Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu komenton vizitën e kryeministrit Edi Rama në Turqi dhe takimin atje me presidentin turk, Erdogan. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehu shkruan se Rama gjatë krizave vrapon në Lindje, duke e akuzuar se “e ka futur vendin në një krizë të thellë të demokracisë drejt një despotizmi lindor dhe duke u larguar nga vlerat perëndimore”.
Sipas ish-ministrit të Jashtëm, rajoni është në rrezik destabilizimi për shkak të idesë së shkëmbimit të territoreve, ndërsa thekson se ndërmjetësimet e dobishme dhe të besueshme politike për ne mund të vijnë vetëm nga Perëndimi.
POSTIMI I SHEHUT
Rama gjatë krizave vrapon në Lindje.
Rama e ka futur Shqipërinë në një krizë të thellë të demokracisë, drejt një despotizmi Lindor, duke u larguar çdo ditë me shpejtësi nga vlerat e mëdha Perëndimore.
Rajoni është në rrezik destabilizimi nga ideja e “shkëmbimit të territoreve”, që bazohet mbi ëndrrën e Serbisë së Madhe dhe që mbështetet nga treshja Vuçiç, Thaçi, Rama, si dhe nga ata Lindore, që duan ta mbajnë atë larg BE për interesa të tyre, diametralisht të kundërta me tonat.
Prandaj shqiptarët rrezikohen që në vend të integrimit, të largohen nga familja jonë europiane, për të ngelur peng të Lindjes.
E kemi provuar dy herë në histori këtë tragjedi, gjatë pushtimit otoman dhe gjatë atij komunist.
Fytyra jonë duhet të jetë e kthyer vetëm drejt Perëndimit, veçanërisht në momente të vështira historike si sot.
E ardhmja jone është veçse aty, hallet dhe problemet nqs duam t’i zgjidhim në përputhje me aspiratat tona të mëdha, duhet t’i diskutojmë vetëm aty.
Ndërmjetësimet e dobishme dhe të besueshme politike për ne mund të vijnë vetëm nga Perëndimi.
Perëndimi qartësisht e ka shprehur këtë vullnet, por që fatkeqësisht deri më sot kjo ka rënë në “veshin e shurdhër” të Ramës.
LEXO EDHE: