Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të PS-së kryeministri Rama përjashtoi nga grupi parlamentar deputetin Gjetan Gjetani, pasi sipas tij kishte kërkuar që të punësonte njerëz të afërt nën drejtimin e policisë së Kurbinit.
Po vetë deputeti Gjetani nuk ka qenë aspak i habitur nga ky vendim i Ramës pasi jo më larg se dje ai denoncoi paaftësinë e policisë së Kurbinit, dhe heshtjen e tyre përballë krimit. Në një reagim të shkurtër fill pas fjalës së Ramës Gjetani ka thënë se e ka ditur që dje që do të përjashtohej.
“Një reagim të plotë do e bëj në vazhdim. Për momentin nuk di ç’të them. E prisja. Kam marrë informacione që dje nga brenda partisë që do më përjashtonte”, tha Gjetani për newsbomb.
‘’Sot nuk ka ardhur dhe ka bërë shumë mirë. Nuk ka bërë asnjë punë por ka shantazhuar dhe ka bërë presion dhe kërkon ekskluzivet për të vënë shefa policie në Kubrin. Dhe bën një deklaratë pocaqi aty, nuk duhet të jetë më në PS.
Duhet të jetë mësim për deputetet për të ndarë njëherë e mirë punën nga futja e hundëve nga ndërtimi i shtetit. Se faturat e hajdutëve në hipoteka që janë futur me mbështetje politike dhe farefisnorë nuk i marrin ata që ndërhyjnë por i merr PS. Kush ka në kokë tepsinë, është tradhtar i misionit tonë”, u shpreh Rama në mbledhjen e Asamblesë.