Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar takim me qytetarët në Malësinë e Madhe. Basha është takuar edhe me mbështetës të PD-së në zonë. Gjithashtu kreu i PD ka zhvilluar takime me biznese familjare, kur tha se kjo qeveri ka ngritur trarë të padukshëm dhe po zhvat bizneset duke i detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre.
Një pronar biznesi në Koplik iu ankua kryedemokratit, duke I thënë se të gjithë kanë frikë të dalin në Shkodër pas vrasjeve të fundit që kanë tronditur qytetin verior. Kreu i selisë blu pohoi se vendi është kapur nga 5 oligarkë me në krye kryeministrin, Edi Rama dhe kjo është burimi i largimit të shqiptarëve dhe mungesa e perspektivës.
Banori: Ne kemi frikë në Shkodër me dalë me pi kafe.
Basha: Drejtësi nuk ka dhe kjo i ka sjellë njerëzve dëshpërimin. Tatimorët sillen si harbutë dhe vijnë për të zhvatur bizneset. Njerëzit duhet të punojnë me ndershmëri dhe me një garë. Duhet një ndryshëm i madh që të përfaqësojmë të gjithë këtë ndryshim. Pesë vetë e kanë kapur këtë vend. Ky sistem duhet shembur. Rama është i ikur edhe ai e di. Ne nuk luftojmë për pushtet.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Edi Rama ka instaluar një diktaturë të re, jo më marksiste dhe staliniste por diktaturë të kriminelëve. Kjo është arsyeja pse nuk gjejnë mundësi të rinjtë për punësim. Beteja që kemi nisur nuk është thjesht për largimin e Edi Ramës.
Regjimi i Edi Ramës është një regjim i mbaruar politikisht, prandaj vërtitet si kufomë politike dhe mendon se do t’ua marrë mend shqiptarëve me batuta. Beteja jonë është shumë më shumë se largimi i tij.
Beteja jonë është për të shembur regjimin që ka ngritur në themel, që nesër të mos jenë më 5 oligarkë që bëjnë ligjin nga jugu në veri.