Aktualitet

Ra ky tërmet dhe u pamë






               Publikuar në : 19:44 - 21/09/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Tirana është një qytet armiqësor. Dëng me stres, me kalimtarë në hall, me fytyra shumë rrallë të qeshura. Qysh se nis marshi i tmerrshëm i qepenave e deri pas mesnate, të vranët janë njerëzit. Zhurmë, të bërtitura dhe nga ana tjetër memecëri. Nuk ka një komunikim normal. Qytetarët përditë e më të vegjël, përballë betonit që ngjitet e ngjitet kërcënueshëm vertikalisht. Boja e homo sapiensit ka humbur. Lagjet, këto fjetore të mëdha, ku në një pallat gjysma nuk flet me gjysmën tjetër. Dikush ia ka prishur dikujt në kafe, një tjetër nuk paguan për administrimin, është patjetër një grup burrash tapë, një soj është cmirëzi, dhe shumica mendjemëdhenj.



Ka edhe më. Rilindas fodullë, demokratë që ndihen viktima, dhe lësëistë që thonë ‘e morët vesh çar tha Meta’. Në armiqësinë e përgjithshme, për shkak se punët nuk ecin kurrkund, konsumi ka rënë, dhe përditë e më pak blihet në markete, se për ikje në fundjave s’bëhet llaf, ka ndikuar sigurisht dhe politika.

Por të shtunën e 21 shtatorit, në orën 16.05, të gjitha këto u lanë mënjanë.

Tërmeti që ra duket se shkundi edhe nervozizmin, pakënaqësitë, dhe inatet. Qindra burra dhe gra u lëshuan rrugëve, u bënë grumbull, pjesë e një bashkësie humane, të pamundur, të dobët e solidarë, përballë një goditje që dha natyra. U harruan debatet e vjetshme, dhe ato më të freskëtat të pak ditëve më parë. U tretën dallimet prej krahinave. Ranë edhe ato sinoret partiake. U shuajtën për një pasdite dhe pabarazitë sociale, mes milionerëve të vilave ngjitur me të ngratët e rrokaqiejve që mezi mbyllin muajin.

Ç’ishte kjo? Si jeni? A shpëtuat të gjithë? Dhe ja ku janë, tok të bërë bashkë, në një copë vend diku mes ngrehinave të shëmtuara, se shumë pak truall ka ngelur bosh.

Kjo orë e vështirë, trandja më e madhe në 40 vitet e fundit, i bëri të reflektojnë të gjithë, lakmitarët, të babëziturit, arrivistët që nuk ndalen para asgjeje për të shkuar diku, këpucarët, shitësit e rrobave të përdorura, pensionistët, veteranët që mbajnë ende foton e Enverit në xhep, pasanikët me Mercedes të fundit, adhuruesit pa shkak të Rilindjes, ata që thonë se Veliaj po punon edhe pse kanë një javë pa u larë se s’kanë ujë, të rinjtë që rrinë tërë kohës me hundën zhytur në smartphone, mashtruesit, hajdutët e tenderave, vjedhësit e shtëpive, çdo filozof të djathtë që e di veten më të dijshmin e Ballkanit, të ndershmit dhe mëkatarët. Në të njëjtin qiell, disa orë njësoj, në të njëjtin destin.

Për të kuptuar ndoshta se jeta nuk është aq e gjatë sa për të mbjellë kaq shumë ndasi e hasmëri. Dhe sidomos për t’u ndërmendur, se jeta është vetëm një, nuk ka disa.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas