes
Kur trokiste një udhëtar në portë
Kur sofra shtrohej
Kur nëna gatuante misërniken
Kur nga magjia merrte bukën
Mëngjesin, kullotat e bagëtive
Erën e vajgurit të mbrëmjes…
Mall nga largësia
I ngopur me bulevardet
Jetën e zhurmshme
Në qytetet e huaja
Malli nuk shuhej
Nga luksozja e huaj.

 

Dan Ibrahimi

ka uri dhe etje shume

ka uri dhe etje shumë

më shumë se njeriu nga përralla
sa u sosen grunajat
dhe u shterren krojet
blatimë kokërr per kokërr
pikë për pikë i do të gjitha
sa i madh
sa i delir
pasi piu mitet, legjendat, këngët…
i dashka edhe përrallat e gjysheve
ninullat e nënave, lojërat e fëmijëve…
ka uri dhe etje shumë

 

sonte

Sonte mbuzje malli
për numrat e munguar
më godasin
poreve tablotë
si me kupë
i ka pirë koha në ecje
një lis
një qen
një mace me lara
një njeri …
ishin aty
shtjellë kujtimesh
mbuzje malli
çmë plasi
sonte

 

Xhelal Ademi

 

Po resh shi e dashur

Po resh shi e dashur përmbi kokën time
Kur përjasht harruar ndjenjat kemi lënë,
Ndaj sakaq vrapova të shpëtoj kujtime
Që çadra e mendjes nuk i pati nxënë.

Por në çast u mbytën nga një lum i etur
Prandaj mbi karvane erdhën netë të vona,
Kur ua hapa derën atje e kam gjetur
Tek e vriste veten kjo përrallë e jona.

Ndonse m`erdhi keq, vajta që ta mbroja
Por ky shi i çmendur po vërshoi këtu,
Ndaj i mbylla sytë teksa shembej Troja
E nuk pashë në mbylle dhe ti sytë e tu.

Zbret teposhtë ky shi, ti s`besove dot
Se shirat kanë lindur edhe për të vrarë,
Për shembull një bletë po e vret për kot
Teksa puth një lule për ti marr nektar.

Dhe bjen shi e dashur, vjeshta sa ka nisur
Me ca ngrica malli më troket te dera,
Kot të paskam shkruar përmbi gjeth të grisur
Se kështu të lagur s`mund të ta sjell era…

 

 

Sonte nga larg

Nga larg më thua, m`ka ikur gjumi
Se s`mund ta ndalja pa frenj në dorë,
Kur loti mbyti ca ura lumi
Në breg të shpirtit po binte borë.

Me digë qepallash se mbaja lotin
Prandaj e mbusha një det të tërë,
Veç pak më thua, ta njihja notin
Drejt teje rrugën do kisha bërë.

E ndjej që sonte t`ka mbytur shiu
Dhe t`solli ngrica mbi ca kujtime,
Ndaj t`lutem, gjaku nëse të ngriu
Merr hisen tënde nga zemra ime.

Dhe flej e qetë se vonë u bë
Po vjen e dehur një natë e dytë,
Por nëse gjumi s`afrohet më
Merr gjumin tim dhe mbylli sytë…

 

 

 

 

 


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas