Partia Socialiste dhe kreu i saj vijojnë me të njëjtin qëndrim, edhe pse si drejtësia vendase ashtu edhe mekanizmat e Departamentit të Shtetit kanë prekur të zgjedhurit e Ramës. Faji mbetet individual. Qofshin këta ish-ministra të afërt me të, ish-kryebashkiakë të konsideruar miq apo të tjerë zyrtarë të lartë, partia nuk ka asnjë përgjegjësi në përgjegjësinë e tyre individuale
Për kryeministrin ferri janë të tjerët. Sa herë të zgjedhurit e tij përballen me drejtësinë e SPAK apo sanksionet e Departamentit të Shtetit, tregon me gisht kah individi e mbyll menjëherë dyert e selisë rozë.
Përcaktimet e reja publike “non grata”, që përfshinë ish-aleatin e socialistëve Aqif Rakipin, e gjetën kreun e qeverisë në Gjermani. Nëse në raste të mëhershme, ka theksuar se përgjegjësia është individuale dhe se Partia Socialiste nuk bëhet avokate e askujt në përballjen me drejtësinë, kësaj here i cilësoi pyetjet e gazetarëve lidhur me aktualitetin politik në vend si të sforcuara.
Rakipi bëhet kështu i dyti aleat i kryeministrit Rama, pas Tom Doshit, që shpallet “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadorja Kim i bëri thirrje të drejtpërdrejtë kreut të qeverisë për t’u distancuar nga aleati i tij Tom Doshi, kryetari i PSD-së. Aqif Rakipi nuk ishte në listat e zgjedhjeve të 25 Prillit, megjithatë prania e tij u ndje përmes të birit dhe dhëndrit, kandidatë në listat e Partisë Socialiste.
Orlando Rakipi, kandidati 27 vjeçar dhe pa përvojë të mëparshme politike arriti të thyejë gjasat elektorale duke fituar 16 mijë vota personale, ndërsa në këto zgjedhje krahas partive politike votoheshin edhe kandidatët. Duke lënë pas deputetë senior të PS, Orlando Rakipi ia doli të ulet në Parlament.
Rakipi i ri arriti të bënte atë që i ati kish bërë më 2017-n, ku me numër rekord votash në qarkun e Elbasanit e çoi PDIU-në, në forcë të tretë më 18 përqind të votave në qark. Përcaktimi publik ndaj Rakipit nuk qe surprizë, pasi më 2018-n e humbi mandatin e deputetit, pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale me një pseudonim. Ishte Partia Demokratike që kërkoi hetim më të thelluar për deputetin, atëkohë.
Një ish-deputet famëkeq i Qarkut të Elbasanit e cilëson Departamenti Amerikan i Shtetit në shpalljen “non grata”, Rakipin dhe me ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune ose koncesione në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një organizatë të krimit të organizuar, brenda së cilës ai ka ushtruar ndikim politik, duke përfshirë edhe korrupsionin.
Rakipi, merr si shembull DASH, ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në postet kryesore publike në Elbasan dhe Tiranë.“Babai im është i pastër”, deklaroi para mediave të hënën deputeti Rakipi, të cilit pas shpalljes “non grata” të të atit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngjashëm me familjen Berisha apo më herët me familjen Dako. Basha, si kryetar i PD-së të ashtuquajturën masakër zgjedhore të 25 Prillit, ia faturonte bashkëpunimit të kryeministrit me njerëz të krimit të organizuar. Madje në deklaratat e tij, Basha fliste për një regjim, të etiketuar si “Rama-Doshi-Rakipi”.
Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare për të tretën herë, Basha thoshte se djali dhe dhëndri i Rakipit, nuk mund t’i ndalnin demokratët në atë që ai e pagëzoi si beteja për demokraci. Edhe më herët, gjatë fushatës elektorale Basha si kundërpërgjigje për ironinë e kundërshtarit politik se në listat e PD-së ishin fosile, akuzonte se Partia Socialiste ende kishte në listat zgjedhore emra të përfshirë me krimin. Qarku i Elbasanit, ishte edhe njëherë zonë e nxehtë në zgjedhjet e kaluara, që përfundoi edhe me përplasje armësh zjarri dhe me një humbje jete. Dhëndri i Rakipit, Saimir Hasalla, dikur kryebashkiak i Peqinit, doli i dyti më i preferuari me votat për kandidatët, pas Taulant Ballës, i cili ishte vendosur nga kryesocialisti në të ashtuquajturën “vijë zjarri”, duke kërkuar ta shtynin fitoren edhe më përtej parashikimeve tradicionale.
Koha na dha të drejtë, do të deklaronte Basha të hënën pas shpalljes “non grata” të ish-deputetit Rakipi. Ata janë bedelët e Ramës, vijoi me tej ish-kryedemokrati, të cilët mundësuan masakrën zgjedhore të 25 Prillit.
Basha, i cili prej 9 shtatorit ka mbajtur një qëndrim edhe me të tijtë (tashmë armiq politikë), nxitoi të theksonte partnerin strategjik, ShBA dhe e cilësoi si lajm të mirë fokusin në luftën kundër korrupsionit.
Por nga ana tjetër, Partia Socialiste dhe kreu i saj vijojnë me të njëjtin qëndrim, edhe pse si drejtësia vendase ashtu edhe mekanizmat e Departamentit të Shtetit kanë prekur të zgjedhurit e tij. Faji mbetet individual, të dyshuarit, akuzuarit dhe ata nën proces nuk kanë vend në Partinë Socialiste. Qofshin këta ish-ministra të afërt me të, ish-kryebashkiakë të konsideruar miq apo të tjerë zyrtarë të lartë, partia nuk ka asnjë përgjegjësi në përgjegjësinë e tyre individuale, ndonëse barra e akuzave lidhet pashmangshëm me rolet që ata kanë kryer në nivel qendror dhe lokal, qeverisjeje. S.B/Gazeta MAPO