Aktualitet

Raile Luzaj, fisnikja që togeri vuri të burgosurat ordinere ta rrihnin








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:15 - 29/09/20 |
mapo.al

Raile Luzaj, kaninotja fisnike, motra e profesorit Isuf Luzaj dhe më pas gruaja e patriotit Ceno Çaushi, vjen si një personazh legjendar vuajtjesh në burgje dhe kampe internimi përmes dëshmive të të dënuarve politikë. Në burgjet e komunizmit jo vetëm që gratë nuk kanë munguar, por ato edhe janë torturuar pa pikë mëshire apo gjurmë morali njerëzor të hershëm sa bota. Raile Luzaj ishte një prej tyre. Railja ishte motra e Isuf dhe Ibrahim Luzaj.


Në dosjen e saj, ata cilësohen udhëheqës dhe organizatorë të Ballit Kombëtar të arratisur nga Shqipëria në vitin 1944. Isuf Luzaj është një antifashist dhe ballist i njohur, një intelektual dhe letrar me përmasa ndërkombëtare i cili ka jetuar për shumë vite në Shtetet e Bashkuara pas ikjes nga Shqipëria. Kur ishte kthyer nga ishulli i Ventotenes në Itali, ai u bë një nga bashkëthemluesit e Partisë Socialdemokrate shqiptare, por shumë shpejt, e la atdheun, si e vetmja formë shpëtimi nga forcat komuniste që morën pushtetin.


Megjithatë regjimi nuk do e linte të pandëshkuar dhe në vitin 1953 arrestojnë motrën e tij të vogël, Railen 25-vjeçare, e cila, kur të vëllezërit u arratisën, kishte qenë vetëm 16 vjeç. Railja u dënua me plot 10 vjet burg, sepse familja e saj kishte “ndihmuar deri në fund organizatën e Ballit Kombëtar”; ishte në dijeni “për organizatën Rilindja Kombëtare” dhe kish “ndihmuar anëtarët e saj si Dervish Hodon dhe Petref Bajramin duke u dhënë atyre edhe një makinë shkrimi nga fundi i vitit 1948”; sepse kishte bërë “agjitacion dhe propagandë”; gjithashtu kishte bërë “fushatë mbledhje ndihmash për të burgosurit e Burrelit” dhe mbante në shtëpi një armë të të vëllait, Ibrahimit. Të dhënat që i ka nxjerrë nga dosja e saj, Enver Memishaj, plotësohen nga dëshmitë e të dënuarve që e njohën Railen në kampet dhe burgjet ku ajo u dërgua për të vuajtur dënimin e për të djegur rininë.



Railen e përmend në një shkrim të botuar në gazetën “Zëri i Ballit Kombëtar”, në vitin 1957, i dënuar Ismail Çeprati, i cili kishte mundur të arratisej nga Shqipëria. Pasi kishte vuajtur torturat e burgjeve dhe togerëve të Burrelit dhe Tiranës, Ismaili dërgohet në Vlorë, ku të dënuarit ndërtonin burgun e këtij qyteti. Siç tregon në dëshminë e tij rrëqethëse, Ismail Çeprati, torturat pa shkak do të vazhdonin njëlloj edhe në këtë kamp, por me një autor të ri, togerin Naum Tiko, preja e të cilit ishin armiqtë si Railja. Në këtë burg ishte një vajzë balliste, Raile Luzaj. Kjo vajzë është idealiste, guximtare, e zgjuar, me moral të lartë, e pajisur me të gjitha cilësitë që mund të ketë një vajzë e rrallë shqiptare që i bënte nder Ballit Kombëtar. Kjo vajzë arrestohet dhe torturohej në mënyrë të veçantë nga togeri kriminel.


Një grup prej 30 a 35 vajza ishin të dënuara të punonin me ne, midis tyre dhe Railja. Një ditë dëgjova Naumin kur i tha një vajze të quajtur Afet Dervishi, partizane e vitit 1942 dhe Bule Ramizit që kish miqësi me të, që ta rrihnin Railen e të mos druheshin aspak, se nuk u bëhej gjë. Afet Dervishi ishte dënuar për vjedhje. Raileja e kuptoi vetë këtë komplot, por unë ia thashë. Pas pak ditësh, Railen e shkretë e rrahën tepër rëndë shoqet e saj ish-partizane të shtytura nga togeri. Nuk mjaftoi rrahja, por togeri, Railenë e mbylli në birucë, e mbajti 4 ditë pa bukë e pa ujë”.


Veç kampit të punës së Vlorës, Railja ka qenë edhe në burgun e armiqve të popullit, në Burrel. Ajo u burgos, por mbeti e dënuar edhe pas daljes nga burgu, kur e internuan në Lushnjë, si përshkruan në fjalën e lamtumirës, në vitin 2014, studiuesi Uran Butka. Atje, ajo u martua me patriotin Ceno Çaushaj, për të nisur një kapitull të ri vuajtjesh, këtë herë si gruaja e një të dënuari politik, që do të kujdesej e vetme për dy djemtë e tyre, gjatë 18 viteve të tri dënimeve të tij dhe do të mbante gjallë bashkëshortin në burgun e Burrelit, ku pa ndihmat e familjarëve ishte e vështirë të jetoje.

Këto lloj mundimesh do të merrnin fund vetëm me rënien e diktaturës. Railja pati mundësinë të jetonte më gjatë sesa diktatura që i shkaktoi aq vuajtje duke jetuar për më shumë sesa 20 vjet e lirë edhe së jashtmi, siç kishte qenë gjithmonë shpirti i saj.

 


Etiketa: ,

Pas