Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë sonte për përgjimet e publikuara nga “Bild” ku zyrtarë të PS komunikonin për vota në telefon me kreun e bandës së Avdylajve.
Edi Rama duke folur në emisionin “Real Story” si fillim kritikoi prokurorët e Krimeve të Rënda për urdhërin e nxjerrë dje për të ndaluar median të publikojnë përgjimet.
“Është një urdhër absurd i prokurorisë për të ndaluar median të publikojë. Nuk e di sa i referohen ligjit, por është absurd se media për atë punë është për të nxjerr gjithçka që i bie në dorë”.
Rama: Dako qytetar i lirë, nuk rikandidon
Më tej Rama tha se Vangjush Dako është qytetar i lirë, nuk rikandidon më për bashkinë kështu është në dispozicion të drejtësisë.
“Çështja ka disa aspekte. Kam neveri nga përgjimet dhe nga përdorimi i përgjimeve sepse janë të rrezikshme për devijimin nga e verteta, sepse mund të nxirren nga konteksti. Por kjo ka një aspekt moral. Kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat, është njeri i lirë që duhet të përgjigjet para drejtësisë.
Shikoj ka një shëmti në biseda të caktuara. E rëndësishme është të dimë se sa këto janë muhabete telefoni apo janë të materializuara në fakte.
Aspekt ligjor: Eshtë katastrofë menaxhimi i këtij procesi. Është përgjegjësi e prokurorëve të hetojnë dhe të ruajnë sekretin hetimor.
Duhet thënë se ka patur iniciativë nga policia e shtetit shqiptar ndaj një bërthame kriminale dhe ka referuar materialet në prokurori. Gjithë këta njerëz janë në burg (Avdylajt).
Aspekti politik: Unë besoj se është dosje e mbajtur në sirtar për shtantazh politikisht. Lidhet me termetin në drejtësi… jam i bindur nuk është rastësi një material i tillë nuk është përdorur për të vepruar apo për të kapur në flagrancë autorët (nëse ka) por është përdorur për tu mbajtur dhe për tu nxjerr përmes politikës për qëllime politike.
Disa njerëz të caktuar në prokurori janë të lidhur me politikën. Me këto copëza përgjimesh është synuar që të futet në kornizë si zbulim gjerman. Është shpërdorim detyre. Gazetari gjerman ka marrë ca i është dhënë dhe kjo eksptozohet në median e huaj para hapjes së negociatave dhe ky është një ushqim që synon të helmojë gjakun e shumë njerëzve këtu dhe atje. Mafia këtu mafia atje”, u shpreh Rama.
I pyetur specifikisht nga Sokol Balla se: A e hoqët Dakon nga rikandidimi për shkak të përgjimeve, Rama u përgjigj: “Dako nuk është kandidat dhe as i Shijakut. Unë e kam thënë edhe më parë kjo ka qenë vendimmarje e dakordësuar me vetë Vangjushin që i erdhi shpirti në majë të hundës nga ky sulm politik. “S’kam ndërmend të bëhem shenjestra e gjithë dynjasë”, më tha. Ai këmbëngul që janë gjëra komplet… inskenim mbi bazë muhabetesh. S’kanë lidhje me shit-blerje votash”.
/MAPO.al