Kina pretendon se ka zbuluar sinjale që mund të kenë ardhur nga qytetërime të tjera jashtëtokësore. Këtë e ka bërë të ditur profesori Zhang Tongjie, shkencëtar i Departamentit të Astronomisë, në Universitetin e Pekinit, i cili thotë se radioskopi kinez “Sky Eye” ka zbuluar sinjale elektromagnetike, të ndryshëm nga të gjithë ata të zbuluar në të kaluarën. Profesori saktësoi se këto sinjale janë dyshime, sepse për të provuar studiuesit po punojnë për hetime të mëtejshme.
Sinjalet “aliene” u zbuluan nga “Syri i Qiellit Kinez” siç njihet radioteleskopi më i madh dhe më i arrite në botë që ndodhet në Kinën jugperëndimore. Për shkak të ndjeshmërisë së tij, radio-teleskopi konsiderohet si një nga më të përshtatshmet për marrjen e sinjaleve jashtëtokësore. Për këtë arsye, Universiteti i Pekinit ka lidhur një marrëveshje me Universitetin e Berkeley-t që synon kërkimin dhe zbulimin e qytetërimeve aliene.
Në vitin 2020, ekipi vuri re dy grupe sinjalesh të dyshimta gjatë përpunimit të të dhënave, dhe në vitin 2022, ata kapën një të tretë. Por si i dallojmë sinjalet natyrore nga ato që vijnë nga qytetërimet inteligjente aliene? – transmeton Liberale.al. – Ekipi i studiuesve propozoi një model të parë (të quajtur përputhje me shumë rreze) dhe identifikoi një sërë kriteresh në lidhje me frekuencën dhe polarizimin e sinjaleve. Tani këto modele dhe kritere do të analizohen për të verifikuar nëse është e besueshme që sinjalet “jonormale” mund të vijnë nga qytetërime të tjera inteligjente:
“Ka shumë mundësi që sinjali i dyshuar të jetë një lloj ndërhyrje. Supozimet duhet të konfirmohen ose të përjashtohen më tej, gjë që mund të kërkojë një proces të gjatë. “Sky Eye” do të përsërisë vëzhgimet e sinjaleve të dyshimta të zbuluara për të kontrolluar më tej dhe për të identifikuar sinjale të reja”, vuri në dukje Zhang Tongjie.
Sinjalet “anormale” të radios kanë qenë gjithmonë në vëmendjen e atyre që gjuajnë për komunikime të mundshme aliene, sepse depërtojnë lehtësisht në atmosferë. Për këtë arsye, radioteleskopët kanë qenë gjithmonë shtylla e kërkimit të qytetërimeve jashtëtokësore: në vitet 1960, astronomi amerikan Frank Drake nisi eksperimentin e parë modern për të kërkuar jetë inteligjente jashtëtokësore duke përdorur radioteleskopin Arecibo, por kërkimet e tij rezultuan pa asnjë dobi. “Syri kinez” është shumë më i fuqishëm dhe më i ndjeshëm se Arecibo dhe mund të mbledhë deri në 19 sinjale nga zona të ndryshme të hapësirës.
Me pak fjalë, deri më sot nuk kemi asnjë provë shkencore të komunikimit ndëryjor me forma të jetës jashtëtokësore, por vetëm sinjale të dyshimta. Për shumë nga ata që besojnë se ekziston jeta aliene, pyetja mbetet e njëjta që shkenca duhet t’i kthejë përgjigje: a është e vërtetë, se ne jemi të vetmet qenie inteligjente në univers, apo ne, me mjetet tona të kufizuara teknologjike, nuk jemi në gjendje të dëgjojmë mesazhet që alienët po përpiqen të na drejtojnë dhe duan të komunikojnë sa më parë me njerëzimin? /Përgatiti: Liberale.al/