Mapo Letrare

Quartet






               Publikuar në : 18:15 - 22/06/19 |
mapo.al

Kozeta Zavalani


 

Më ka marrë malli

Nuk çmallem asnjëherë me ty Korça ime e dashur!

Nuk çmallem asnjëherë me ty Korça ime e mirë!

Sepse vij e iki, duke shkelur të njëjtën rrugë.

Sepse vij e iki, duke thënë e dhënë lamtumirë,

personave që më rritën e më mungojnë shumë!

Më ka marrë malli të eci shkujdesur, si dikur,

ledhatuar nga aroma e blireve e jargavaneve,

që lidhin fjongo në zemrën e thyer, si dritë.

Me pashkëza fati, ngulur si karficë mbi dhimbjen,

Për njerëzit e dashur, që i përcjell përjetësisë…

 

 

Gishtat e kujtimeve

 

Gjuhëkëputur gishtat e kujtimeve

Lëkurërrjepur shartojnë dimrin me pranverë

Ndërpritet frymëmarrja e ëndrrës

Me zemrën vendosur mbi tryezë.

 

Shkulen dheut rrënjët e shelgjeve

Si grindje ujqish që zbresin përroit në fushë

Hapësirave që ecin këmbëzbathur në mynxyrë

Oborreve që vjedhin peizazhet e dashurisë.

 

Shpina ime e rregjur vazhdon të jetë urë

Që lidh rrugët e vjetra mendjekrisur

Kujtimeve u bëhet homazhi në zjarr

Digjen adresa skeletësh, që nuk kanë as varr.

 

 

  1. Xhemile Adili

SA LARG MË JE, SA AFËR ME JE!

Sa larg më je, sa afër më je,
ti Atlantidë, stepë, pol jugu!
Zemra ime është shqyer në miliona pjesë,
e ke ngado, ku vete e kthen ti, ku qesh, derdh vrerë.

Kështu Kërçova m’është rrugë ku shkelte Flober, Prever
e shumë poetë nga të katër anët e botës. Isha e jam me ata
dhe kur mihin shpirtin dhe kur prekin plagët,
zemra ime është zemër e kthyer nga fate betejash,
që futet në buqete festash e valle të një dasme.

Sa larg më je, sa afër më je,
ti plazh i valëve, ti perëndi e mëkateve,
të dua kaq herë, sa do pianeci verën e heroi lirinë.
Zemra më plas dhe dëgjoj murmurimat e zemrës tënde.

Kur rënkon ti, unë futem nën tokë fare.
Kur triumfon ti, unë shtoj buzëqeshjen e çdo arme.
Ky vend lashtësie të fortësisë si jetë e tëra perëndive,
me jap shpirt e gjak, të të dua, sa do bima e mugulluar
diellin e shkrumbit tim, – kësaj are.

JETA ËSHTË DET

Do doja të shihte tek unë vargun e dashurisë
edhe Zhak Prever. Vdekja si klith lehtë,
dashuria si rënkon gjatë.
Rruga si dridhet, por nuk dridhem unë,
kur të dua shumë, ty të them.
Ky diell nuk ka për të perënduar,
nuk ka për të pasur lule të vyshkura
ky xhan që unë mbaj në duar.
Ndërsa Zhak flet për Brest e Barbaranë,
unë flas për rrugën time dejt Tetovës, Shkupit,
Tiranës, Prishtinës…
dhe i prek dhimbjes kulmet.
Ta them, po ha mishin tim të gëzimeve,
po pi gjakun tim të buzëshjeve e të dua ty!
Jeta është det dhe unë jam thellësia e tij.

 

 

  1. Alma Braja

Dikur do të dëgjohen

 

Kur i dëgjova fjalët e tua?
Kur më ftove në dhomën tënde të përgjigjeve,
vetvete?
Ti veç pyetje bëje.
Kishte raste që duhej të futesha thellë.
Thellë në mendime.
E mendimet,
të tjera punë kishin të bënin.
Ta hidhja në fall, vetvete, pyetjen tënde?
Atë që do përgjigje?

Në dhomat e tua, shi dëgjohet përherë.
E çfarë shoh nga dritaret, lagështirë është veshur.
E nuk i dihet!
Ndoshta pyetjet kështu gjejnë përgjigje në ty.
Duke u parë në xhamin e atyre dritareve.
Jo jashtë.

Por edhe në pyetjet e tua shi bie.
Do të jetë përgjigje ky shi për ty, më dëgjo, vetvete!
Zhveshur do të jenë vargjet nga çdo poezi,
por ti e di!
Dikur do të dëgjohen.

 

 

 

 

 

Kam dhe unë një ankesë 

-Më kupto-
jo nga të tjerë.
Kam dhe unë një ankesë,
nga toka ime e vjetër,
e papërdorur.
Nga toka ime,
e pambjellur kurrë.
Vijnë zogj në tokën time.
Zogj dhe bletë.
Vijnë dhe ikin.
Ngatërrohen,
nga era e nxehtë e verës,
që mbart aroma e erëra pjekjeje.
Pemësh që lidhin fryte,
nga tokat fqinjë.
Kam dhe unë një ankesë,
më kupto!
Jo nga të tjerë.
Nga një paripërtëritje e dheut tim.

 

 

 

  1. Irena Hoxha Curraj

 

JETA ËSHTË FRYMË

Njeri,shikoje jetën në sy,

Kudo jep dhe merr mirësi,

Nëpër skutat dhe misteret,

Respektoj të gjitha nderet!

Jeta është ide – veprim,

Kërkon punë dhe guxim,

Kërkon miq, korrekt, xhentil,

Melhem i shpirtit tim.

 

Jeta fërshfërin si deti – erë,

Frymë – aromë si lëndina,

Mbushur plot me ngjyrë trëndeline,

Prush – frymëzim si kanarina!

 

MOS VRISNI ËNDRRAT

 

Lëreni shpirtin të lirë.

të veproj pa frikë,

mes ëndrrash dhe vegimesh,

të kapë kaltërsitë!

Lëreni shpirtin të lirë,

të kërkoj në hapësirë tej,

betejat e jetës nuk duan ndryshk,

po ozon dhe gjak të zjejë në dej.

 

Lëreni shpirtin të fluturoj,

në mes ëndërrash të marrë jetë,

pa ëndrra nuk do kish kuptim kjo botë,

do mbetej gjithmonë e shkretë!

Lëreni shpirtin të fluturoj,

krahët një ëngjëlli mos ja prisni,

është ai që botën do ta ndryshoj,

ëndrrat rinore mos i vrisni!

 

 

 

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas