Nga Lola Shehi
Pranverë qaramane
Ç`është kjo pranverë qaramane
Që puthjen e vluar ma shuan mbi buzë
Më lag trupin, më than shpirtin
Më ndez e më shuan nën bluzë
Çadrën përtoj ta marr me vete
Rrëkeza të ujshme shpërndahen në trup
Pritë ju zë aty mes buzësh
Dhe zë e joshem si e paturp…
Një çift i ri puthet nën strehëz
Për vete kam qiellin çati
Si e ke hallin qaramania pranverëz
Mos vallë për vajzat ndjen xhelozi?
Pa dhëmballë
Lukuni ujqërish m`u bënë në ëndërr
Të uritur
Të babëzitur
Me zëra të çjerrë deri në ekstazë
Me gojë të shqyera
Dhëmbë përbindëshash
Po për çudi,
Nuk kishin dhëmballë
Kafshonin,
Shqyenin
Kapërdinin
Gjenin e ç`nuk gjenin vërdallë
Nga Lan Qyqalla
Unë jetoj
Unë jetoj ,
me dhimbjen për ty
Ti jeton në mua
me mallin për ty
ne jetojmë në vetmi
e presim ardhjen me agshol
Ku shkove si zana e mrizave
më le në livadhet e purpurta
Më thuaj dashuria te cili burim rrjedh
në cilën hije të dhimbjes
Ta shuaj etjen për ty.
Mos sodit në aguliçore
prapa mos u kthe
portat e zemrës
janë nën shtatë dry
aty të burgosur
do më gjesh me frëngji.
Lumturinë në ikje e kërkove
E gjete strukurë në pishinë
Me vapën përcëlluese
E shtratin e bardhë të nusërisë.
Më mungon në Velipojë
Pulëbardhat sjellin kujtime
mbeshtjellë ne marhama kujtese
në guacka rrëshqasin orët
e Moteli në reminishencë
ishte plot turistë
vetëm ti më mungoje
në Velipojë.
Deti në tejhorizont
prek qepallat e tua
flokët e shprishura i pashë
duke valëzuar në shkumë
skalitur ishe në syprinën e kaltër
syri yt lotdeti i njelmtë
në perqafim malli
shtrëngoj buzët e qara
Deti merr në gji
ngrohtësinë e lumenjve
vrushkuj avujsh në kokë
ndjejnë ikjen tënde
në perëndimdielli
pres ardhjen se kur…
siç pret deti
lumenjtë të derdhen!
Skender Temali
Ç’tha poseidoni
Vijnë dallgët valë-valë,
Pulëbardhat kanë për vela,
Kridhen n’to një vajzë e djalë
Në të shtuna dhe të djela.
Nimfë s’qe, po nimfë prej reshë,
Shkrihej krejt n’krahë të djalit,
Dhe në fund, një dorë kesh
Lekë a euro merr prej hallit.
Qanin pishat e bregdetit,
Lot n’qerpikë të halave,
Qanin dhe yjet e detit
Gjithë vajzat e valëve!
Një të shtunë ato nuk erdhën,
Pyesnin dallgët vallë pse,
Dhe rrufetë heshtat derdhën
Një këtu e një atje.
Pritën dallgët, prita unë,
Pritën pas reve rrufetë,
N’vend të çiftit erdh furtunë,
Dhe zgalema përmbi detë.
Poseidon, ty trafikanti
Të rrëshqiti, valët thanë,
Djali vajzën rrugës ia shiti,
Për një grusht eurosh matanë!!!
Poseidon, në qofsh prap mbret,
Rri vëzhgo, ai prap do kthehet,
Ngrija mal dallgët në det,
Një vajzë tjetër mos t’rrëmbehet!
Qeshet, ngryset, Poseidoni,
Everest u bë dhe deti,
“Ktë mua mos ma kërkoni,
Se mbret n’tokë është pushteti”.
Nga Ismet TAHIRAJ
Qielli sheh hatanë
Kosova në çaste hidhërimi
Dje më pruan hanxhar
Më thane ,a kemi mpehë mirë
Midis yje do të vizëlloi
Midis pikave të kuqe
Do të shkëlqei mëri
Kur shkuan diçka thanë
Ju s’keni as parcela
Ne kemi edhe taban.
Kur u kthyën
Varrët në fushë beteja
Morën lëmerinë
Ah sa e sa skifter
me flokët tona
Çerdhet i gaditnin
Rudinës.
Iliria fshanë
Qielli sheh hatanë…
KOKË NË VETE
Ramushit
Kokë në vete bëjë
Kokë në vete s’ngatërrohem
Gjylpërash përballohem
S’jepem por përcellohem
Jam nga gadishulli Ilirik
Ju them ndër sy
Ti ,që shtihesh i hatrit
S’je mik.
Mos më trazo valet
Dhe ik e ik ….