Një seri paralajmërimesh për bomba në disa shkolla alarmuan Malin e Zi. Qeveria vendosi të pezullojë mësimin në të gjitha institucionet arsimore të vendit pas një serie mesazhesh të dërguara me postë elektronike në 41 shkolla të vendit.
Në tekstin kërcënues thuhet se “në territorin e shkollës janë vendosur shumë bomba. Gjithmonë kemi ëndërruar për hakmarrjen. Do të hakmerremi, do të vijmë në shkollë. Do t’i vrasim të gjithë. Askush nuk do të mbetet gjallë. I gjithë qyteti do të rrjedhë gjak”.
Mesazhe kërcënuese përfshinë shkollat e thuajse të gjithë qytetet malazeze, përfshirë Podgoricën, Ulqinin, Tivarin, Nikshiqin, Çetinjën, Herceg Novin, etj. Reagoi menjëherë presidenti i Malit të Zi, Milo GJukanoviç, i cili kërkoi nisjen sa më parë të hetimeve për kapjen e autorëve.
Gjukanoviç i quajti mesazhet “provokime” për të destabilizuar vendin përpara zgjedhjes së një qeverie të re, e në prag të sezonit turistik. Policia malazeze po kontrollon për praninë e bombave në shkollat e kërcënuara, por deri më tani nuk është zbuluar asnjë rast.