Editorial

Rama, drejt 25 prillit, me sa më pak SPAK dhe Venecia!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:54 - 25/11/20 |
Armand Maho

Mazhoranca nxitoi dje të miratonte ngritjen e një komisioni, i cili nuk bën gjë tjetër vetëm se rëndon pozitat e krerëve të UÇK në Tribunalin e Hagës, dhe ushqen propagandën serbe. Bëhet fjalë për një komision që do hetojë veprimtarinë e shqiptarëve përgjatë hetimeve në Kosovë.



Me pak fjalë, targetohet kreu i opozitës në bazë të disa dëshmive të rëndomta të thëna e stërthëna nga njerëz të fandaksur që regjia propagandistike e Ramës i rrëmoi ku ishin e ku nuk ishin për të shmangur vëmendjen nga skandalet dhe humnera që e ka futur vendin paaftësia për të qeverisur, dhe nga kriza e rëndë e pandemisë.


Por, mazhoranca duket se nuk tregon të njëjtin nxitim, kur bëhet fjalë për të hetuar krimet zgjedhore në Shqipëri. Më keq akoma, pengon hetimet dhe bën çmos për të mbajtur larg institucionet. Kështu ndodhi me dosjet 184 të Dibrës dhe 339 të Shijakut.



E njëjta gjë, edhe një ditë më parë kur në tryezën e komisionit ishin sjellë amendimet për ligjin e prokurorisë, që i jep të drejtën SPAK për të hetuar, dhe për më tepër, për të raportuar para KQZ. Në tryezën e Ulsi Manjës, prej qershorit ndodhen shtatë ligje që priten të amendohen në bazë të marrëveshjes së 5 Qershorit, të firmosur nga vetë Rama, nën mbikëqyrjen e partnerëve.



Deri më tani, janë miratuar dy, pesë të tjerë kush e di kur do e shohin dritën e miratimit, megjithëse nga zgjedhjet nuk kanë mbetur më shumë se pesë muaj.


E ndërsa hetimet për raportin e Dick Marty do i shërbejnë për të mbajtur shtrënguar atë pak elektorat që i ka mbetur, punët për Rilindjen nuk janë aq mbroth sa duken. Përtej perdes së qetësisë, shihet një zell i shtuar për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur një gjykim me votë të lirë e të ndershme më 25 Prill.

Pavarësisht miopisë politike që ka shfaqur përgjatë karrierës së tij, ajo që ndjen Rama më shumë se gjithçka, është humbja. Presioni që i ushtron tërë ditën e perëndisë, Taulantit, Gjiknurit, Elisës, apo Ulsiut për 80 mandate nuk bind askënd. Me një rindërtim të panisur ende pas një viti, me një pandemi të menaxhuar keq, me taksa të shpërdoruara edhe më keq, me një varfëri që është dy apo trefishuar në vitet që ai ka qeverisur, me një pushtet lokal abuziv si ai i Tiranës, ai nuk mund të shpresojë më te buonsensi i qytetarëve. Qetësia e opozitës e tërbon akoma më shumë.

Lexo edhe :  Ministrat në Dubai - Rama: Ishte darkë pune, e paguar nga pritësit

Njeriut që tenton ta tërheqë në hendekun e debateve të ngritura mbi pallavra, ajo po i tregon përditë pandeminë që po merr jetë njerëzish.

Ramën duket se nuk e bindën as ndryshimet në kod, as heqja e kompetencave të Presidentit për të mandatuar qeverinë apo parlamentin. Ai përherë e më shumë po kërkon një pushtet, që një politikan normal do e kish lëshuar me kohë. E gjithë kjo që po luhet, ngjan me përgatitjen e një megaskenari, për të deformuar zgjedhjet.

Mbajtja larg e SPAK nga zgjedhjet dhe shtyrja e afatit të OFL, apo më shumë, shmangia me çdo kusht e Opinionit të Venecias për ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe në Kod, vetëm mbarësi nuk sjellin. Për të parin po shkel marrëveshjen dhe për OFL po shkel Kushtetutën, por ky nuk është problem se kur bëhet fjalë për Ramën dhe Rilindjen, ligjet apo marrëveshjet janë vetëm fjalë të shkruara në letër, që ndryshojnë sipas humorit të kryetarit.

E megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për të prishur zgjedhjet e dekurajuar votuesit, vetëm një mendje e shprishur nga lajthitja do besonte se kjo qeveri e meriton një mandat tjetër. Tashmë, është e qartë për çdokënd se ajo çka meriton shpura që ka uzurpuar pushtetin, është përballja me ligjin. Kreu i opozitës vendin ku do e kenë pas 25 prillit,  duhet t’ia kujtojë më shpesh jo vetëm Ramës por dhe të tjerëve.

1


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas