NJI GRUSHT
Gjithë bota ime
në nji grusht
pesë gishta bashkë…
Aty drejt
mespërmes
nji Drin me halle
sa nji pusht
ndërhyn si mendjemadh
me dredhesë.
A thue sak’
gjakun e ban ujë
e shpirtin ma ndan në pesë!
Pff ç’burracak!
Ai Drin…
DASHURI
Muzgjeve notoje në vargje Pushkini
e agimit pa u çue n’gjunjë njai’ Diell
ti i buzëqeshje
me nota sonetesh.
Kur më kacarrokje
ngrohtësi vargjesh të Lorkës
më numëroheshin përnjëherazi
me rrahjet e tandes zemër
aty në kraharor ku takoheshin.
Mbasandaj trishtoheshe
e mue
tinguj të Bet’hovenit
më renditeshin
e faniteshin
si një ninullë
kur isha foshnjë…
E mban mend
kur m’i këndoje?
Nanë…