Analisti Sokol Balla ka publikuar një shkrim të dielën, që u bë viral. Ai flet për ndryshimet në qeveri, duke paralajmëruar se ku do ketë ndërhyrje nga ana e kryeministrit Edi Rama.
“Nga e hëna prisni më shumë Sandër Lleshaj që të futen në Qeveri. Rama duket se e ka ndarë mendjen që jo të gjitha vezët duhet të jenë për të. Ca t’i hajë edhe Lindita, edhe Damiani, edhe Arbeni (këtë mendon edhe partia e Erion Braçeve, një shumicë e heshtur dhe mbështetëse në kohë të vështirë dhe ankimtare, sa herë qeveria ‘fluturon me pras’ drejt lartësive të panjohura). Po ca vezë duhen edhe në dyert e Shëndetësisë, plot me PPP-ra dhe të pabëra, po ku ende sot vdesin foshnje në qytete periferike a thua se jetojme në Burkina Faso dhe qeveria rezidon në Uagadugu.
Ndaj të hënën, kur Edi Rama të formulojë zyrtarisht nevojën e ndryshimeve të forta në qeveri, prisni gjithnjë e më shumë “UFO” si Sandër Lleshaj të futen në qeveri. Sepse të hënën Edi RAMA nis procesin e ndryshimeve më të mëdha në një qeveri, që formalisht nuk ka rënë akoma. Një qeveri që nuk ndryshon trekëndëshin më të fortë – Mbrojtje (amerikanët), Rend (Drejtësi) – europianët, Diplomaci (ndoshta dhe Turizëm e Bujqësi), por që mesa duket do të prekë të gjitha ato sfera të jetës sociale, ekonomike dhe politike që janë menaxhuar kaq keq, qe para majit 2017,” shkruan Balla.
Sipas tij, Rama duhet të qartësojë edhe raportin e tij me Erion Veliajn, pas spekulimeve në media se mes tyre gjërat janë ftohur ndjeshëm.
“Edi Rama do të ndryshojë qeverinë këtë javë, dhe do bëjë shumë mirë. Por ai duhet edhe të qartësojë mirë se çfarë do bëjë me zgjedhjet lokale. Të zyrtarizojë kandidimin e Veliajt dhe moskandidimin e Dakos dhe Sejdinit and co? Dhe t’i japë fund dilemës amatoreske, por inefektive që është përhapur dhe që insinuon largimin e Veliajt nga drejtimi i Tiranës dhe moskandidim në 30 qershor. Unë mendoj se me frikën e këtyrë ditëve dhe ndryshimet në qeveri që do t’i thotë të hënën, ai e ka pranuar këtë. Por kesaj radhe kryeministri duhet vërtet të bindë kryeministrin të parin, se nuk është prekur nga Sindroma e Prasit që prek çdo maxhorancë në mandatin e dytë të saj”.