Kryeministri i vendit Edi Rama, ka pritur sot në një takim eksperten Luljeta Bozon, e cila tha se edhe pse nuk i pëlqen të dalë në televizor, ajo e ka bërë këtë me qëllim për të qetësuar njerëzit pas dramës së 26 nëntorit.
Rama falenderoi eksperten Bozo, ndërsa e përgëzoi rolin që ka kryer në qetësimin psikologjik të njerëzve.
Ajo kishte edhe një kërkesë për qeverinë, ku tha se tani duhet treguar më tepër kujdes me ekspertizën dhe me verifikimet e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti shkatërrimtar.
Pjesë nga biseda:
Rama: Unë nuk kam pasur fare mundësi t’i ndjekë, sepse nuk i shoh këto tendat televizive, por më ka rënë në sy që shkruanin edhe për ju dhe që keni bërë një punë të madhe për të qetësuar njerëzit.
Bozo: I kam qetësuar. S’kam qejf të dalë në televizor, absolutisht, por kam dalë vetëm për këtë.
Rama: Sepse janë mbushur me sharlatanë dhe me deliratë dhe me njerëz që flisnin broçkulla.
Bozo: Kam shkuar në objekte dhe në shkolla. Unë kam një shqetësim timin. Njerëzit u strehuan, mirë keq u futën brenda. Tashi fillon ekspertiza. Tani këtu e kam merakun, sepse nuk ka një grup në institut që t’i mbulojë të gjitha. Shkon i huaji thotë që mban pallati, ndërsa shkon pastaj pushteti vendor dhe i vë shiritin.
Rama: Ne u kemi kërkuar të huajve të na thonë mban apo jo struktura. Po shiriti të vihet deri sa të riparohet. Një shkallë që kërkon një riparim , prandaj janë këto shirita. Mendon që do ishte pozitive nëse ju do na ofroni ndihmë për pjesën e paketës së riparimeve. Jeni një burim sigurie më shumë për njerëzit. Ne po bëjmë një paketë të standardeve të riparimeve.